Nga Kukësi në "shtetin e patatave" në Bruksel

Postuar në 06 Gusht, 2023 22:37
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako

 

“Belga”, sikurse vendasit e quajnë, përbën një lloj institucioni atipik kulturor e argëtues në Bruksel. Gjendet në një ndërtesë Art Deco të 1930-s, ku dikur ndodheshin zyrat qendrore të radiostacionit të parë kombëtar të Belgjikës. Ngrehina mbresëlënëse, ka gjithashtu nofkën “Paquebot” (nga fjala “boat”), sepse i ngjan një anijeje gjigante transoqeanike. Ajo ka qenë e braktisur, derisa u rivitalizua në 2002, vitin e hapjes së Belgës. Ka një hapësirë të jashtme prej 250 m2, ndërsa pjesa e brendshme ruan stilin vintage, ku mbizotëron elementi i drurit partout (kudo). 

GZeneli, patataxhiu më i njohur i Brukselit, mbërrin me një skuter elektrik në caffe “Belga”, veshur me rroba sportive. Intervistuesja, Eleana, ka parë para disa ditësh pjesën “Fritland” në Théâtre de Poche të Brukselit, ku Zeneli luante dhe rrëfente jetën e vet të patataxhiut. Pas mbarimit të shfaqjes, gjithë patatat (sikurse Zeneli u thotë patateve), që përbënin dekorin kryesor të skenografisë, i serviren falas publikut, ku Zeneli përveçse patateqërrues në skenë, është edhe patateskuqësi e patateofruesi i fritave (patate të skuqura në frëngjisht) më të shijshme dhe më të njohura të qytetit. Ky ritual, përsëritet pas mbarimit të çdo shfaqjeje dhe tashmë “Fritland”, prej disa vitesh rivihet vazhdimisht në skenën belge me tekstin, interpretimin dhe skenografinë e Zenel Lacit dhe regjinë e Denis Laujol. Pjesa është një bashkëbisedim mes regjisorit e aktorit, e konceptuar sipas teatrit brehtian.

Eleana: Ndonëse e ndoqa historinë tuaj personale në Théâtre de Poche të Brukselit, në 21 qershor, ditën e vetme që kishte edhe titra në shqip, do desha për hir të kësaj interviste e lexuesve të saj, të më përshkruanit rrugëtimin e gjatë të familjes suaj, derisa u vendosën në Belgjikë. 

        Zeneli: Origjina jeme asht nga Zarishta e Kuksit. Nga ana e babës ishin zogista dhe kanë pasë një çik tok’. Me ardhjen e komunizmit nuk pranun me i dorzu tokat, nuk pranun me u ba antar t’ Partis. Baba a gjyshi pat furnizu me arma disa zogista dhe komisarët e tokës ishin betu me arrestu disa familje. Ata e kanë kuptu se kanë me i arrestu dhe duhej ose me ikë, ose me u dorzu. S’patën kohë me u pregatit se ishte punë ditësh me ardhë komunistat dhe ikën me çfarë kanë pasë në dorë, disa tesha, disa rroba të vogla e dukë ikë gjyshja nga ana e babës ka vdekë, edhe dy fëmijë të familjes kanë vdekë, 2,5 e 3 vjeç. Kanë vdekë gjatë rrugës nga Shqipëria në Kosovë dhe i kanë varrosë në Gjakovë.

Tri vjet kanë ndejtë në Gillan. Edhe familja e babës, edhe e nanës u arratisën. Prindërit e mi janë martu atje. Gjyshi nga ana e nanës ishte hoxhë. Familja e babës thoshte, “që ne nuk dum me ndejt në Kosovë, dum me shku në Amerikë’’, kurse nga nana, “ne kemi me nejt ktu, nuk dum me shku në Amerikë’’. Kanë nejt 8 vjet nëpër kampe në shtete të ndryshme, Kroaci, Slloveni, Itali, se deshën të shkonin në Amerikë, por nuk ja lejun vizën për me shku. Motrat lindën në Gillan, kurse vëllai në Itali. Kryqi i Kuq i inkurajoi të shkojnë në Belgjikë, ‘’ka kushte, ka banesa, ju japin punë, keni mundsi me gjet fatin e juve’’. Në Belgjikë, u le Skënderi fëmija i katërt, dhe unë. Baba na futi në shkollë teknike, mekanikë për ne, rrobaqepsi për vajzat. Nuk më la me vazhdu shkollën e mesme.

