Tani mbaroi loja e heroit ndaj Serbisë

Postuar në 12 Nëntor, 2023 16:47

Në Kosovë kanë nisur të ziejnë ethet e diskutimit mbi draft statutin e ri që është pranuar në parim nga kryeministri Kurti. Opozita ka dalë në mexhlis për të folur për autonominë substanciale që I jepet serbëve, ka mandej analistë që flasin se ky statut qëndron poshtë marrëveshjeve të mëparëshme dhe se madje i injoron ato duke konsideruar rezolutën 1244.

Në thelb, po ripunohet narrativa që Kurti është një gënjeshtar, që zhbën me lehtësi pretendimet e veta dhe se në të vërtetë ka çuar pas Kosovën në skenën ndërkombëtare apo se është dorëzuar para Serbisë. Problemi këtu janë zgjedhjet. Askujt prej këtyre nuk u bëhet vonë për statut dhe Asocacion sepse në të vërtetë e dinë shumë mirë që vetë ata në qeveri nuk do bënin dot gjë ndryshe. Dhe e dinë shumë mirë se kriza e verës i nxori ata si njerëz të qëndrimeve afatshkurtra, me oportunizmin shabllon si devizë dhe filozofi.

Ai që deri më dje ishte njeriu që ndau Kosovën nga Perëndimi, sot rezulton mashtrues dhe gënjeshtar që po e çon vendin në rrezik të sovranitetit. Edhe pse ky draft – i cili ende nuk është publikuar se cili është – garantohet nga Perëndimi. Është për të ardhur keq mjerimi i një politike të një shteti të ri dhe një shoqërie që nuk do të orientohet. Por mirë apo keq, qeveria e tanishme në Prishtinë goditi në pikën e fortë të Serbisë – njerëzit në terren, si Radoiçiç e të tjerë, që përpara se të jenë çetnikët e shekullit të 21-të janë partnerë në biznes të të gjitha subjekteve që kanë qeverisur Kosovën.

Goditja në terren e vështirëson shumë nesër dej çdo politikë serbe si kjo e sotmja, e detyron atë të inkuadrohet në suazën kushtetuese, sepse në fund të fundit, njerëzit duan jetë normale. Dhe kjo është arritja më e madhe: e drejta kërkohet në institucione.

Nuk e kërcënon dot Kosovën një komunitet serbësh që fitojnë disa të drejta, sepse sfida kryesore sapo kjo dallgë të kalojë do të jetë EKONOMIA. Atë për të cilën askush nuk ka dot zgjidhje.

Megjithatë kjo që ndodhi e ka një të mirë të përgjithshme: me pranimin e ndërmjetësimit të SHBA, Francë dhe Gjermanisë dhe nxjerrjen nga loja të zyrtarëve të Brukselit, përfundon lodra e heroit të Kosovës ndaj Serbisë. Albin Kurti, që nga ky moment – dhe mund ta shohim këtë sesa i lumtur shfaqet që takon Macronin aop Scholz – është një ndër politikanët e Kosovës, sfida dhe puna e të cilit do të matet me problemet e ekonomisë dhe zhvillimit.

Si Kosova, ashtu edhe Serbia, tendosën në skaj muskujt dhe nervat për të bërë të kuptohet që zgjidhja ushtarake nuk është opsion, jo për shkak të raportit të forcave, por sepse Kosova nuk e ka më KOMPLEKS Serbinë. Nuk ka më kompleks as Shqipërinë, Kullën e Barit. Ndaj ta përshëndesim Serbinë dhe gabimet e saj dramatike, sepse në fund rezultojnë të jenë mësim dhe stërvitje për një klasë politike që di të mbrojë interesat me mendjen dhe gojën e vet. Jo si ata që sot dinë vetëm të vajtojnë nga kolltuku i milionave që bënë pak vite më parë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

"...Askujt prej këtyre nuk u bëhet vonë për statut dhe Asocacion sepse në të vërtetë e dinë shumë mirë që vetë ata në qeveri nuk do bënin dot gjë ndryshe..."
Por me sa me kujtohet Kurti erdhi ne oushtet se do bente dicka ndryshe. Nuk di si ta kuptoj kete fjalen "ndryshe". Ndoshta sepse ndryshe shkruhet e ndryshe lexohet.
Dhe ju nuk mund te beni perjashtim ne lexim.

Submitted by Zalli i Kurtit (not verified) on

Me ne fund ne nje shkrim per Kosoven nuk lexuam emrin e Kryeministrit tone.
Nje shkrim ndryshe...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.