Vera spanjolle “zë” prodhuesit francezë
Prodhuesit francezë të verës protestuan këtë javë kundër importit të verës spanjolle, me argumentin se po krijohet konkurrencë e pandershme në tregun vendas, i cili tashmë ka teprica.
Sipas Le Parisien, rreth 500 protestues u mblodhën në një autostradë pranë qytetit kufitar francez të Boulou, ku ndaluan disa kamionë me produkte spanjolle dhe shkatërruan ngarkesat e tyre.
Si rezultat, më shumë se 240 hektolitra rose spanjolle u derdhën në rrugë dhe 10 000 shishe me shampanjë spanjolle u thyen.
Prodhuesit francezë thonë se vera e lirë spanjolle e ka dëmtuar tregun. "Problemi është çmimi," i tha gazetës Antoine, një vreshtar 79-vjeçar francez. “Spanjollët kanë tarifa minimale, të drejtën për të futur të gjitha kimikatet që duan në hardhitë e tyre, ndërsa ne nuk kemi të drejtë për asgjë… Si rezultat, vera spanjolle kushton sa gjysma e verës franceze. Hektolitri i verës së atyre kushton 40 euro, ndërsa yni është gati 80 euro”, tha ai.
Sindikata e prodhuesve të verës ka njoftuar se do t’i vijojë protestat, të cilat do të intensifikohen në nëntor.
“Nuk mund të pranohet kjo situatë. Duke filluar nga sot, ne do të bëjmë çdo gjë që blerësit të mos kenë mundësi të marrin verëra të lira nga gjetkë... Do të ndalojmë importet spanjolle. Ky është fillimi i një lufte ekonomike”, tha Frederic Rouanet, kreu i sindikatës.
Në fillim të kësaj jave, prodhuesit francezë të verës u mblodhën në Ferrals-des-Corbieres për të diskutuar krizën në industri, të cilën ata e konsiderojnë si më të keqen në të paktën dy dekadat e fundit.
Sindikata përgatiti një letër që do t'u dërgohej tregtarëve dhe importuesve francezë të verës, e cila bënte thirrje për "ndalimin e plotë të blerjes së verës nga rajone të tjera ose jashtë vendit derisa verërat [vendase] të shiten me një çmim të drejtë".
E njohur për traditat e saj shekullore të prodhimit të verës, Franca ka vuajtur nga një tepricë e verës për shkak të prodhimit të lartë të vreshtave në vitin 2022 dhe konsumit të ulët të shkaktuar nga rritja e inflacionit.
Në gusht, qeveria franceze njoftoi një plan me vlerë 200 milionë euro (216 milionë dollarë) për të eliminuar tepricat e verës. Rënia e kërkesës për verë nuk është kufizuar vetëm në Francë. Komisioni Evropian raportoi në qershor se konsumi i verës ra me 15% në Francë, por gjithashtu ra me 7% në Itali, 10% në Spanjë, 22% në Gjermani dhe 34% në Portugali.
Disa analistë thonë se rënia e eksporteve të verës në BE vjen pjesërisht nga sanksionet e lidhura me Ukrainën që Brukseli vendosi ndaj Rusisë vitin e kaluar. Masat ndalojnë shitjet e verës që tejkalojnë 300 euro për shishe. Si rezultat, ndërsa në vitin 2022 Spanja dhe Italia ishin ndër tre furnizuesit kryesorë të verërave në Rusi, këtë vit ato u zëvendësuan nga Lituania dhe Gjeorgjia.
Add new comment