Lajmi i Athinës

Postuar në 21 Gusht, 2023 20:54
Skerdilajd Zaimi

 

Takimi i Athinës nuk është pritur mirë në Tiranë dhe kjo është e dukshme. Që nga urdhërimi i Presidentit për të mos shkuar, te cinizmi bosh i mediave pranë qeverisë, e deri te improvizimi i kryeministrit me një reagim pa kuptim dhe joproporcional ndaj një deklarate në një televizion të ministrit të Mbrojtjes të Serbisë. E kuptueshme. Poshtërimi është atribut natyral i Shqipërisë politike, e mban atë gjallë. 

Themi urdhërimi i Presidentit, pasi zoti Begaj e refuzoi ftesën e kryeministrit grek me axhendën e zënë, por sot nuk u bë e ditur se ku ndodhet presidenti i Republikës. 

Çfarë po ndodh në Athinë që ka acarua kaq shumë Tiranën zyrtare? 

Ka një takim nga i cili ne ende nuk e dimë nëse do të formulohet diçka tjetër, por vetëm si i tillë ai konfirmon diçka shumë të sikletshme sa i takon Shqipërisë: irelevancën e saj. Kështu është pak e vështirë të imagjinohet takimi pa pjesëmarrjen e Serbisë. Nga ana tjetër, hapja e Vuçiç në këtë tryezë europiane, i jep një përgjigje me opsion të ri mënyrës me të cilën kryeministri Rama deklaroi të vdekur Open Ballkan. 

Kemi pjesëmarrjen e Albin Kurtit, që është lajmi politik i takimit. Në Tiranë u përpoqën ta shesin takimin të deformuar brenda patriotizmit të supozuar të z. Rama që po paguan këtu faturën e goditjes ndaj Belerit. Në fund u dol nga ky pozicion për të sulmuar Albin Kurtin. I cili me ftesën që i ka ardhur për të qenë në një tryezë me Ursula von der Leyen dhe Charles Michel, provon se ndaj tij nuk ka izolim faktik dhe se të ashtuquajturat masa shtrënguese nuk kanë vlerë tanimë. 

E mesa duket sanksionimin e tij nuk e dëshiron as Vuçiç që pranon të ulet në një tryezë me të, ndërkohë që parashikohet një takim mes tyre në shtator. Është e qartë se prodhimi i një lajmi të mirë në këtë drejtim nga Athina, do të godiste Shqipërinë, jo si të tillë, por atë Shqipëri të konservuar në ambiciet dhe ekzibicionizmin e një njeriu të vetëm. Që këtu, pa ftesë, jashtë tavoline, merr mësimin publik se gjërat ecin pa të, e ndoshta ndaj edhe ecin. 
 
Është shpejt për të parë se çfarë do të dalë nga ky takim, por e qartë është se në Tiranë nuk e administruan mirë këtë zhvillim që neutralizoi çdo propagandë me lajmin se “Ti nuk je i ftuar”. Ndaj sot lexojmë njerëz që janë përherë të gatshëm për gjëra të tilla, që kanë dalë e mbrojnë Presidentin për aktin e tij. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Po juve cfare ju acaron kaq shume? Fakti qe Edi perben lajm edhe kur mungon?
Ai eshte gjithmone kryelajm.
Lusim zotin qe Greqia juaj e dashur per inat te Edi Rames te njohe Kosoven. Ishallah.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.