Gjithë serbë “nën armë”. Vuçiç dhe Dodik në “paradë” në Nish
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë një demonstrim politik që tashmë është karakteristikë e mënyrës sesi ai ushtron ndikimin publik. Vuçiç është shfaqur në shoqërinë e kreut të Republikës Srpska, Milorad Dodik dhe ministrave të Mbrojtjes dhe të Policisë të Serbisë në Nish, në një lloj parade ushtarake.
Takimi është mbajtur me rastin e Ditës së Unitetit të Serbisë, më 15 shtator, caktuar si e tillë në vitin 2020 dhe që celebron thyerjen e frontit në Selanik në vitin 1918. I kënaqur me situatën në ushtrinë serbe, Vuçiç ka deklaruar se “diçka shumë e rëndësishme do të ndodhë së afërmi për pozitën dhe mbijetesën e Serbisë”. Fjala është me gjasë për blerjen nga Rusia të sistemit antitank, Kornet, që vjen si kundërpërgjigje ndaj blerjeve të fundit nga Kosova.
Theksimi i dimensionit ushtarak nga kreu i Serbisë, paralajmëron se Beogradi po përgatitet më tej për të mbrojtur të ashtuquajturën politikë të neutralitetit ushtarak, duke përcjellë mesazhin e preferuar të tij se është gati për çdo gjë për të mbrojtur interesin e serbëve.
Duhet theksuar se një takim i tillë mes tij dhe Dodik në një bazë ushtarake do të interpretohej si provokim në rastin e Shqipërisë dhe ndonjë shteti tjetër, çka e vë në një dritë jo të pranueshme më tolerimin që po bëhet nga Perëndimi. Tolerim që tashmë mund të vlerësohet edhe si politikë me dy standarde në rajon ku po nxitet zhvillimi i një gjeopolitike konflikti.
Add new comment