Denoncoj mbështetjen e Diktaturës nga SHBA! Na lini të qetë në vendin tonë!
Intervista që sjellim këtu të titruar në shqip është dhënë në vitin 1972 për gazetarin William F. Buckley. Jemi dy vjet para rënies së Juntës në Greqi kur Andrea Papandreou, më vonë kryeministër i Greqisë dhe një ndër figurat më ndikuese të shekullit të 20-të në këtë vend, flet në SHBA për politikën e amerikanëve ndaj vendit të tij dhe çështjen e demokracisë.
Intervista përfaqëson një dëshmi të kulturës politike të asaj kohe dhe shndërrimit që do të pasonte. Për Papandreun është thënë se ishte një demagog që gërshetonte një lloj maçoizmi në skenën publike shumë strikte të Greqisë. Por ai ishte një akademik në kuptimin e formimit të vet profesional, që dikur doli vullnetar në luftë.
Suksesi i tij është unikal për arsye se nuk kemi një politikan që rezervohet të thotë atë që mendon, as edhe të shprehë bindjet e veta pavarësisht se ato tingëllojnë si të tepruara dhe kundërproduktive.
Intervista jep një mundësi ndër të tjera për të kuptuar edhe atë “antiamerikanizmin” e shumëpërfolur të së majtës greke, që ka edhe ajo dogmën ideologjike, antiamerikanizëm që shfaqet këtu në formën e denoncimit të mbështetjes që SHBA i jep një diktature. Papandreu kërkon pavarësinë e vendit të vet, një sovranitet maksimal në suazën e një aleance që mbron demokracinë dhe botën e lirë, pa pranuar të jetë sejmeni i dikujt tjetër, edhe pse është e kuptueshme se rendi i gjërave ishte shumë i qartë për të. Jemi larg, shumë larg, “kulturës” së sotme politike në Ballkan, ku paguhet për një fotografi me Presidentin e SHBA-ve e ku çdo mesazh urimi, apo dhënie dore kalon për mbështetje politike afatgjatë.
E çfarë është jeta në mos një seri simbolesh? Për çfarë jemi vetëm për bukë?
pyet gjatë intervistës Papandreu.
Është një ndër ato pyetje që duken shumë pakuptim sot, nga vende si ky yni, ku barbaria prezantohet dhe imponohet si normë, me korrektesën politike dhe reduktimin e Fjalës në atribut vetëm të një njeriu. Dhe kur politika vulgarizohet deri në këtë pikë, nuk është larg dita që shoqëria të lëshojë çdo të drejtë që ka patur deri në atë moment.
s.zaimi
Add new comment