Unë e pranova Asocacionin, opozita në Kosovë të na shpjegojë pse kësaj radhe nuk e firmos Aleksander Vuçiç
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sqaruar sot në Parlamentin e vendit se pse ka pranuar draft statutin për Asocacionin e komunave me shumicë serbe dhe pse sipas tij, ky propozim dallon nga marrëveshjet e viteve 2013-2015.
E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohjese që ishte çimentuar në marrëveshjet 2013 dhe 2015, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, në të cilën serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues, minues të republikës në njohje të shtetit sovran dhe integritetit territorial. Kjo qartazi nuk është ‘Zajednicë’, ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015.
E dyta; Drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë se mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues, pra nuk do t’i paragjykoj’ e as të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit të komunave dhe organeve qendroreve e kështu me radhë.
E treta: Drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’u projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës ose në mosnjohje të kufijve të Kosovës dhe rrjedhimisht ata të jetonin me ndjenjën e imponuar nga Beogradi për një luftë të re për territor a shkëmbim territorial ose bashkim me këdo tjetër. Pra drafti e bën të qartë se vendi është Republika e Kosovës dhe e ardhmja është bashkëjetesa në institucionet dhe kufijtë e Republikës së Kosovës
deklaroi Kurti.
Më tej ai ka pyetur përfaqësues të opozitës së Kosovës që e kanë akuzuar për shitje dhe ndryshim qëndrimesh se pse presidenti serb, Aleksander Vuçiç, që më herët ka pranuar të firmosë krijimin e Asocacionit, nuk po pranon kësaj radhe. Një pyetje që në të vërtetë është shpjeguar me pikën e parë të renditur nga Kurti, e që ka të bëjë me kushtin e NJOHJES së Kosovës nga Serbia, një akt që zhbën çdo politikë subversive në të ardhmen.
Add new comment