7 tetori mbetet me të panjohura. Irani dhe Turqia shprehin shqetësim për përhapjen e konfliktit në rajon

Postuar në 01 Nëntor, 2023 19:32

Turqia e Recep Tayyip Erdoganit po bën përpjekje dinamike për të imponuar pushimin e konfliktit në Gaza dhe kontrollin e situatës në rajon. Të paktën këtë ka lënë të kuptohet presidenti turk, i cili ka bërë thirrje edhe për krijimin e një mekanizmi rajonal sigurie për të zgjidhur dhe trajtuar çështjet e sigurisë. Ky është sinjali i parë serioz i kontestimit të hegjemonisë perëndimore në këtë zonë duke sugjeruar alternativa sigurie. Aq e vërtetë është kjo, saqë Ankaraja ka hedhur një hap të parë konkret duke koordinuar veprimet me Iranin, një vend i deklaruar armik nga SHBA dhe i parë nga Izraeli si frymëzues dhe lehtësues i sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir Abdollahian ka vizituar sot Ankaranë ku është takuar me homologun Hakan Fidan dhe presidentin Erdogan.

Ne kemi shqetësime se konflikti mund të përhapet. Ne theksuam rëndësinë për ruajtjen e qetësisë në Siri

është shprehur ministri turk, Fidan.

Siria është zona delikate e rajonit e ndarë në njësi sigurie ndikimi mes Rusië, Turqisë dhe Iranit, secila në një marrëdhënie të formatuar nga konferenca e Astanas dhe që ka mbajtur në pushtet si aktor dominues presidentin Assad. Izraeli e ka parë përherë Libanin dhe Sirinë si pararojë të Iranit dhe nuk ka kursyer goditjet, çka po interpretohet në këto kushte si një përpjekje e mundshme nga Perëndimi për të shfrytëzuar sulmin e 7 tetorit për axhenda gjeopolitike të tjera.

Jo më kot, presidenti turk, Erdogan ka qenë i pari që u shpreh kundër dislokimit në Mesdhe të aeroplanëmbajtëseve amerikane, duke pyetur se çfarë mund të shërbejë një njësi e tillë në një konflikt asimetrik si ai mes Hamasit dhe Izraelit. Fidan ka deklaruar gatishmërinë e Turqisë për të lehtësuar arritjen dhe zbatimin e një marrëveshjeje mes palëve, ndonëse nga Jeruzalemi është sinjalizuar se pas pastrimit të Gazas, negociatat do të zhvillohen me Rramallahaun, pra me Abas.

Hamas dhe Hezbollah janë investime të fuqive rajonale në Lindjen e Mesme të cilat kanë shërbyer si dispozotiv ndaj sigurisë së Izraelit, ndaj likujdimi i tyre siç po synohet aktualisht përfaqëson një goditje me karakter strategjik sidomos ndaj Iranit. Në rrethanat e tanishme dhe nisur nga ajo që po shihet në lëvizjet e Turqisë dhe Teheranit krijohet dyshimi se për sulmin e 7 tetorit ka patur shumë të panjohura prej të gjithëve dhe se tani dikush po nxiton të rivendosë një ekuilibër që mesa duket Izraelit nuk i intereson përderisa po e shfrytëzon sulmin si moment për të zgjidhur njëherë e mirë problemin ushtarak me Palestinën dhe me gjasë edhe me Hezbollahun, çka do të linte zbuluar pararojën e Sirisë dhe Iranit ndaj tij.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.