Dossier/Himara dhe Piluri kundër. Një episod pak i njohur i përplasjes së shtatorit 1943

Postuar në 31 Tetor, 2023 16:31
Skerdilajd Zaimi

 

Këto ditë po qarkullon në Jug të Shqipërisë një dhaskal i ri i patriotizmës së mbrame që rreket me pretendime akademike të provojë synimet e Greqisë për të sjellë në jetë një realitet pakice në zonat e Bregut. Zotëria që mban edhe një funksion publik, mbështetet në këto orvatje dogmatike tashmë dhe pak historike, nga një aradhë profesorësh shqiptarë që pak i thonë shkencës historike, e shumë folklorit politik. Megjithatë, për ata që e njohin zonën, apo duan të kuptojnë diçka, është e qartë se “kundërvënia e Zonës së Bregut ndaj Tiranës”, nëse mund ta quajmë kështu, nuk lidhet me antishqiptarizmin që duhet thënë se është gjëja më e natyrshme kur sheh shëmtinë e këtij vendi, por me kontestimin e një autoriteti, ndaj të cilit nuk besohet dhe nuk ka asnjë kontroll.

Në historinë e shkruar keq të marrëdhënies mes zonës së Bregut dhe shtetformimit shqiptar – sepse një të tillë ka de facto - spikasin zakonisht vitet 1914, vitet ’20 të shekullit të 20-të dhe periudha e pas viteve ’90. Qasja po ajo: në Himarë me rrethina luan Greqia me helenizmin e stisur dhe nga ana tjetër Shqipëria me pretendimin e vet të padiskutueshëm për homogjenizim kulturor. Kjo është politikë, jo histori, pasi historia do të rrekej jo të gjente origjinat e njërit apo tjetrit si qëllim dhe shpjegim, por shkaqet e kësaj sjelljeje që përcakton një marrëdhënie të vështirë. Është emblematik fakti se ish-lideri komunist shqiptar, Enver Hoxha, e shmangu në maksimum kalimin në Himarë dhe tregohet një anekdodë, në mos e vërtetë që gjatë një vizite të tijën aty dikush i foli greqisht. I cili për këtë shkak duket se pësoi një dënim të shëndetshëm në burgjet e veriut. Ftohtësia e zonës së Himarës me regjimin komunist nuk është shpjeguar shumë. Madje është lënë në një lloj errësire për shkak ndoshta të integrimit në drejtimin e vendit të disa përfaqësuesve të zonës.

Kjo ftohtësi nuk shpjegohet as nga Sofokoli Lazri në librin e tij për ngjarjen mes Ramize Gjebresë dhe Zaho Kokës, ndonëse ai lë të kuptohet aty se ajo ngjarje e goditi çetën e Bregut në sytë e drejtuesve të qarkut dhe vetë Enver Hoxhës. Lazri ishte një dëshmitar dhe protagonist i ngjarjeve të asaj kohe dhe një njeri me njohje të thella edhe në zonën e Vlorës. Ai ndalet vetëm tek episodi i Ramizesë që shenjoi një ndalesë tragjike, një aksident kriminal në përpjekjen për të ndërtuar një ligjërim modern mobilizimi social siç paraqitej ai i komunistëve shqiptarë.

Megjithatë, ngjarjet e vitit 1943, me kapitullimin e Italisë fashiste, ngjan të kenë përcaktuar raportin e pushtetit të ri me zonën e Bregut. Në disa dokumente të Shtabit të Zonës së Parë Operative, Vlorë-Gjirokastër, që gjenden në Arkivin e Shtetit, evidentohet se në ditët e para pas deklarimit të kapitullimit, në zonën e Himarës u krijua një gjendje shumë delikate për forcat partizane që vepronin aty për shkak të përfshirjes së banorëve të Himarës dhe Pilurit, por edhe Palasës në një prag angazhimi ushtarak kundër tyre dhe përkrah forcave italiane që ende nuk ishin çmobilizuar. Më 9 shtator të vitit 1943, Shtabi i Zonës I Operative, me drejtues ushtarak, Islam Radovicka dhe drejtues politik, Bedri Spahiun, lëshon një Direktivë drejtuar 8 bataljoneve të zonës dhe Çetës së Bregut, përmes së cilës urdhëron dhe udhëzon për veprimet që duheshin ndërmarrë pas kapitullimit të Italisë fashiste një ditë më parë. Në direktivë udhëzohet kapja e të gjitha mjeteve të italianëve, me luftë ose jo, mobilizimi i popullit nga batalionet vullnetare “për të zënë rrugët”, vendosja e kontaktit me komandat ushtarake italiane të zonës prej të cilave ndër të tjera të kërkohej:

Ushtria NacionalÇlirimitare është e vetmja ushtri shqiptare e njojtur prej Aleatve…

