Të qenit hebre, vetëm një anë e imja. Jam si një ngrehinë që po i hoqe një gur, do të shembet...
Biseda me Michel Setboun (Mishel Setbun)*, fotografin më të njohur francez mbi Shqipërinë komuniste dhe post-komuniste, është kryer disa kohë para sulmit makabër të Hamasit në Izrael, ndaj dhe për këtë arsye nuk ka ndonjë referencë të veçantë mbi vendin e origjinës së paraardhësve të tij. Menjëherë pas ngjarjeve tragjike e mora në telefon, që ta pyesja për të afërmit, miqtë e të njohurit e tij në Izrael dhe i kërkova, që meqenëse publikimi i intervistës përkonte me mizoritë e fundit, nëse do të donte të shtonte diçka. Komenti i tij i vetëm ishte, që politikat fashiste sjellin pasoja tragjike. Micheli jeton në zemër të Le Marais, ndër zonat më trendy, më progresive dhe më turistike të Parisit, që tradicionalisht njihet si Jewish quartier dhe shumë prej rrugëve kanë edhe tabela të shkruara në hebraisht. Qoshja e tij e preferuar është “Au Petit Fer à Cheval’’ në Le Marais dhe në rast, se nuk e ndesh atje, me siguri që me kamerën e tij, do jetë duke fotografuar getot e Parisit, atje ku koha duket sikur ka ndaluar për “Të mjerët’’ e Hygosë.
***
Kur isha fëmijë, kisha në koleksionin tim edhe disa pulla nga Shqipëria. Emri “Shqipëria” tingëllonte shumë çuditshëm në veshët e mi, më dukej i tjetërsojtë për emër vendi. Ndoshta, një nga arsyet që desha të njihja Shqipërinë që fëmijë, ishte për shkak të këtyre pullave. Por, në vitin 1969, kur vendosa të udhëtoj për herë të parë me kamerën time në moshën 17 vjeçare, hyrja në Shqipëri ishte e paimagjinueshme dhe në pamundësi për të kaluar kufirin shqiptar, përgjatë rrugës sime në Turqi, kalova edhe nga Kosova. Sigurisht që në atë kohë nuk dija asgjë rreth lidhjeve të Kosovës e Shqipërisë, as që në Kosovë flitej shqip, pasi në perceptimin tim ishte Jugosllavi. Dëshira ime fillestare ishte të shkoja në Nepal, por nuk kisha kohën e duhur në dispozicion dhe vendosa të shkoj në Turqi, duke kaluar nga një mori shtetesh, ku përpos të tjerave ishte dhe Jugosllavia. Gjatë qëndrimit tim në Kosovë, në Pejë fillimisht, fotografova kryesisht portrete njerëzish. Kisha një kamera shumë të madhe të tipit Mamiya C33 me njehsor drite Lunasix, që fatkeqësisht atëherë nuk më pëlqente, ngaqë ishte shumë e rëndë, por që tani e dua shumë, sidomos për formatin katror 6x6 të fotografive që nxjerr, ç’ka tani gati nuk ekziston.
Pasionin për fotografinë e zbulova në moshën 14 vjeçare. Me një aparat Kodak Starlet u bëra fotografi i familjes gjatë festimit të Bar Mitzvah. Fillova të punoj në moshë shumë të re, që fëmijë. Kur isha 12 vjeç, qëroja luspat e peshqve të djelave në mëngjes në treg vetëm për 5 franga, 15 vjeç mblidhja nëpër fusha patate dhe 16 vjeç punoja në një fabrikë të rrezikshme municionesh, ku merrja 2,42 franga për orë. Me këto para arrita të blija kamerën Mamiya dhe nisa të ëndërroj për udhëtime në vende të vështira e ekzotike. Udhëtimet e para i bëja me autostop dhe flija jashtë, ngaqë nuk më mjaftonin paratë. Jam diplomuar për arkitekturë në vitin 1977, por puna në një zyrë arkitekture më dukej e mërzitshme dhe nuk desha të punoja si arkitekt. Gjatë kohës, që shokët e mi shkonin me pushime, unë zgjidhja të bëja udhëtime të largëta, në vende të vështira si Libani (1975) dhe Angola (1976), që të fotografoja luftën civile.
