Dyfishohet BRICS, anëtarësohen 6 vende të reja

Postuar në 27 Gusht, 2023 10:57

Gjashtë vende të reja do t’i shtohen grupit BRICS. Në samitin e 15 të mbajtur në Afrikën e Jugut u vendos anëtarësimi i Argjentinës, Etiopisë, Iranit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjashtë vendet që kishin aplikuar paraprakisht për anëtarësim do të kenë të drejta të plota në BRICS që nga 1 janari 2024, raporton The Guardian.

Zgjerimi i këtij grupi në 11 vende anëtare rrit peshën e asaj që ishte planifikuar të ishte që në fillim: një alternativë gjeopolitike ndaj institucioneve globale të dominuara nga Perëndimi.

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, e përshkroi zgjerimin si "historik". Xi ka qenë përkrahësi kryesor i pranimit të anëtarëve të rinj dhe e ka vënë theksin te zgjerimi i BRICS si një mënyrë që jugu i globit të bëhet një zë më i fortë në çështjet botërore.

Pesë vendet anëtare aktuale – Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut – kanë argumentuar se madhësia e tyre, në terma ekonomikë dhe të popullsisë, nuk ishte e përfaqësuar në institucionet e botës, veçanërisht në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Pesë vendet e BRCS përfaqësojnë rreth 42% të popullsisë së botës dhe më shumë se 23% të PBB-së botërore.

Me zgjerimin e fundit, grupi do të përbëjë 46.5% të popullsisë së botës dhe sipas të dhënave të FMN për PBB e vendeve, BRICS do të përbëjë rreth 30% të PBB-së globale.

I krijuar fillimisht si RIC në 1998 (grupi Rusi-Indi-Kinë), me pranimin e Brazilit u shndërrua në BRIC si një përgjigje ndaj “botës unipolare që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik”. Në 2010, grupit iu shtua Afrika e Jugut (South Africa), e cila pavarësisht se nuk ishte fuqi ekonomike në rritje, u pa si një mundësi e zgjerimit të grupit në katër kontinente.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.