Nën morsën e fondamentalizmit dhe pa një objektiv kombëtar

Postuar në 26 Shtator, 2023 16:50
Intervistoi: Skerdilajd Zaimi

 

 Amerika sot udhëheq ende botën. Jo si më parë, por ndoshta udhëheqja e saj sot ka më shumë rëndësi sesa dje. Sepse sot Amerika e udhëheq botën më shumë me krizën e saj që ka në themel mosbesimin ndaj sistemit të kaq  shumë lëvduar dhe mbrojtur deri me një lloj imperializmi që ka njohur edhe aspekte ushtarake.

Për Ernest Naston, studiues dhe njohës shumë i mirë i debatit publik në SHBA, ajo që po ndodh aktualisht është fakti se polarizimi i skajshëm ka marrë tiparet e një dogmatizmi që po vret çdo mundësi konsensusi dhe bashkëjetese. Kësaj i shtohet edhe problemi sistemik i pabarazisë që sa vjen e rëndon zgjidhjet e mundshme. Por e reja e kësaj krize është se zëdhënësit e “ndryshimit” – një kërkesë universale në botën e sotme – nuk mësojnë nga Historia siç thuhet shpesh, por aty edhe kërkojnë problemin. Apo shkakun. Duke parashtruar kështu nevojën e një rishikimi radikal të marrëdhënies së brendshme dhe duke ecur me një variant amerikan të Njeriut të Ri. Është padyshim një lëkundje sizmike me rëndësi madhore, të paktën për botën perëndimore, efektet e së cilës ende nuk po ndihen tamam.

Z. Nasto dua ta nis me një pyetje që mund të shërbejë për ta rrokur më mirë situatën që po fermentohet në ShBA: me çfarë ngjan, apo çfarë të kujton nga historia Amerika e sotme? Sepse me 6 janarin dhe relativizimin e tij në dritën e zhvillimeve që pasuan (dy presidentë nën akuzë për korrupsion) si dhe radikalizimin e gjuhës deri në mosbesim tërësor ndaj autoritetit dhe sistemit, ShBA të kujton disi Rusinë e vitit 1905…

 Ernest Nasto

Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara ndodhen në një moment historik ndryshimesh të vrullshme, që në shumë aspekte mund të cilësohet edhe si krizë. Mirëpo s'jam i mendimit se mund të krahasohet me Rusinë e para revolucionit të parë të vitit 1905, për shkak së bëhet fjalë për shoqëri mjaft të ndryshme për nga kultura, tradita historike apo organizimi politik. Kuptohet që elementë pak a shumë të njejtë, si p.sh. pakënaqësia masive, mund të gjenden në çdo situatë krize apo përmbysjesh politike në vende të ndryshme, mirëpo ato janë me kuptimplotë sa më të ngjashme mes tyre të jenë shoqëritë në fjalë. Prandaj edhe krahasimet më të sakta janë ato me situata të kaluara historike brenda të njejtit vend ose në vende të ngjashme.

Për këtë arsye do preferoja ta krahasoja situatën e tanishme me periudha të mëparshme krize të vetë Amerikës ndër të cilat mund të veçoj atë të viteve 1929 deri 1940. Ajo ishte kriza e tretë madhore e gjithëpërfshirëse pas periudhës së revolucionit dhe shkëputjes nga perandoria britanike (1775 - 1783) dhe asaj të Luftës Civile (1860 - 1865), po të lemë mënjanë krizën politike të shkaktuar nga zgjedhjet e vitit 1876.

Në atë kohë spikati fuqishëm personaliteti i Franklin Roosevelt që mishëronte cilësitë e nevojshme të një udhëheqësi efektiv të zgjedhur në mënyrë demokratike. Ai mori detyrën e presidentit më 1933, në mes të krizës së shkaktuar nga Depresioni i Madh, duke kuptuar rëndësinë e përfshirjes së tërë kombit në një objektiv madhor të përcaktuar qartë. Dhe objektivi ishte rimëkëmbja ekonomike për të cilën amerikanët ishin të gjithë dakord, ndonëse kishin ide nga më të ndryshmet rreth mënyrës se si ta arrinin. Në vitet e para të mandatit të tij Roosevelt u përqendrua në rritjen e punësimit me anën e një ndërhyrjeje masive të shtetit në ekonomi, sidomos në infrastrukturë, në sigurimin e të drejtave të sindikatave (unions), dhe në miratimin e ligjit për sigurimet shoqërore. Më vonë, pas zgjedhjes së tij për një mandat të tretë më 1940 objektivi u zhvendos drejt përgatitjeve për luftën e re botërore në horizont.

