Meta ndan rrugët me Berishën
U krijua për t'i mundësuar Sali Berishës dhe mbështetësve të tij regjistrimin ne zgjedhjet lokale të 14 mjait, por tashmë koalicioni “Bashkë Fitojmë” mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur. Nuk dihet nëse rrugët e Metës dhe Berishës ndahen përfundimisht, por ajo që ka krisur raportet mes tyre është afrimi i Sali Berishës me grupin e deputetëve të Gazmend Bardhit.
Ish-Presidenti Meta zbulon për MCN se është i gatshëm që ta çojë para projektin e partisë së tij edhe i vetëm, megjithëse u kujdes të shtonte se është i hapur për bashkëpunime, vetëm me Partinë Demokratike të Kuvendit të 11 dhjetorit, ku nuk përfshihet Bardhi.
Koalicioni bëri përpjekjet e tij më të mira për kohën dhe rrethanat anormale dhe të sforcuar në të cilat u krijua. Përsa i takon të ardhmes, Partia e lirisë është e hapur për bashkëpunim me PD të 11 dhjetorit, me çdo forcë tjetër politike. Vlerson çdo ristrukturim të forcave të tjera që ndihmon për të rritur efikasitetin opozitar. Sa i takon koalicionit për të ardhmen, jemi ende në kohë për të marrë vendimet e duhura dhe është detyra jonë që në çdo rast të përgatitemi sikur do të hyjmë vetëm.
Për ne themelore është çkapja e shtetit dhe rivendosja e demokracisë dhe kjo mund të ndodhë vetëm përmes fuqizimit të opozitës.
Meta ripërsërit gabimet e opozitës që sipas tij e kthyen atë për një kohë të gjatë në një zgjatim të maxhorancës.
Problemi i parë i opozitës është se ajo ka qenë për një kohë të gjatë nën drejtimin e Edi Ramës. Të gjitha vendimet që janë marrë në të kaluarën, siç duket qartë dhe unë i kam paralajmëruar për koherencë, kanë qenë në funksion të Edi Ramës, që nga djegia e mandateve, që nga bojkoti i reformës administrative, djegia e mandateve që i dha kartonat Ramës për dy vjet për të miratuar ligjet.
Sa i përket letërporosisë që SPAK ka nisur për të dhe familjarët e tij drejt SHBA-ve, Meta e quan një orkestrim të personave që fshihen pas kryeministrit Rama.
Meta mohoi që të ketë mbrojtur zv.kryeministrin Ahmetaj për aferën e inceneratorëve, megjithëse theksoi se e gjithë skema është ndërtuar në mënyrë hierarike dhe se përgjegjës kryesor janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Add new comment