Në atë kohë ka qenë racizmi i madh, jetoja në Schaerbeek. Ne shkollë kam pasë hungarezë, turk, marokanë, spanjollë, grekë. Marokanët nuk i dojshin, myslimanët në përgjithësi. Ne s’dijshim si të përcaktoheshim, sepse ishim të bardhë, por myslimanë. Feja islame na bashkonte më lehtë me marokanët, sesa më të tjerët. Unë vet jam ateist. Atëherë katolikë e myslimanë shqiptarë u bashkojshin pa pikë problemi për festa, malli për njani – tjetrin. Martesat kanë qenë pak ma delikate, me u martu myslyman me katolik, kurse me u bashku, me shku nëpër shpija, pa pikë problemi. Kanë pasë nisë me kriju do shoqata, ka pasë intelektualë, u ngrit statuja e Skënderbeut në Bruksel. Ka pasë dy-tre profesorë muzike të cilët jepshin vegla nëpër shpira, na bashkojshin ne fëmijtë e na mësonin çiftelinë, klarinetën, mandolinën. U mundonin me zbukuru kulturën shqiptare, sidomos te fëmijt. Parizi ka më shumë intelektualë se Brukseli, breza ma të fortë. Brukseli asht qytet artificial, mes flamandëve e valonëve, nuk ka intelektualë shqiptarë si në Paris.

Eleana: Duke qenë se asokohe Shqipëria ishte vend i izoluar dhe familja juaj ishte non grata në Shqipëri, a përbënte Kosova për shqiptarët e Belgjikës një destinacion parësor apo alternativë të domosdoshme?

Zeneli: Shqipëria ishte Kosova për ne, krijova një dashuri për Kosovën, ngaqë Shqipëria ishte e mbyllur. Shumica e shqiptarëve nuk shkojshin, ne shkojshim shumë shpesh në Kosovë, që të ishim ma pranë kulturës shqiptare. E kam kalu rininë shumë mirë në Kosovë.

Eleana: Ju përmendët, që feja islame, e cila përbën një tipar identitar për një pjesë të shqiptarëve, ka qenë fillimisht pengesë në integrimin e tyre në shoqërinë belge dhe nuk perceptoheshin njëlloj si ballkanasit e evropianët e tjerë. A ka qenë shumë i vështirë ky integrim për brezat e parë të shqiptarëve?

Zeneli: Vetëm në vitet '80 ka nisë me u hap ideja, se ne kemi të drejtë me u ba diçka tjetër, përveç mekanik ose elektriçist. Kanë qenë shumë të mbylluna profesionet për të hujt, shteti belg bënte çmos për të hujt, për mos me shku lart, se u merrshin punën belgve, me i lanë te dobët, me ba punë krahu, që mos të ecnin në karrierë.

Unë isha pak i ndryshmë, kisha nisë me lexue, u hapa pak ma shumë. Kur isha në shkollë fillore, isha nxons i mirë dhe i urtë, fitojsha çmimin për camaraderie, çmimin e shokut ma t’mir. Sa e herë e fitojsha, më jepnin do libra. Më shumë e ëndërrojsha jetën, sesa e përjetojsha. Atëherë, ka pasë vrasje nëpër rruga, sidomos në lagjet Schaerbeek e Molenbeek, belgjt i rrejshin të hujt, të hujt i vrisnin belgjt, kur u vononin pagesën. Marokanët, turkët e shqiptarët, ishin komunitetet më problematike.

Eleana: Ekziston një “gojëdhanë” në Bruksel, që marokenët i kanë frikë shqiptarët, pasi shqiptarët në fjalorin e cubave, konsiderohen më të fortë.  

Zeneli: Marokanët janë të fortë kur bahen bashkë, shqiptarët mbahen ma të fortë. Marokanët i bënin miq shqiptarët, që të ndiheshin të mbrojtur. Ishim shumë të varfër, vjedhshim për me hangër bukë. Grekët, spanjollët, italianët ishin ma të butë, ma të kuptueshëm, familjet ma europiane e ma të integrueme. Italianët, grekët kishin me çfarë u mburrshin.  Shqipëria ka pas qenë e mbyllun, asnjë informacion, asnjë lajm, kurrgja. Kur tregojsha se ku ishte Shqipëria në hartë, e ngatërrojshin me Libanin, ngaqë kanë tingëllim të ngjajshëm në frëngjisht. Albanais, Libanais, ce n’est pas en Europe .