Për herë të parë kam hyrë në Shqipëri në vitin 1981. Pas përvojës së suksesshme si fotograf i revolucionit Iranian (1978-1980), çka më ndihmoi të bëja emër në fushën e fotografisë, më tërhiqnin vendet e mbuluara me një lloj misteri. Më joshte gjithçka e ndaluar dhe e rrezikshme. Desha të kuptoja më tepër rreth gjërave të këqija e njerëzve “të këqinj”. Dhe Shqipëria në atë kohë, ishte një vend i mistershëm në mes të Europës. Pamundësia për të shkuar, më shtynte të ëndërroja për udhëtimin tim në Shqipëri. E vetmja mënyrë të hyja në Shqipëri, ishte përmes grupit marksist - leninist të miqësisë franko – shqiptare, që organizohej nga Abraham Beart, doktor në profesion.
Kur mbërritëm në Rinas, m’u krijua ndjesia sikur po zbrisja në një hapësirë shkretane, in the middle of nowhere. Kishte një fluturim në ditë, pra vetëm një aeroplan ulej e ngrihej. Ishim një grup i madh të huajsh marksistë – leninistë nga vende të ndryshme europiane dhe rezervuam fluturimin vetëm për ne, morëm një aeroplan me qira për këtë arsye. Nuk duhej të mbanim mjekër, as të kishim flokë të gjatë. Qëndruam gati një muaj në Shqipëri, por nuk na lejohej të rrinim në Tiranë. Pjesën më të madhe të kohës, qëndruam në një hotel në Durrës, por na u mundësua të udhëtonim edhe drejt qyteteve të tjera, në Shkodër, Berat, Gjirokastër, etj., sigurisht me kufizime shumë të rrepta. Rastësisht a ndoshta ishte e organizuar qëllimisht nga qeveria shqiptare, u ndeshëm afër hotelit në Durrës me Kadarenë, i cili po shëtiste buzë detit. Portreti i Kadaresë, që ndodhet në galerinë e fotografive të mia, i përket atij viti. Libri i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që pata fatin ta lexoj në frëngjisht, më nxiti për të parë nga afër këtë vend të tjetërsojtë, ku zymtësia, shiu e vdekja ishin të pandashme në libër.
Një vend pa Zot: Shqipëria - titullohej reportazhi, që i dërgova SIPA PRESS në vitin 1981. Përpiqesha të tregohesha i kujdesshëm në përshkrimet e mia, në mënyrë, që të kisha mundësi të vija sërish në Shqipëri. Në reportazhin tim theksohej që Shqipëria ishte vendi i vetëm në botë, që kishte një muze për ateizmin, “Muzeu Ateist” i Shkodrës dhe që kulti i Stalinit, në ndryshim nga vendet e tjera komuniste, ishte ende shumë i gjallë, duke e bërë Shqipërinë kështjellën e fundit të stalinizmit në Europë; pos të tjerash, për ëndrrën e Shqipërisë të bëhej tërësisht e pavarur nga bota jashtë dhe bunkerët e shumtë, që ndodheshin gjithandej, si vendstrehime mbrojtëse, në rast sulmi. Desha vetëm të përshkruaja realitetin, pa i dhënë nota kritike.
Ishte e ndaluar për ne të huajt, të dilnim vetëm në rrugë. Që prej vitit 1981, e kam vizituar rregullisht Shqipërinë komuniste, madje pas vitit 1986 shkoja gati çdo vit në Shqipëri. Ish Ambasadori i Shqipërisë në Francë, Arqile Semini më sugjeroi të organizoja grupin tim të vizitorëve, sepse si fotoreporter ishte e pamundur të merrja vizë. Duke pasur grupin tim, kisha pak më tepër liri në organizimin e udhëtimeve në Shqipëri. Kishim gjithmonë një përkthyes të caktuar nga qeveria, që na shoqëronte. Në atë kohë arrita të publikoja në revistën Geo, një shkrim të gjatë për Shqipërinë, i cili zgjoi shumë interes dhe ky sukses më nxiti, që të zbuloja përherë e më tepër gjëra rreth Shqipërisë. Situata politike në vend kish filluar të ndryshonte dhe çdo vit sa vinte e përmirësohej.
