Muzeu i Armëve në Gjirokastër, me didaktikën e Kinostudios

Postuar në 13 Gusht, 2023 15:10

Kalaja e Gjirokastrës është një monument i klasit të parë për Shqipërinë. Në cilindo aspekt ta shohësh. Me një biletë me çmim 400 lekësh ajo bëhet e vizitueshme për këdo, duke ofruar një atmosferë të veçantë historike, por edhe monumentaliteti, përveç pamjes së qytetit. 

Duke lënë mënjanë ndërhyrjet rikonstruktuese dhe faktit se mungojnë guida audio për të kuptuar ndarjet e shumta të saj, meriton vëmendje eksponati. Brenda kalasë së dy muze: një muze që gërshton historinë e zonës, me etnologjinë dhe figurat e njohura të saj dhe muzeu i armëve.

Rruga drejt tyre kalon nga një galeri e improvizuar topash dhe armësh të rënda të modeleve dhe kohëve të ndryshme, për të cilat nuk ka asnjë shënim sqarues. Asnjë lloj informacioni për vitin e prodhimit, llojin, qëllimin e tyre dhe si ka rënë në duar të palës shqiptare.

Në muzeun e parë, që është një sallë e vogël me stenda xhami të zë syri ekspozimi i fosileve skeletore të gjetura në zonën e Drinos, disa kostume tradiocionale të zonës ku shpjegohet sipas etnisë dhe rajonit lloji i tyre, por edhe pasazhe të tilla të çuditshme si ato që flasin për bashkëjetesën ndër shekuj mes myslimanëve, ortodoksëve dhe katolikëve në Gjirokastër, kur në përgjithësi dihet se Jugu nuk ka patur katolikë.

Më tej një kënd për Eqrem Çabejin, cilësia e parë profesionale e të cilit është Etnolog, për të vazhduar me një kënd të zgjeruar për kohën e Ali Pashë Tepelenës, por në të cilin paraqitet për ilustrim një pikturë e Auguste Couder që me aq sa dimë i përket Mehmet Aliut të Egjiptit.

 

Pjesa më befasuese e kalasë është Muzeu i Armëve. Quajtur kështu që në vitin 1971 kur është hapur, ai ka mbetur (si) në atë kohë. Në të vërtetë kemi të bëjmë me Muzeun e Luftës së Popullit Shqiptar siç është treguar ajo nga historiografia e kohës së Enver Hoxhës.Një skenorafi për Luftën e Vlorës, me një kënd të “gunave përmbi tela”, vazhdohet me një eksponat “armësh të popullit” mes të cilave hyjnë edhe veglat e punës, e mandej këndi i Luftës Nacionalçlirimtare, në të cilin veç armëve gjenden edhe disa piktura me temë epike, pjesë të zhvillimeve të luftës dhe vendimeve të Shtabit të Përgjithshëm të NAÇL, një monument i famshëm i nënshtrimit të ushtarit armik dhe në kthinën tjetër vijohet me qelitë e izolimit të përfaqësuesve të asaj që më vonë ishte Lëvizja Komuniste.

  

Nga pikëpamje funksionale kalaja është e plotësuar mirë dhe e vizitueshme. Është fondi brenda saj që vuan nga një dorë profesionale. Nëse një hapësirë do ta quajmë Muzeu i Armëve nuk mund të mbetetmi tek etiketa "armë të ndryshme që populli ia rrëmbeu armikut", ose "armë turke, greke, italiane dhe austriake të çetave partizane". 

Në këndin e armëve antike, nuk ka asnjë shpjegim. Te galeria e topave nëse e quajmë kështu, një ndër korridoret më të frekuentuar, asnjë shpjegim po ashtu.

Në mëshirë të fatit ngjajnë edhe pikturat, disa prej të cilave mund të kenë rëndësi për historinë e pikturës shqiptare të periudhës: asnjë të dhënë për vitin e realizimit, autorin dhe temën. Politizimi mandej i narrativës mbi luftën qëndron në faktin se në një Muze Armësh, apo Lufte, interesi kryesor nuk qëndron te vendimet politike, por te kronikat e betejave që janë zhvilluar dhe pasojat.

Gjetja e vendit të muzeut është e goditur, një kala madhështore, fondi po ashtu për Shqipërinë është i pasur, por vizitori duhet të kërkojë në Google të kuptojë se për çfarë bëhet fjalë. Është një punë e lënë përgjysmë si çdo punë dhe që në fakt mund të menaxhohej shumë më mirë. E vetmja armë që ka të dhëna konkrete, edhe ato minimale, është avioni amerikan në tarracë. 

E gjitha kjo disi paradoksale kur ministrja e Kulturës për një kohë të gjatë ka qenë Mirela Kumbaro, “vajzë në Libohovë” siç ka qejf të rrahë gjoksin, por që nuk është kujtuar të lëvizë ndonjë gjë për kalanë, sikurse bëri për pikën e shërbimit në Butrint. Do kushtonte më pak, disa etiketa, por do ja vlente, pasi Gjirokastra është i vetmi qytet në Shqipëri që e krijon vetiu atmosferën historike dhe kulturore. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.