Racizmi ndaj shqiptarëve, u rigjallëru pas luftës në Kosovë. U instalu ideja se shqiptari ka allti e të vret, pistoletë. Në vitet ‘80 u forcu klisheja ndaj kosovarëve, drogë, vjedhje, pare fallca, për këto të trija kosovarët ishin të njoftun. Prostitutat s’ekzistojshin atëherë. Pas ’92, me ardhjen e shqiptarve, u doli nami për vrasje publike e prostitucion; vrasje për me mbajtë vendin e prostitutave e për drogën. Unë i di historitë se vijshin te lokali e m’i tregojshin. Rusët thoshin janë më të ashpër se krejt. Shqiptarët kanë nisë me hy në bisedë me rusët ‘’a ka mundsi me u marrë vesh’’. Rusët s’ pranojshin në asnjë mënyrë me hy në bisedime me shqiptarët për vendin e prostitutave. Shqiptarët u tregun ala më të çmendun se rusët dhe kështu i kanë pushtu vendet e rusve. Italianët menjëherë kanë ba lidhje me shqiptarët, plus që shqiptarët e Shqipërisë kanë dashuri për Italinë dhe u bashkun kundër rusëve e i pushtun vendet. U bë vraiment nami, ba ba ba ba ba ba bam. Kjo situatë zgjati nga vitet ’92  - 2010.

Eleana: Më kujtohet fragmenti në shqip nga pjesa e teatrit “Fritland” dhe libri me të njëjtin titull (Collection “Rideaux Rouges”):

O djema! Nëse doni që belgët të vijnë e të hanë frita  te na, nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet që patatet tona të jen ma të mirat. Do të thotë, të freskëta, të qërume çdo ditë dhe të preme mëgjes, në drekë dhe në darkë. Kështu kur belgët do t’i hanë fritat tona, kanë me harru se jemi të huaj. Sepse në goj do t’iu mbetet vetëm shija e një friti të freskët

Eleana: Emri i fast-food-it të biznesit tuaj familjar “Fritland” është një gjetje fantastike. Si lindi Fritland-i?

Zeneli: Ideja për me shku në Amerikë, nuk i pat vdekur babës, edhe pse erdhi në Belgjikë, “duhet me ba pare sa më shpejt e me ikë”. Vetëm Amerika ia vlente sipas tij, se në Amerikë, je amerikan, në Evropë kemi ngelë shqiptarë. Ideja ishte me hapë një ushqimore e me na futë në punë. Atëherë, ala Kanuni jetojnte në familjet tona malore e baba ishte Zoti, fjala e tij nuk u kundërshtojte. Deshte me i martu motrat vetëm me shqiptarë, me të huj bam - bam. Motra e madhe ka qenë një nxënëse e shkëlqyer, e vetmja liri që ka pasë motra, ka qenë shkolla. Kur i mbushi 18 vjet, baba i tha që kam me të martu, kam me të njohë pesë burra shqiptarë, një duhet me e marrë.

Drejtoresha e shkollës i tha, qysh ka mundësi ti me u martu me zor, “ne jemi shqiptarë, a ke mundësi me ardhë te shtëpia”, - i thotë motra. Drejtoresha erdhi në shtëpi e i tha babës: “A e din se çika jote i ka notat e shkëlqyeshme?”. “Ti ke me dalë jashtë e s’ke me ma prishë vajzën, ndryshe do shohësh se ç’kam me t’bo”, i tha ai.

U desh me marr njonin prej të pestve, nuk i eci, mbas disa vjetësh u nda e ishte skandaaal i madh. Baba u çmend, katastrofë, hera e parë se një shqiptare u nda

E dyta, u dashuru me një shqiptar.

Jam e dashuruar më një shqiptar, s’di c’të bëj, me vra veten”, i tha nanës. ‘’Ka me na mbyt të dyja baba’’, i thotë nana. Ishe laivre, nëse e zgjidhje vetë. Baba i tha, “kam me të mbytë e kam me të vra”. Çka shqiptari është”? I Maqedonisë”! “U na ke pru bullgarin në shpi!”. Se shqiptarët e Maqedonisë, i quanim bullgarë. Babai i djalës i tha, “Nëqoftëse ma jep vajzën tande, në shenjë respekti, ta jap friterinë”. Edhe qashtu u kriju friteria.Në 1978 u hap friteria. Fati se motra e vogël, Hatmani, u dashuru me një “bullgar” dhe baba im gjeti Amerikën e tij në atë friteri.

