Përgjegjësi i poshtërimit të Francës
Në një shkrim relativisht të gjatë të datës 18 shtator, France 24, sjell në vëmendje trashëgiminë sovjetike në Afrikë. Trashëgimi që në dritën e dokumenteve, apo librave të ndryshëm studimorë, zë fill që në vitet 1960 të shekullit të 20-të. Në një stil karakteristik tashmë dhe thuajse konservator, sepse të kujton Luftën e Ftohtë, media në fjalë e cilëson këtë trashëgimi si kontribut kryesisht nga shërbimet sekrete sovjetike, që përmes intuitës së një prej drejtuesve të tyre, Alexander Shelepin, depërtuan në Afrikë në kufirin mes lëvizjeve antikoloniale dhe instaurimit të regjimeve të reja. Kongoja cilësohet si rasti i parë i njohur i ndërhyrjes së KGB-së në Afrikën Sub-Saharariane dhe kjo duke cituar një specialiste ruse të historisë së shërbimeve sovjetike në Afrikë, që punon në universitetin e Strathclyde në Glasgou.
Pastaj Ghana e kështu me radhë, gjithnjë me të njëjtat mjete: Manipulim, diversion, goditje, furnizim me armë, trajnim dhe stërvitje. Pra 30 vjet investim nga Kremlini, sipas France 24 janë rikapitalizuar nga Vladimir Putin sot, për të cilin sillet në vëmendje se po përdor në fakt të njëjtat taktika përmes grupimeve si Wagner.
Padyshim që kanë qenë edhe këto. Po cili shtet nuk i ka përdorur të gjitha këto në atë kohë dhe sot?
Synimi që merret nga një lloj përmbledhjeje e tillë është në fakt shpjegimi me kosto të ulëta për Francën i dështimeve të saj të njëpasnjëshme në thuajse të gjitha zonat e dikurshme të influencës. Mitologjia sovjetike, e shërbimeve të pagabueshme dhe të kudogjendura të BS-së, shërben këtu si një mekanizëm i ngjashëm me teoritë e konspiracionit, me hilenë kryesore se ato nuk japin përgjigje, madje i qëndrojnë larg pyetjes: Franca pse e humbi ndikimin?
Ta zëmë, depërtimi i sovjetikëve në Egjipt që ndodhet në Afrikë, erdhi përpara Kongos dhe në të vërtetë u provokua nga gabimet e Britanisë dhe Francës me Krizën e Suezit më 1956, e cila nuk u koordinua me amerikanët. Kryeministri britanik humbi karrigen pas asaj që i bëri lideri egjiptian Naser, i cili pranoi ndihmën e Hrushovit pa dëshirë. Edhe regjimi i sotshëm iranian ia dedikon pushtetin politikës perëndimore me Shahun dhe kjo është një e vërtetë që është e provuar. Anti-kolonializmi i asokohe shpjegonte dëshirën e elitave të reja të vendeve afrikane për t’u lidhur me qendra të reja, por sot, rikthimi rusëve dhe nxjerrja jashtë e një vendi si Franca, nuk mund të vazhdojë të trajtohet me të njëjtën mënyrë.
Ka një stigmë të madhe dhe me shumë ndikim në vende të treta për atë që cilësohet si Hipokrizia Perëndimore, e cila po minon çdo bazë të shëndetshme investimi politik në zona të tëra. Ne jemi dëshmitarë të asaj që ndodhi në Irak, si u pritën amerikanët dhe sesi ikën. Në Afganistan po ashtu. Ka një frymë të qëndrueshme anti-amerikane edhe në një vend si Turqia, pikërisht me perceptimin e përgjithshëm se “çdo gjë vendoset nga Amerika”. Lidhur me këto që po ndodhin, shpjegimi më i mirë është ai që i përgjigjet logjikës: që dikush të fitojë ndikimin, duhet që më parë dikush tjetër ta humbasë. Këtu nuk po flasim për grushte shteti që heqin një lider e vënë një tjetër, por për Ndikim. Dhe ndikimi politik, e sidomos ai kulturor, nuk humbet për shkak të “luftës hibride”, e cila megjithë kompleksitetin e saj në ekzekutim kërkon megjithatë një shkas, një shtysë sociale.