Në të gjitha këto fusha suksesi ishte i tillë saqë në kohën e vdekjes së tij në vitin 1945, Shtetet e Bashkuara ishin në prag të fitores së luftës në të dy frontet, dhe uniteti brenda vendit ishte më i shëndoshë se kurrë. Objektivat që permenda dhe frymëzimi nga politikat e FDR brenda dhe jashtë vendit arritën të mbajnë amerikanët të bashkuar edhe për njëzet vjet të tjerë, dhe pjestarët e të gjitha racave u mbështetën mbi po ato parime në lëvizjen për të drejtat civile.

Ky konsensus i gjerë i mbizotëroi diferencat partiake dhe polemikat tepër të ashpra rreth luftën së Vietnamit, siç dëshmohet nga suksesi i presidencave republikane të Eisenhower dhe të mandatit të parë të Nixon, duke gjetur pastaj një ripërtëritje masive në vitet e Reagan 1980 - 1988.

U zgjata këtu për të vënë në dukje ndryshimin me ditët e sotme kur po bie në sy mungesa e një objektivi kombëtar të përbashkët, dhe mospajtimi i theksuar edhe për dukuri për të cilat amerikanët duhej të kishin mundur të merreshin vesh. Ndër shfaqjet therëse të mospajtimit do veçoja pikërisht relativizimin e ngjarjeve e dukurive aq të rënda sa fushata e dhunës dhe e shkatërrimeve pas vrasjes së George Floyd në maj 2020, sulmi mbi Kapitolin më 6 janar 2021, akuzat e ndryshme federale e në rang shteti ndaj ish-presidentit Trump, të dhënat e shumta për korrupsion të mundshëm të presidentit Biden e të familjes së tij, imigracioni i paligjshëm dhe humbja e kontrollit mbi kufirin jugor, nënvlerësimi pothuaj i hapur i rolit dhe autoritetit të prindërve në edukimin seksual e gjinor të fëmijëve të mitur, e të tjera si këto. Me këtë dua të them që çështjet e mësipërme, për të cilat gjykimi i publikut do të kish qenë pak a shumë i njejtë në çdo kohë tjetër, janë kthyer sot në flamurë përleshjesh prej të dy anëve të spektrit politik. Pikërisht për këto arsye është e nevojshme që klasa politike amerikane të nxjerrë liderë të rinj që të jenë të aftë të farkëtojnë objektiva e vizione ambicioze në rang kombëtar duke u ngritur mbi ndasitë partiake, mbi bazën e përvojave më të mira të së kaluarës.

A mund të themi se jemi në prag të një distopie amerikane? Këtu dua të sjell në vëmendje edhe trajtimin tuaj për një këngë-vajtim e cila po përqafohet prej republikanëve, “Rich men North of Richmond”, dhe e cila duket sikur pajton dy “dekore” të kundërta në një platé të vetme...

Nuk do shkoja deri aty sa ta quaja prag distopie, por e vërteta është se po shohim një mosfunksionim të theksuar të sistemit, që do ta përkufizoja më tepër si krizë identitare, e cila nëse s'trajtohet me masa serioze mund të çojë vërtet në distopi.

