Nobeli i Letërsisë shkon në Norvegji

Postuar në 05 Tetor, 2023 18:02

Jon Fosse është fituesi i Nobelit të Letërsisë për vitin 2023. Autori norvegjez është vlerësuar për "dramaturgjinë dhe prozën e tij novatore që i japin zë asaj që nuk thuhet".

"Vepra e tij e madhe, e shkruar në Nynorsk-in norvegjez, shtrihet në një sërë zhanresh dhe përbëhet nga një mori dramash, romanesh, përmbledhjesh poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime", thuhet në motivimin e Akademisë Suedeze.

Ndërsa sot Fosse është një nga dramaturgët më të interpretuar në botë, ai është bërë gjithnjë e më i njohur edhe për prozën e tij.

Fituesi i ri i çmimit Nobel është ndër zërat më domethënës të dramaturgjisë bashkëkohore, aq sa ka fituar edhe pseudonimin “Samuel Beckett i shekullit XXI”. Ai është edhe autor i veprave në prozë, poezi dhe letërsi artistike.

Fituesi: Jam i prekur dhe mirënjohës

Lajmin për çmimin, Fosse e mori teksa po udhëtonte me makinë pranë Bergenit, në bregun perëndimor të Norvegjisë.

Për dhjetë vitet e fundit  jam përgatitur pak a shumë për faktin se kjo mund të ndodhte. Por më besoni, nuk e prisja ta merrja çmimin sot, edhe e dija që kisha një shans.

Biografia

Fosse lindi më 29 shtator 1959 në Haugesund, një fshat i vogël në bregun perëndimor të Norvegjisë. Ai u rrit në Strandebarm, në fjordin spektakolar Hardanger. U diplomua në Universitetin e Bergenit për letërsi krahasuese dhe që atëherë ka filluar t'i përkushtohet me kohë të plotë shkrimit, duke dhënë mësim për një kohë të gjatë në Akademinë e Shkrimit Hordaland. Sot ai jeton në rezidencën e Grotten-it, në Oslo, e cila i është dhënë nga Mbreti i Norvegjisë për meritat e tij në letërsi, që e bënë të famshëm ndërkombëtarisht.

Nobeli i Letërsisë

Në vitin 2022, shkrimtarja franceze Annie Ernaux mori çmimin, duke e çuar numrin e femrave që nderohen për kontributin e tyre në letërsi në 17. Si çdo vit, në ditët para shpalljes së çmimit qarkulloi lista Nobel. Ndër emrat që qarkulluan ishin shkrimtari ukrainas Andrej Kurkov, autori japonez Haruki Murakami, shkrimtarja dhe skenaristja ruse Lyudmila Ulitskaya dhe shkrimtari kinez Can Xue, pseudonimi i Deng Xiaohua, shkrimtari amerikan Thomas Pynchon, hungarez László Krasznahorkai dhe australian Gerald Murnane.

Këtyre u shtohen edhe të përhershmit në listën e pritjes: Salman Rushdie, Mircea Cartarescu, Margaret Atwood, Michel Houellebecq, Emmanuel Carrere, Claudio Magris. Mes tyre edhe vetë Fosse.

Corriere della Sera - Përgatiti: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.