Për ta kuptuar më mirë këtë, duhet ta lidhim Francën e sotme dhe pozitën e saj groteske me figurën e një sharlatani si Emmanuel Macron, pasi ngjarjet kryesore të politikës së jashtme kanë ndodhur nën drejtimin e tij.
Ne mund të guxojmë të pyesim: a do ta humbasë Franca edhe Afrikën e Veriut po ashtu? Në të vërtetë marrëdhëniet mes Francës dhe Marokut, Algjerisë, Tunizisë dhe Libisë kanë qenë skjashmërisht të tensionura. Një drejtim domethënës për Macron ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Algjerinë. Vizita e pritshme e presidentit algjerian Tebboune në Francë parashikohet të shënojë një fillim të ri. Për fat të keq, Macron nuk qenë në gjendje ta arrijë këtë deri më tani. Kjo ka ardhur me kosto për marrëdhëniet e shkëlqyera me Marokun. Në përpjekjet e tij për të përmirësuar lidhjet me Algjerinë, lideri francez ka zhvendosur qëndrimin e historik në Saharanë Perëndimore, duke përkeqësuar marrëdhëniet me Marokun. Për shumëkënd ai përfundoi duke humbur Marokun pa fituar Algjerinë. Kjo mund të jetë pikërisht zemra e problemit me politikën e jashtme franceze.
Ndërkohë që kërkon një rivendosje të plotë dhe largim nga perceptimi i dikurshëm kolonialist, politika nuk ka qenë në gjendje të formulohet si duhet në terma ushtarakë, të sigurisë dhe strategjisë ekonomike. Si rezultat për shumicën e vendeve afrikane brenda sferës franceze të ndikimit, ajo duket e dobët dhe me oferta pa interes. Çështja kryesore është se pavarësisht keqardhjes për kolonializmin, Franca vazhdon të japë leksione, më shumë sesa të angazhohet në marrëdhënie të vërteta. Për më tepër balanca e fuqisë është zhvendosur
Ky është një paragraf nga një shënim i datës 10 gusht 2023 me autor Khaled Abou Zahr, një drejtues mediash në botën arabe dhe përmes tij ne mund të shohim dy perspektiva mbi këtë që po ndodh.
E para, perspektiva franceze që na rrëfen se Putin u rikthye në gjurmë dhe trashëgiminë e Hrushovit, e dyta, perspektiva afrikane që nuk e sheh këtë si lojë pokeri, por vë gishtin mbi përgjegjësinë e Parisit zyrtar që nuk do të kuptojë atë që është thënë prej kohësh tashmë nga një francez i njohur se “Franca doli në pension më 1814-ën”.
Ne mund ta shohim këtë dualitet të veprojë me thuajse të njëjtat pasoja afatgjata nëse vazhdon, në rajonin tonë, ku pikërisht edhe për shkak të Francës, politika e zgjerimit të BE-së, ngurtësohet pa kuptim real politik dhe duke injoruar konsideratat strategjike, që aq shumë qejf ka t’i artikulojë në salla të rëndësishme z. Macron. Dhe duke ulur marshin e shpejtësisë së zgjerimit, e pse jo ndaluar fare atë, z. Macron dhe Parisi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse hapin rrugën për alternativa të tjera. Për të patur mandej pikërisht atë hipokrizinë karakteristike që po rezulton si deficit strategjik, kur nisin e flasin për “ndikime malinje”.
Përralla të tilla kanë pasoja dhe shumë të mëdha. Europa sidomos nuk diti çfarë të bënte me rënien e Bashkimit Sovjetik dhe aq më tepër, me entuziazmin naiv të Lindjes Europiane për t’u bashkuar. Zgjodhi atë që e ka instinktive: cinizmin dhe përçmimin, të fshehur pas predikimit. Ndërkohë që thelbi i politikës është ai që është qyshkur dy njerëz u bënë tre dhe lindi pra një shumicë: të marrësh VENDIME, jo të japësh leksione. Përndryshe, nuk është keq që Macron të shtyjë për ndonjë film me Hrushov e Che në Afrikë për të parë pse e dëbuan duke e poshtëruar.
s.zaimi
Add new comment