Për këtë mosfunksionim bënte fjalë edhe kënga që ju përmendët, e që u bë popullore si të thuash "brenda natës" sepse shprehte shqetësimet e punëtorëve amerikanë, kryesisht të të bardhëve të zonave rurale. Kjo është ajo që quhet ndryshe "Amerika e thellë" apo "Amerika e vërtetë", për ta dalluar nga dy brigjet dhe nga qytetet e mëdha të cilat shquhen për karakterin e tyre shumë më të diversifikuar, kozmopolitan, dhe për pikëpamje përgjithësisht progresive. Popullariteti i menjëhershëm i këngës bëri që ajo të shënojë edhe një arritje tjetër: ajo ishte lejtmotivi në hapje të debatit fillestar të fushatës primare të partisë republikane për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Ishte ndoshta hera e parë në krejt historinë politike perëndimore që debati brenda një partie të djathtë u hap me një këngë rreth halleve të punëtorëve. Kuptohet që s'është vendi këtu për t'u ndalur në detaje tek mesazhi i këngës, por me pak fjalë, ajo shprehte atë që për një pjesë të madhe të popullsisë amerikane zbatimi i ligjeve dhe i rregullave të lojës në përgjithësi, s'është më i mjaftueshëm për të bërë përpara. Dhe kjo në vetvete dëshmon për një ngecje të kontratës sociale amerikane (1).

Ndërkaq pajtimi i dy dekoreve të kundërta qendronte në atë që autori fajësonte njëlloj elitat e të dy partive për gjendjen aktuale, dhe kjo është një e vërtetë e madhe, pavarësisht se secila përpiqet t'ja hedhë fajin vetëm palës tjetër. Dihet se në situata të tilla krizash, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në vende të tjera, është tepër e vështirë që tërë fajin ta ketë njera palë dhe kjo po vihet re edhe në rastin konkret. Kështu republikanët, dhe në përgjithësi krahu konservator, me idealizimin e tregut të lirë, kanë refuzuar deri tashti çdo masë që synon të zbusë sadopak pabarazinë ekonomike. Nga ana tjetër demokratët, dhe në përgjithësi krahu progresiv, e kanë kaluar prej kohësh prapa liste mbrojtjen e interesave të punëtorëve duke u përqendruar tek shtresat e menaxherëve, të teknikëve, të profesioneve të lira, etj, dhe duke adoptuar njëkohësisht edhe të ashtuquajturat "politika identitare" në favor të kategorive të tjera "të paprivilegjuara" me bazë race, seksi, orientimi seksual apo përkatësie gjinore. Të gjitha këto bënë që punëtorët e bardhë të ndjehen të braktisur të pambrojtur, gjë që u shpreh qartë në votën e tyre të revoltës për kandidatët populistë më 2016 (Trump dhe Sanders) e më 2020 (Trump).

Si vend që historinë e vet e ka divulguar me kinemanë, cili film i Hollywood e përafron më mirë këtë vlim social?(Ta zëmë Simpsons sillen shpesh si shembull parashikimesh të trishta që na kujtojnë se Amerika sot po përjeton atë që dje konsiderohej e pamundur)

Keni të drejtë, sepse kultura amerikane, pra edhe mënyra e të menduarit për historinë e tyre, është e lidhur fort me Hollywod-in. Dhe s'kanë munguar këtu as filmat me parashikime të sakta të aspekteve të veçanta të zhvillimeve teknologjike që s'mund të mendoheshin në kohën e realizimit të filmit, ku padyshim bëjnë pjesë edhe plot episode të serialit The Simpsons. Ndërkaq Minority Report parashikoi më 2002 algoritmet e reklamave të personalizuara për çdo konsumator, pra një shoqëri konsumi të çuar në ekstrem, që është për fat të keq një nga realitetet e trishta të botës së sotme. Pak vite më vonë, më 2006, filmi Idiocracy u ofroi spektatorëve në mënyrë më komplekse dhe shqetësuese një sërë tiparesh që duket se po realizohen para syve tanë si anti-intelekualizmi, pra përbuzja e mendimit të ekspertëve, qeverisja nga mediokrit apo të paaftët për shkak të uljes drastike të lindjeve, konsumerizmi i shfrenuar, sundimi i korporatave gjigande etj.

Ju keni shkruar një kritikë asgjësuese për lëvizjen woke, gjuhën e saj fondamentaliste mbi kulturën në përgjithësi dhe pretendimin për të neutralizuar terminologjinë që përkufizon një ethos universal të shoqërisë njerëzore siç është dualiteti gjinor, por ndoshta edhe hierarkia gjinore. A mendoni se e gjitha kjo është një përpjekje për të kuruar mëkatin origjinal dhe jo vetëm pasojat?