Për herë të parë, munda të hyj në Shqipëri si fotoreporter dhe jo në grup, pas vitit 1988. Sidomos, gjatë vitit 1989 m’u desh të shkoja në Shqipëri shumë herë brenda një viti. Në Tiranë, qëndroja te “Tirana Hotel”, pothuajse në të njëjtën dhomë e në të njëjtin kat. Besoj, se nuk ishte e rastësishme që më jepnin gati të njëjtën dhomë, sepse duhet të kishin vënë mjete përgjimi. Një nga përkthyesit e mi të asaj kohe, ka qenë edhe Besnik Mustafaj, me të cilin na lidh tashmë një miqësi e gjatë. Para rënies së sistemit, bëra një shkrim për revistën e njohur “Figaro”, por pas kolapsit që shoqëroi vendin, interesi i botuesve të huaj për Shqipërinë nuk ishte më i njëjti dhe nuk mund të shisja më punën time si më parë. Ervin Baku, ishte një prej përkthyesve të mi të mëvonshëm, i cili për shkak të nivelit shumë të mirë të frëngjishtes, më kërkoi të bëhej përkthyesi im.
Me vendosjen e demokracisë, ardhjet e mia u bënë gjithmonë e më të rralla, sepse Shqipëria e humbi “veçantinë” e vet për revistat e njohura, ku kisha publikuar më parë historitë e mia shqiptare. Interesi im për Shqipërinë, pavarësisht se Shqipëria nuk rreshti asnjëherë së paturi një vend të veçantë në rrugëtimin tim të gjatë si fotoreporter, u rigjallërua pas ftesës, që mora në vitin 2016, për organizimin e ekspozitës sime të parë në fshatin Derviçan të Dropullit, me kurator Toni Milaqin. Më vonë, pasuan dy ekspozita të tjera të mëdha në Kryeministri (2018), (2020), me kurator Genti Gjikolën dhe Eleana Zhakon, kurse nëntor 2022 - shkurt 2023, u zhvillua një ekspozitë e madhe në Muzeun Marubi, me kurator drejtorin e këtij muzeu, Luçjan Bedenin. Aty ku më parë, njihesha vetëm nga një grup i kufizuar artistësh dhe artdashësish shqiptarë, ekspozitat sollën një njohje më masive të punës sime në Shqipëri. Kam shumë dëshirë të publikoj një libër - album mbi Shqipërinë për lexuesin e huaj dhe shqiptar, sikurse kam publikuar deri vonë për vende të tjera, por për fat të keq interesi nga ana e botuesve është shumë i vogël.
Avantazhi im në krahasim me shumë fotografë të tjerë të huaj, është se unë kam një rrugëtim 40 vjeçar si fotograf në Shqipëri, pra historinë më të gjatë mbi këtë vend. Për më tepër, kam udhëtuar në gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, në zona shumë të largëta, që shumica e fotografëve nuk kanë pasur mundësi të shkojnë. Nga krejt vendet që kam punuar si fotograf, ndoshta Afganistani ka epërsi kohore, pasi historia ime mbi Afganistanin është tashmë pesëdhjetë vjeçare. Për herë të parë shkova në Afghanistan në vitin 1970 dhe ende vazhdoj të shkoj. Rolin e dikurshëm të muhaxhedinëve, që atëherë financoheshin nga CIA, tani e kanë marrë talibanët. Për mua, talibanët nuk kanë asnjë ndyshim nga muhaxhedinët, vetëm emri ndryshon.