T’i dorëzojnë pa luftë kësaj Ushtrije gjithë qendrat e fortifikuara në gjendjen që janë dhe materialin që kanë…

Sjellja në qytete duhet të jetë korrekte si kundrejt popullit ashtu dhe kundrejt trupave italiane të dorëzuara…

Direktiva siç shihet ka karakter politiko-ushtarak përderisa trajton edhe çështje të organizimit të pushtetit në boshllëkun e lënë nga italianët. Mirëpo nuk shkoi siç pritej. Në datën 10, pra një ditë më pas, është sërish Islam Radovicka që përpilon një dokument, apo e firmos atë, e përmes të cilit vihet në dukje se përpjekja për të marrë në dorëzim armatimin e garnizonit italian të Bregut kishte dështuar “për shkak të urdhrave që ata kanë marrë pas orës 20 të datës 10 m.v”. Më tej Radovicka sqaron se Andrea Varfi si Komandant Operacioni u kishte lënë italianëve 3 orë kohë për të rimenduar vendimet e veta, gjatë së cilave pala italiane armatosi himarjotët të cilët zbrazën shtëpitë e tyre dhe u bënë gati “të hapin zjarr ndaj ushtrisë sonë”.

Po në këtë mënyrë vepruan dhe Pilurit duke zbritur në krahë të Ushtrisë t’onë…Ndodhemi pra përpara një Libohove të dytë akoma më të qelbur. Luftëtarët t’anë krejt të dëshpëruar kërkojnë fillimin e operacionit kundra Himariotve. Forcat t’ona llogariten rreth 400 vetave ndër të cilët shumë të pa armatosur. Himariotët dhe Pilurit të udhëhequr nga Jorgji Bollani kanë vendosur që të mos pranojnë me çdo sakrificë asnjë pushtet tjetër veç autonomisë.

I gjithë populli burra, gra dhe fëmijë janë sjellur kundra luftëtarëve në mënyrë mëse armiqësore…Ky qëndrim i Himariotve i mbështetur dhe i nxitur nga italianët na vë përpara një problemi shumë delikat; ja të tërhiqemi në dëm të prestigjit të Ushtrisë t'onë, ja të çelim vëlla-vrasje me Himariot në kundërshtim me vijën politike Nacional Çlirimtare dhe përfundime të rrezikshme për të ardhmen…

shkruan Radovicka që teksa kërkon udhëzimet e Komisarit Politik të Shtabit, Bedri Spahiut(Kaciatori në dokument) sugjeron që ushtria të shmangë përplasjen. Ai shton se ndërkohë që ka këto zhvillime janë marrë masa me karakter ushtarak për:

bllokimin e rrugës Himarë-Porto Palermo, Himarë-Vuno si dhe urdhërimin e e Komandës së Operacionit për sektorin e Himarës që “të rihyjë në kontakt me garnizonin italian dhe t’u vërë në dukje përgjegjësinë e vëlla vrasjes që ata pregatitin duke kërkuar tërheqjen e materialit të shpërndarë himariotve si nga nga konditat e kapitullimit të tyre…”.

Çfarë po mbronin këtu himarjotët dhe pilurjotët? Autonominë e dhënë prej italianëve gjatë pushtimit duke kontestuar rikthimin e autoritetit shqiptar, apo këtu ka diçka më shumë? Jemi përpara një kërkese politike. Radovicka kujton edhe njëherë se UNÇL “është e vetmja ushtri e njohur nga Aleatët dhe se në tokën shqiptare vetëm kësaj ushtrije do t’i bëhen dorëzimet dhe aspak minoritetit grek që nuk është hedhur në luftën antifashiste dhe që nuk ka ushtri Nacional Çlirimtare”.

Këtu ushtaraku shqiptar del tej konsideratave ushtarake duke kaluar në një sektor ku duket se nuk ka njohje të mirë. Ai sugjeron bombardimin e Himarës nëse himarjotët nuk pranojnë të dorëzojnë tek “italianët armatimin e marrë prej tyre”.

    

Më datë 12 shtator, Islam Radovicka i kthen përgjigje një kërkesë-raportimi të Jaho Gjoligut(siç) që drejtonte Komandën e Operacionit për Zonën e Bregdetit  përmes së cilës vihet në dukje se ka patur vështirësi në përmbushje të Direktivës së sipërcituar në mobilizimin e fshtarave Nivicë Bubar dhe Shën Vasil duke udhëzuar veprimet e mëtejshme. I ngarkuar për të çuar urdhërat para caktohet Andrea Varfi që urdhërohet të niset drejt Borshit dhe Piqerasit për të trajtuar çështjen e marrjes në dorëzim të bazës materiale, më pas të vijojë për në Shën Vasil ku do të kontaktojë me Gjoligun dhe të “bindë këshillat” për mobilizimin dhe mandej të vazhdojë për në Sarandë ku do të duhet të vendosë kontaktin me drejtuesit e komandës italiane.