Pyetja është me vend dhe mendoj se fjalët kyç janë pikërisht cilësimi "fondamentaliste" që ju përdorët, si edhe "mëkati origjinal", sepse lëvizja woke po ngjason gjithmonë e më tepër si kult fetar, jo si lëvizje politike si gjithë të tjerat. Zakonisht këto të fundit nisen nga një qëllim ku duan të arrijnë dhe hartojnë një program logjik e koherent për ta arritur. Pra edhe një kundërshtar i lëvizjes në fjalë e kupton arsyetimin, pavarësisht se mund të mos jetë dakord me të. Mirëpo kjo nuk ndodh aspak me lëvizjen e sotme woke, e cila niset nga disa dogma bazë që s'mund të kundërshtohen kurrsesi dhe u kërkon pasuesve të besojnë gjëra nga më kontradiktoret ku s'mund të arrihet me arsyetim logjik.

Mëkati origjinal sipas kësaj lëvizjeje religjioze laike është ky: Shtetet e Bashkuara dhe krejt Perëndimi janë shoqëri në thelb raciste dhe shtypëse ndaj pakicave, qofshin këto racore, seksuale, gjinore apo çfarëdo tjetër. Ushtrues të kësaj shtypjeje janë sipas rastit të bardhët, meshkujt, heteroseksualët apo personat jotransgjinorë, por raca e bardhë mbetet gjithmonë kryemëkatarja. Ndërsa për kontradiktat mund t'ju jap disa shembuj.

Kështu, nga njëra anë ajo u kërkon pasuesve të besojnë se janë kundër racizmit, por nga ana tjetër shpall se identiteti dhe gjithçka tjetër që mund të arrish në shoqëri përcaktohet vetëm nga ngjyra e lëkurës dhe jo nga gjendja ekonomike, nga niveli arsimor apo nga kushtet ku je rritur. E po ashtu ajo pretendon se respekton parimet e Martin Luther King, drejtuesit famëmadh të lëvizjes së të drejtave civile, për të cilin vetëm karakteri i njeriut duhej të ishte përcaktues, dhe jo ngjyra e lëkurës.

Nga njëra anë lëvizja thotë se preferenca seksuale, d.m.th. seksi i partnerit të ardhshëm, lind bashkë me njeriun, pra është natyrore, dhe kjo ishte baza e fushatës së viteve '80 - '90 për të drejtat e homoseksualëve. Por nga ana tjetër e njejta lëvizje shpall sot me të madhe se vetë seksi yt biologjik s'ka asnjë rëndësi dhe ashtu gjinia, pra ajo çfarë ti ndjehesh brenda vetes, është e ndryshueshme lirisht gjatë tërë jetës, pa lidhje me biologjinë dhe natyroren. 

Ose lidhur me klimën deklarohet se emetimi i CO2 nga konsumi i burimeve të paripërtëritshme si nafta e gazi natyror duhen kufizuar me çdo mënyrë në vendet perëndimore, mirëpo nga ana tjetër s'ka asnjë problem me transferimin e këtij konsumi në Kinë apo Indi, ku i njëjti konsum shkakton ndotje shumë herë më të madhe se në Perëndim. Dhe gjithashtu e njejta lëvizje është kundër prodhimit të energjisë bërthamore, formës më të pastër të njohur deri më sot.

Të gjitha këto kundërshti s'mund të arrihen me anë të arsyetimit logjik, prandaj mund të besohen vetëm si dogma të një kulti religjioz, paçka se laik. Dhe mënyra e larjes së mëkatit origjinal është vetëm pendesa e thellë: pendesa që ke lindur i bardhë, që ke lindur mashkull heteroseksual, që je skeptik ndaj recetave të rekomanduara për problemin e klimës etj. S'ka vend për argumentim logjik, por vetëm për pranim faji e për pendesë, prandaj them që është një lëvizje religjioze.

Cili është objektivi kryesor ideologjik i kësaj lëvizjeje sipas jush? A mendoni se, përtej të vërtetave që shtron, ajo synon eliminimin e bazave fetare kristiane të ShBA, vend të cilin ju e keni karakterizuar se historikisht u krijua si “Një komb nën Zotin”?