Dikur mjaftonte të kishe ide të mira dhe mund t’i shisje. Sot, edhe sikur të kesh ide të mira, shumica e revistave print kanë falimentuar ose nuk kanë para, që të të paguajnë. Dhjetë vite të shkuara, ishte shumë më e lehtë për mua të shisja punën time nga lagjet geto të Parisit. Në ditët e sotme, videoja dhe fotografia dixhitale ka zëvendësuar fotografinë. Është kaq e vështirë për një fotograf, të mbijetojë si i tillë.
Vazhdoj të punoj si fotograf e fotoreporter çdo ditë, sepse nuk mund të dorëzohem. Misioni im është të tregoj realitetin, qoftë i mirë apo i keq, ndryshimin mes së djeshmes e së sotmes. Shumica e njerëzve, nuk duan të përballen me realitetin e fotografive nga lagjjet e varfra të Parisit. Askush nuk dëshiron, që të flasësh për situatën e këtyre njerëzve, sepse kushtet në të cilat jetojnë, janë përtej çdo përfytyrimi. Të majtët, shmangen të flasin, sepse kanë ndjenja të përziera faji e turpi ndaj kësaj kategorie të popullsisë, ndërsa të djathtët e përdorin këtë realitet të trishtë për përfitimet e tyre elektorale.
Herë pas here, vazhdoj të punoj mbi komunitetin hebre të Parisit, të cilit i përkas. Është më e lehtë për mua të punoj me ta, sepse më njohin si pjesëtar të tyre, pra je edhe ti pjesë e këtij rrëfimi.
Nuk do desha të shquhesha si fotograf hebre, sepse jam formësuar nga shumë faktorë, të qenit hebre ështe vetëm një ndër to. Ndihem parizian, por edhe gjithçka tjetër, që më përcakton. Jam si një ngrehinë, që po i hoqe një gur, do të shembet, sepse ti përbëhesh nga gjithë këta gurë
*Michel Setboun është francez me origjinë hebreje, i lindur në Algjeri me 27 gusht 1952. Ai ka punuar për revista te njohura ndërkombëtare, si: Geo, Figaro Magazine, New York Times, Life, Paris Match, Stern. Setboun e nisi karrierën si arkitekt dhe e vazhdoi më pas si fotograf. Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si revolucionin në Iran, luftën për pavarësi në Angola, Afganistan, luftën Iran-Irak dhe me vonë luftën civile në Liban. Ai është plagosur në El Salvador gjatë luftës civile. Nga viti 1983 deri më 1985, ai punoi për agjencinë e Black Star France në Indi, Afganistan dhe Suedi. Ndersa nga periudha kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërinë, Mongolinë dhe Rio de Zhaneiron për agjencinë RAPHO. Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar në më shumë se 130 vende të botës. Në 1984 Michel Setbun fitoi çmimin e parë World Press Photo për reportazhin e tij ne lidhje dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë fotografikë dhe arkivi i tij fotografik përmban mbi 200 galeri fotografike me qindra nëngaleri mbi Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antarktidën, Argjentinën, Beninin, Brazilin, Kanadanë, Kepin e Gjelbërt, Kilin, Kinën, Kubën, Egjiptin, Etiopinë, Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Guatemalën, Guajanën, Hong Kongun, Indinë, Indonezinë, Irakun, Iranin, Izraelin, Italinë, Kenian, Korenë, Mauritaninë, Makaon, Meksikën, Monakon, Mongolinë, Marokun, Hollandën, Norvegjinë, Pakistanin, Poloninë, Portugalinë, Katarin, Rumaninë, Rusinë, Salvadorin, Suedinë, Zvicrën, Tajlandën, Tunizinë, Turqinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uzbekistanin, Jemenin, etj. Setbun, ka qenë ndër të paktët fotoreporterë, që kanë fotografuar fillimin e Revolucionit Iranian (1978 – 1979) dhe rënien e regjimit të mëparshëm.
Shënim: Më shumë rreth aktivitetit të Setboun mund të lexoni Këtu
Add new comment