Siç shihet vështirësia e mobilizimit ka ardhur si pasojë e refuzimit të Këshillave të ngritura, diçka që kërkon hulumtime të mëtejshme për të kuptuar se çfarë qëndron pas këtij refuzimi. Duhet të kujtojmë se mes njësive partizane të UNÇL-së ka patur edhe rivalitete që reflektonin çështje personale të drejtuesve. Ta zëmë në një përmbledhje për çështjet e Ushtrisë, botuar në vitin 1983, Enver Hoxha vë në dukje se kalimi i Divizionit I në Veri u shtyu me tri ditë për shkak të mosmarrëvshjeve personale mes drejtuesve të Brigadave që kishin familjaritete dhe preferenca të caktuara. 

Megjithatë në rastin e zonës së Bregut nuk ka një trajtim të kësaj natyre dhe ne nuk e dimë se çfarë qëndronte pas asaj që mund ta quajmë “lëvizje e Jorgji Bollanit”. Përmendja prej Radovickës e “minoritetit grek” aludon për ndërhyrje të ndikimeve greke, por këto mund të jenë edhe interpretime të një përfaqësuesi ushtarak që nuk kanë rëndësinë që do të kishte ta zëmë një dokument i përpiluar nga Sektori Informativ i Ushtrisë apo nga Bedri Spahiu, që përveçse i sektorit politik, ishte nga Libohova dhe e njihte mirë topologjinë e identiteteve të Zonës I Operative. Rëndësinë e situatës së krijuar e shpjegon më së miri një letër e përfaqësuesit të Komandës së Operacionit në Zonën në fjalë, Andrea Varfi, vetë ky me origjinë nga Qeparoi, drejtuar “Pleqësisë dhe Popullit të Katundeve Himarë, Dhërmi dhe Palasë”, e cila mban datën 17 shtator 1943.

Ai flet për “tradhëtarë që kanë marrë frenat në dorë në fshatrat tuaja” dhe në këtë kuadër, duke lënë të kuptohet për negociata të vazhdueshme disa ditore, Varfi e parashtron kërkesën e tij si ultimative.

Njëherë e përgjithjë u bëjmë të ditur:

Të dorëzohet gjithë materiali ushtarak i zënë në Dhërmi dhe në presidiot e ndryshme të rajonit t’uaj. Për këtë duhet të vijë brenda dy ditësh një delegasion nga ana juaj për marrëveshje pranë kësaj komande t’operacionit. Në rast të kundërt do të nisim operacionin.

Të mos preket as qimja e një partizani. Kush ka ankim për qëndrimin e tyre le t’i drejtohet komandantit nga i cili mvaret ose edhe drejtpërdrejt kësaj Komande t’Operacionit

Nuk ka asnjë dyshim se situata e përshkruar edhe në kaq pak dokumente flet për një tension të lartë që mund të precipitonte shumë më tej. Një hipotezë e qëndrueshme është se rezistenca e banorëve të Himarës është gjeniune dhe e painstruktuar nga pala greke, apo edhe nga misionet aleate. Përndryshe do të mund të verifikohej përplasje. Ajo ishte një rezistencë që duhet lexuar për atë që është, pa ngjyrime dhe pa epitete, për arsyet e veta, por që i ngjan rezistencës së hasur nga forcat partizane edhe në zona të tjera të Shqipërisë. Me dallimin se këtu flitet për një lloj autonomie, që në fakt është jehona e fundit e një tradite të venomeve të vëna nën presionin e një lloji të ri pushteti, atij me natyrë gjithëpërfshirëse.

Është e udhës ndaj që të kuptohet çdo izëm që i vihet Himarës edhe në kudhrën e kësaj tradite, përpara se të rendim e t’i nënshtrohemi gjyqit të patriotëve të rremë. Është po kështu e udhës të shihet se edhe në kushtet e një lufte dhe me shtrëngime të mëdha kohe, dokumenti i një ushtaraku partizan, kujdeset shumë të mos paraqesë akuza për motivet e himariotëve që i shohim sot kaq të artikuluara edhe si përqindje titujsh. Dhe po kështu është e kuptueshme se minjtë e arkivave që nuk lënë material pa publikuar për gardistin që dëgjoi pordhën e fundit të Enver Hoxhës, të mos kenë parë këto materiale. Mospublikimi i tyre sigurisht, ose më saktë mospopullarizimi sepse mund të jenë botuar më herët, vjen dhe zbulon atë kompleksin e pseudo-studiuesve të sotshëm, që nuk duan të nxjerrin një aspekt nacionalist të politikave të PKSH-së, sepse kanë marrë vendim që të hanë bukë e qofte në stacionin e tradhëtisë së tij. Përndryshe çfarë studiuesish do ishin ata?!

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.