Ajo synon padyshim t'u kundërvihet idealeve amerikane të Deklaratës së Pavarësisë e të Kushtetutës së SHBA. E po ashtu, më gjerë, idealeve të tërë sistemit të demokracisë perëndimore që dihet se bazohet mbi parimet kristiane. Kjo sepse wokizmi s'ka të bëjë vetëm me barazinë e të drejtave racore, me diversitetin dhe me përfshirjen e të gjitha grupeve të popullsisë në proceset e drejtimit e të vendimmarrjes. Pra nuk synohet vetëm nxjerrja në pah e anëve negative të sistemit, të cilat vërtet ekzistojnë dhe janë të shumta, me qëllim që ato të ndreqen. Problemi është se lëvizja shkon shumë më tej dhe e redukton sistemin vetëm në të këqijat e tij, duke parë edhe të kaluarën edhe të tashmen përmes thjerrëzave të shtypësit dhe të të shtypurit. Prej ku edhe dëshira për ta ndryshuar plotësisht peizazhin social e politik të Amerikës dhe të vendeve të tjera perëndimore. 

Ajo është kësisoj një botëkuptim gjithëpërfshirës, me bazat filozofike të frymëzuara në një masë të madhe nga ideologjia marksiste, sidomos nga marksizmi kulturor, siç e kanë pranuar vetë drejtueset e organizatës Black Lives Matter, një nga përbërëset më të rëndësishme të krejt lëvizjes woke. BLM nuk synonte thjesht të denonconte dhunën policore ndaj zezakëve, por edhe të prishte atë që ata e përshkruajnë si "struktura e familjes bërthamore që mbizotëron në Perëndim" dhe të nxiste "çlirimin e vetvetes nga të menduarit heteronormativ" pra ku norma është tërheqja mashkull-femër. Këtu duhen shtuar padyshim edhe prirjet për seksualizimin masiv të çdo marrëdhënieje (një objektiv i hershëm i ideologjive majtiste), për të hedhur poshtë familjen me dy prindër të sekseve të ndryshme si model ideal për shoqërinë, si edhe për të trajtuar çdo orientim seksual si natyror e moralisht të barabartë. Po del gjithashtu gjithmonë e më tepër në pah aspekti transgjinor i lëvizjes dhe po flitet tashti edhe për një "marksizëm transgjinor" në zhvillim të vrullshëm.

Një karakteristikë tjetër e wokizmit është mospajtimi me nocionin e një rendi moral e shoqëror të natyrshëm, pra objektiv.

Të gjitha institucionet shoqërore konsiderohen si konstruksione: martesa, familja, mënyra si i perceptojmë e gjykojmë rreth tyre, madje edhe identitetet tona personale. Ato konstruksione mund t'i kenë shërbyer një qëllimi në të kaluarën, por s'ofrojnë më sot vlera të natyrshme, pra të pandryshueshme. Në një aspekt më të gjerë s'egzistojnë më sot të vërteta e vlera themelore, çdo e vërtetë është relative e mund të ndryshohet sipas nevojave.

Të gjitha këto përputhen me qëllimin e ndryshimit të krejt sistemit të sotëm në funksion të zhdukjes gjoja të shtypjes, shfrytëzimit e pabarazisë. Kjo synohet të arrihet nëpërmjet nxitjes së pakënaqësisë e zemërimit jo vetëm të atyre që konsiderohen të shtypur e të paprivilegjuar, por edhe të të tjerëve që mund të revoltohen nga tabloja e paraqitur dhe ashtu t'i bashkohen lëvizjes.(2)

A është ky një refleks i një procesi evolutiv, pra reaksion, apo një axhendë e një elite të re që kërkon zhbërjen e të themi asaj që dikur quhej superstruktura? Çfarë pasojash do të kishte kjo për idenë e Perëndimit si të tillë?