 Zenel Laci duke shërbyer patate të skuqura me regjisorin e "Fritland" Denis Laujol, pas përfundimit të shfaqjes

Lokalizimi ishte shumë i favorshëm. Ne i grinim patatat me dorë, kurrkush nga dyqanet e tjera, nuk i grinte me dorë, se merr kohë. Baba s’donte me hup asnji lek, na mësoi me i qëru shumë të holla e nuk duhej me i ba me vaj, se krejt të huajt e tjerë, i banin me vaj; nuk është qashtu sistemi, duhet me ynyrë, me dhjam. Dhe ky e mësoi këtë gjë dhe krejt u dallojshim. Sepse kjo ishte vraiment mënyra si belgjit e dojshin pataten, jo të skuqura me në vaj.

Baba e zgjodhi emrin. Dojte me e qu “New York” në fillim, por s’ka frit New York, s’kishte kuptim. Atëherë ka pasur një “Pizzaland” aty afër. Baba shkoi e pyeti, “çka është kjo Pizzaland”, “domethënë shteti i picave”; dhe ky tha, ne do jemi “shteti i patatave

M’u ka ba burg Fritland, nuk kam dashë me punu atje, unë jam tipi i leximit. Atëherë kemi punu tre vlla, secili ka tetë orë papushim; me drogë nëpër tualete, klientë problematikë, babën e ashpër. Asnjë belg nuk dojte me jetu në qendër të Brukselit, sidomos në Burse, prostituta, vjedhje, vrasje.

Eleana:Jam dymbëdhjetë vjeç. Mërzitem të djelave në shtëpi. Një ditë, motra ime e madhe Shyreti, më pyet: “Përse nuk lexon një libër?” “Çfarë? Një libër”? Kështu fillon kapitulli i dytë i librit “Fritland”. Përse ju befasoi kaq shumë pyetja e saj?

Zeneli: Motra e madhe lexojte shumë. Nuk e dija se lexojte, se kurrë nuk shkoja në dhomë të saj. Më pa të mërzitur dhe më tha hajde me mu në librari. I vetmi libër që më ka pas pëlqy ishte “100.000 dollars au soleil”. Këtë libër e njifsha se e kisha parë në televizor, jam habitë se sa i bukur ishte, shumë ma mirë se sa filmi. 12-13 vjec, kam nisë me marrë Zhyl Vernin, e kam lexuar komplet Zhyl Vern, e kish përkthy Charles Bodlaire.

Kadarenë e mësova nga një klient belg se na dëgjonte të flisnim shqip dhe na pyeste çka gjuhe asht, asnjë send s’e njihja. Atëherë s’ka pasë kurrgjo, se na mendonin si popull pa kulturë. Shkova në librari dhe e gjeta. Magnifique, krejt. Aty mësova shumë gjana për botën shqiptare, sidomos për botën komuniste. Dhe nisa me u interesu shumë për Shqipërinë. U bana dikush në familje, ky Zeneli vetëm lexon.

Ëndrra për me shkru, është shumë e hershme. Për mua ishte e pakapshme mundësia me u ba shkrimtar. Edhe thjesht për me shku në shkollë, për mua ishte e pakapshme. Në moshën 25 vjeç thashë nuk mund, s’është jeta ime, shikojsha ç’farë lirie kishin personazhet e librave, kuptojsha shumë gjana. Emancipimin e kam nga librat, jo nga familja. Nisa me u lidhë me disa shokë, “ti ke lexu ma shumë se çdo njeri, që asht në shkollën e mesme, për mu ti je fakultet pa fakultet”. Më në fund u binda, i mbledha e u thashë se qysh e mendoj jetën time dhe ka qenë vraiment një shok për familjen, se i vogli atëherë nuk ka pasë mundësi me mbledhë familjen e me u shpreh në emën të familjes, dhe u kam tregu të vërtetat, për nanën, për babën, për vllaun, çdo gja qysh e kisha perceptimin e jetës sime e qysh më kanë shtyp, e sa gabim janë. Deshën me më vra nga shoku. “Kush je ti, me e sha babën”, më tha vllau. “Na ke dënu me aktin tënd. Dil prej ktu e s’je ma i joni”. Fitova lirinë. Ika nga shtëpia. Aty e kam kuptuar që nuk jam belg, por 100% shqiptar. Kam punu në Fritland nga 14-30 vjeç. 30 vjeç ua thash, përpiqesha që 25 vjeç. M’u deshën 5 vjet me marr guximin.

