Matematika e trurit
Një studim i ri për shpërndarjen e neuroneve është një hap përpara në njohjen e organizimit të trurit të gjitarëve. Studiuesit e Forschungszentrum Jülich dhe Universitetit të Këlnit (Gjermani) kanë zbuluar se si dendësia e neuroneve shpërndahet nëpër dhe brenda zonave kortikale në trurin e gjitarëve. Ata kanë zbuluar një parim themelor organizativ të citoarkitekturës kortikale: shpërndarjen e densitetit të neuroneve, një rregullim që luan rol vendimtar në formësimin e strukturës dhe funksionit të trurit.
Për studimin u përdorën 9 grupe të dhënash nga gjitarë të llojeve të ndryshme. Analiza e zonës së korteksit nxori se të gjitha llojet kishin një skemë të njëjtë të shpërndarjes së neuroneve. Kjo përbën një princip themelor organizues të densitetit të neuroneve në trurin e gjitarëve.
Rezultatet përputhen me vëzhgimet e mëparshme se çuditërisht shumë karakteristika të trurit ndjekin një shpërndarje lognormale. "Një arsye pse mund të jetë shumë e zakonshme në natyrë është sepse shfaqet kur merret produkti i shumë variablave të pavarur," thotë Alexander van Meegen, njëri nga autorët e studimit. Me fjalë të tjera, shpërndarja lognormale lind natyrshëm si rezultat i proceseve shumëzuese, të ngjashme me mënyrën se si shpërndarja normale shfaqet kur përmblidhen shumë variabla të pavarur.
“Duke përdorur një model të thjeshtë, ne provuam se si përhapja shumëfishuese e neuroneve gjatë zhvillimit mund të çojë në shpërndarjet e vëzhguara të densitetit të neuroneve”, shpjegon van Meegen.
Sipas studimit, në parim, strukturat organizative në të gjithë korteksin mund të jenë nënprodukte të zhvillimit ose evolucionit që nuk shërbejnë për asnjë funksion llogaritës; por fakti që të njëjtat struktura organizative mund të vërehen për disa lloje dhe në shumicën e zonave kortikale sugjeron që shpërndarja lognormale i shërben një qëllimi.
Aitor Morales-Gregorio, autori kryesor i studimit, thotë se heterogjeniteti në lidhjen e trurit mund të nxisë transmetimin efikas të informacionit. Përveç kësaj, rrjetet heterogjene mbështesin të mësuarit efektiv dhe rrisin kapacitetin e kujtesës së qarqeve nervore.
Add new comment