Kjo është kryesisht rrjedhojë e një sërë idesh të përpunuara në mendimin perëndimor prej shekullit XIX nga disa filozofë si Marksi, Nietzsche, Sartre, Foucault, etj. Arsyet e daljes së tyre janë temë tjetër, por do të thosha se largimi gradual nga koncepti i së vërtetës absolute, ajo që Nietzche e quajti "vrasja e Zotit" solli më në fund situatën e sotme ku të gjitha të vertetat, siç e përmenda, janë njëlloj të barabarta, dhe ku ajo çfarë ndjej unë bëhet arbitri suprem i çdo situate. Arrijmë kështu në situata të tilla absurde ku të gjitha të vërtetat pranohen, me përjashtim të asaj që thotë se e vërteta absolute vjen nga Zoti, duke pasur parasysh këtu veçanërisht Zotin e Biblës.

Ndërkaq roli i elitave është i pamohueshëm sepse janë pikërisht ato që i mbajne në këmbë këto ideologji e lëvizje, janë ato që me hipokrizinë e tyre përhapin ide shkatërrimtare, nga pasojat e të cilave ato vetë s'preken kurrë. E them këtë sepse askush nga politikanët që bëjnë thirrje p.sh. për shkurtimin e fondeve për policinë nuk sheh vetë asnjë pasojë, sepse angazhon shërbimet e policive private. Apo askush nga elitat e Hollywood-it që dalin gjoja në mbrojtje të imigrantëve s'ofron shtëpinë e tij për t'i strehuar. Dhe kampionët e çështjes së ngrohjes globale, si John Kerry, propozojnë lloj-lloj kufizimesh mbi konsumatorët e thjeshtë dhe rezervojnë kritika therëse për ata që s'pajtohen sadopak me qasjen e tyre, por s'guxojnë të pipëtijnë për konsumin e shfrenuar të pronarëve të jahteve qindramilionëshe, pjestarë të së njejtës elitë.

Zbatimi i kësaj axhende do të sillte fundin e sistemit perëndimor, sepse vihen në shënjestër burimet themelore të superioritetit të tij si meritokracia, liria e fjalës dhe ajo e konkurrencës. Ndërkaq hipokrizia që përmenda dhe thellimi i hendekut ndërmjet elitave e masës vetëm sa e përshpejtojnë procesin, megjithatë mendoj se egziston ende mundësia për ripërtëritje të vlerave klasike, për rikthim tek realiteti dhe tek logjika e shëndoshë.

A mund të akomodojë sistemi amerikan kërkesat e woke pa u denatyralizuar, siç u veprua me kërkesat e lëvizjes progresiste të fillim-shekullit 20?

Këtu hyn pikërisht problemi i lirisë së fjalës, sepse veprimtarët e epokës progresive (1896 - 1916) vërtet kishin ide të ndryshme, por ama kishin edhe qëllime të përbashkëta që lejonin krijimin dhe ndryshimin e koalicioneve sipas rastit, pa ja mohuar njeri-tjetrit kredencialet progresive. Ndërsa sot, karakteri fondamentalist i lëvizjes bën që çdo mendim sadopak kritik ndaj një aspekti të konsiderohet sakaq armiqësor dhe të çojë në damkosjen me epitete si "racist", "homofob" etj. Prandaj përgjigja e shkurtër e pyetjes është që jo, s'mund të akomodohen ato kërkesa pa denatyralizuar krejt sistemin.

Do të shtoja ndërkaq se çështja ndërlikohet jo pak nga fakti se të njejtën mungesë logjike e vemë re edhe tek e djathta, të paktën këtu në Amerikë, ku sot guri themeltar i të qenurit "republikan i mirë" është bërë besnikëria ndaj ish-presidentit Trump dhe lëvizjes MAGA, ku ai s'mund të kritikohet e të mbahet përgjegjës për absolutisht asgjë, dhe ku faji për gjithshka që i ndodh atij është, kurdohere dhe ne menyre absolute, i të tjerëve.

E thëne ndryshe, fondamentalizmi s'eshtë më sot tipar i vetëm njerit krah. Kulti ideologjik tek e majta shoqërohet me kultin e individit tek e djathta, gjë që i zhvlerëson detyrimisht kritikat që ato mund t'i bëjnë njeratjetrës. Prandaj është e domosdoshme një qendër e fortë me elementet më të moderuar të të dy krahëve për të siguruar ripërtëritjen që kërkohet.(3)

Zhvillimet e mëdha teknologjike dhe ekonomike sjellin progres por edhe pabarazi të mëdha. Italia e “Miracolo” është një shembull i mirë përveç ShBA. Pyetja që kam është se kush autoritet do ta adresojë këtë pabarazi, pasi shteti s'ka më atë rol që ka patur në shekullin e 20-të? Dhe me cilat mjete, pasi pabarazia është tema kryesore e ekonomistëve që nga kriza e 2008 së paku?

Për mendimin tim pabarazia është vërtet një faktor themelor që minon qëndrueshmërinë e sistemit, mirëpo gjetja e një zgjidhjeje në rastin e Shteteve të Bashkuara komplikohet së tepërmi nga humbja e përgjithshme e besimit tek klasa politike. Problemi me pabarazinë qendron kryesisht në atë që sa më e thellë të jetë ajo, aq më tepër krijon përshtypjen se ka në themel padrejtësinë e korrupsionin. Ndërkaq menaxhimi i vajtueshëm i krizës së 2008 i bindi amerikanët e thjeshtë se sistemi s'punon për ta, dhe do të thosha se komentet arrogante të disa politikanëve, si ato të Hillary Clinton për "të përbuzëshmit" (deplorables) e konfirmuan shkëputjen e plotë të elitave nga shqetësimet e masës së zgjedhësve. Këta të fundit detyrimisht do ta shprehin revoltën e tyre kur u drejtohen kutive të votimit siç bënë më 2016 me zgjedhjen e një lideri narcisist si Trump, që ofroi jo vetëm hakmarrje ndaj sistemit, por edhe gatishmëri për ta shembur krejt. Kjo u pasua më vonë me mosrespektimin prej liderit në fjalë të verdiktit popullor të zgjedhjeve më 2020, me ndërprerjen e traditës më se 150 vjeçare të kalimit paqësor të pushtetit me ngjarjet e 6 janarit 2021, me të gjitha pasojat përkatëse në peizazhin politik amerikan dhe në imazhin e Shteteve të Bashkuara në botë. Prej atëherë mospajtimet e grindjet vetëm sa janë përkeqësuar dhe asnjera palë s'është në gjendje të ofrojë propozime të pranueshme për palën tjetër.

Dua të them pra se pa arritur njëfarë rivendosjeje të besimit tek klasa politike dhe tek elitat në përgjithësi është te vështirë të ndërmerren masa konkrete për zbutjen e pabarazisë si problem ekonomik kryesor. Vetëm një besim i tillë do të bënte të mundur që organet e zgjedhura në nivel shtetesh e në atë federal, të kalonin ligje për rishpërndarje të kujdesshme të të ardhurave në favor të shtresave të ulta duke caktuar objektiva konkretë. Unë i qendroj mendimit se roli i organizmave qeveritare në Amerikë është ende i fuqishëm, pavarësisht se ka rënë disi krahasuar me rolin e korporatave.

Sa për atë se kush duhet ta drejtojë një proces të tillë mendoj se, pavarësisht se mund të tingëllojë si kontradiktore me çka thashë më lart, barra u bie po këtyre elitave, sepse janë ato që zotërojnë të gjitha mjetet e nevojshme. Kjo mund të ndodhë veç nëse ato heqin dorë nga hipokrizia dhe u tregojnë zgjedhësve se janë angazhuar me gjithë mend në zgjidhjen e problemeve, sepse në fund të fundit edhe suksesi i tyre varet padyshim nga paqja sociale ne vend. Për këtë elitat duhet të ndihen nën rezistencë e presion të madh nga poshtë, që t'u tregojë se s'mund të vazhdohet më në këtë mënyrë, dhe pikërisht këtu futet roli i madh i votës së lirë të çdo amerikani dhe sidomos ndërgjegjësimi për të lenë mënjanë indiferencën e për të marrë pjesë në zgjedhje.

Si vepron në këtë ankth të përgjithshëm prezantimi i Inteligjencës Artificale (IA) si aktor i ri thelbësor në tregun e punës dhe a mendoni se SHBA po përjeton një paradoks për sa i përket përkufizimit të rreziqeve sistemike për demokracinë: dikur presidenti Ajzenhauer inauguroi konceptin e kompleksit ushtarak-industrial si rrezik, ndërkohë që sot është Silicon Valley dhe njeriu me tablet ai që ka ceduar vullnetin e vet për të qenë qytetari duke pranuar të jetë vetëm konsumatori?

Shoqëria e konsumit i ka sigurisht këto rreziqe dhe këtu futet edhe rreziku i shtuar nga IA. Nuk jam ekspert i fushës, por di që një numër i madh syresh kanë paralajmëruar për rreziqet në fjalë dhe kanë rekomanduar masa urgjente për mbajtjen e saj nën kontroll para se të jetë tepër vonë. Mbetet për t'u parë nëse kjo është e mundur të realizohet, si edhe me çfarë mënyre, por për mua kërcënimi kryesor qendron tek ajo që thatë për mbizotërimin e konsumatorit ndaj qytetarit.

Në këtë kuadër më duken të kota, krejt donkishoteske, përpjekjet e mëdha të disa segmenteve konservatore që rrahin t'u tregojnë amerikanëve tmerret e socializmit të tipit stalinist me shembuj rrënqethës nga ish-BRSS, Koreja e Veriut, Kuba, etj. Them donkishoteske sepse rreziku i madh sot s'është aspak vendosja në SHBA e në vende të tjera perëndimore e një sistemi të tipit stalinist.

Rreziku vjen nga shkarja e pandalshme drejt një shoqërie konsumerizmi të skajshëm, me Big Brother, Kim Kardashian, Harry & Meghan etj, pra ku jetohet veç për konsum, seks e zbavitje, pa asnjë lloj objektivi të përmirësimit të vetvetes e të botës rreth teje, siç shihet fatkeqësisht nga mjaft aspekte të jetës së brezit të ri. Me fjalë të tjera mendoj se bota e sotme rrezikohet shumë më tepër nga një model i "Brave New World" të Aldous Huxley-t se sa nga një model i 1984 të George Orwell

================

(1) https://peizazhe.com/2023/09/02/kontrata-sociale-amerikane-nje-debat-dhe...

(2) kjo shihet në protestat e ndryshme, sidomos prej 2020, ku shumica e pjesëmarrësve janë nga shtresa që s'lidhen fare me objektin e protestës.

(3) një përpjekje të tillë po synon lëvizja "Pa etiketa" (No Labels) e cila do të paraqesë kandidatët e saj në fushatën presidenciale te 2024.  

Comments

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

Mbase intervista me cilesore e vitit 2023 per mua ne media.
Mendo idene e nje Podkasti te Respublica per tema te tilla.
E di qe mund te duket klishe, por me rrokullimen qe po merr media, e shkruar dhe e pashkruar, eshte domosdoshmeri.

Submitted by dori (not verified) on

Martesa dhe familja jane me te vertete konstruksione. Jane konstruksione historike. Eshte nje e vertete thjeshte absolute. Me duket se i pari qe e ka thene kete ka qene Marksi; dhe ai shihte, ne nje te ardhme, shperberjen e tyre ashtu sic ndodh me cdo konstrukt historik per t'u shnderruar apo per t'u lene vendin strukturave te reja.
Levizja "woke" eshte shume vulnerabel nga kritiket e saj. Asgje e keqe nuk vjen nga levizje te tilla, thjeshte e vetem se percuesit dhe mbeshtetesit e saj nuk kane pushtet; pushtetin e kane te tjere. Por neqoftese kjo levizje, do te mund te arrinte perkrahjen e shumices se popullsise ( qe s'mendoj se mund te ndodhe), atehere kjo do te ishte tregues se paskesh ardhur koha per ndryshime te medha ne gjithe strukturen e shoqerise amerikane; dhe kjo, gjithashtu, nuk do te ishte as gje e mire, as gje e keqe, por thjeshte nje zhvillim i natyrshem i shoqerise.
Te gjithe ata qe vajtojne permbysjen e rendit te natyrshem te gjerave, te lexojne c'shkruante Marski per familjen dhe martesen; le t'u sherbeje ky lexim si pilule e hidhur por e domosdoshme per luftuar lengimin nga dogma e "rendit te natyrshem te gjerave", ne emer te se ciles jane bere kaq shume tmerre pergjate historise.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.