Eleana:Jam 18 vjeç, mosha e burrit për një shqiptar. Baba më hodhi llafin: “Paja këtu! Viens ici! Djali im është koha për pushim. Kam me të martu”. Si arritët t’i shpëtonit shkuesisë së babës, që nuk ju lejonte ta thërrisnit me emrin “babë”, por vetëm Ali?

Zeneli: Babi më ka çu me u martu, fat si kam pshtu. Kur isha në Fritland, erdhi një vajzë, gazetare pe Kosovës, që punonte për një gazetë studentore. Iu ka duk shumë surrealiste: “A është kjo friturë me shqiptarë? A ka mundsi me folë me dikë?” Për mu një vajzë perfekte, kemi nisë me bisedu për Kosovën, për Kadarenë. Ajo ishte një femën e emancipueme, pe Kosovës, gazetare, ka bo fakultet, ishte modeli jem. Asnjë vajzë nuk ka bo fakultet te familja e rrethi jonë. Kur ika prej friterisë, u bashkum. Tani jemi martu, kemi dy çika.

Eleana: Ju jeni diplomuar për skenografi nga Instituti Saint–Luc i Brukselit dhe Centre d’ Etudes theatrales de l’Universite catholique i Louvain. Si arritët të kapërcenit zbrazëtinë arsimore nga mosha 14-30 vjeç, duke qenë se punonit pa ndërprerje në Fritland, pa pasur mundësinë të kryenit as shkollën e mesme.

Zeneli: U munova me bo shkollën dymdhjet vjeçare. Për me kalu ato vitet, që të mungojnë, duhet me i kalu të gjitha londët. Deshta me ba gjuhë - letërsi, me u ba profesor i frëngjishtes, kjo ishte andrra ime. Fati asht se do shokë komunistë, nji grek e nji italian, që i pata taku kur isha te Fritland më ftun të antarsohesha te Partia Komuniste e Belgjikës. Kisha komplekse, nuk i tregoja kurrkujt se shitsha patate. Më thanë hajde merre letrën e Partisë, shko te një strukturë, tregoju qysh je, historina jote dhe ndoshta të gjejnë diçka  se ka shkolla sociale, të cilat të mundësojnë me shku në fakultet, Ecole de Promotion Sociale.

Kur shkova aty, më thanë “për gjuhë letërsi harroje, asht e pamundun, se duhet shkollë specifike”. I thashë do shkollë ku ka letërsi dhe pas dy javësh gjeti diçka; Skenografi, unë e kuptova stenografi në fillim, Decorateur de theatre. S‘di me vizatu, “e vetmja më tha, asht shansi yt”.

Nisi me m’ tregu planin shkollor, që vitin e parë 75% asht land e përgjithshme, 25% plastikë për skenografi, e pastaj 50%-50% . Dola i pari, kreva dhe master teatral, nota të shkëlqyeshme. Atëherë nisa teatrin. Desha me ba një stazh në fund të vitit. Shkova te një profesori jem: “A ka mundesi më ba praktike më ju, jam nxansi juaj”. Ai pati shkrujt një libër për luftën në ish Jugosllavi, ishte pedagogu im i filozofisë së teatrit dhe regjisor, çifut.

A do me ba realisht skenografi për mu?” “Unë s’di me vizatu”. “Vizatimi nuk asht problem, idetë e tua ma pëlqejnë”. Ky stazh kam me ta ndryshy në kontratë pune. Çdo me ba në fund?”. “Du me shku te mizaskena”.  “Alors futu asistent në mizaskenë”. Mendoja se isha kurrkushi, se s'dija asgja, s’e kisha kuptu që kisha bazament te fortë, kisha komplekse, shqiptar, emigrant, m’u ka dash shumë kohë me u emancipu.

"Fritland"e kam shkru më 2017. Deshta me ba regjinë me një shokun em. Kontaktuam Théâtre de Poche. “Kam me ta produksu në teatër, me një kusht, se e luan vetë rolin tand. Kam me ta gjetë një regjisor”, më tha drejtori i Teatrit. Ka besu në ato katër tekste të vogla që i çova. Tani punoj vetëm si artist. Shtëpia botuese që ka botu Fritland-in më tha, që nëse keni teksta të tjera, do t’ m’i botonte. Njëna e kam vu në skenë vet e tjetra “Valencia, Princesse du monde”, në Portugali. Olivier, drejtori i Théâtre de Poche, e don jetën teme e më ka kërkuar një tekst tjetër. Dhe qashtu lindi, “Don Quixote de Helmet” (Don Kishoti i Helmetës). Unë kam lind në Helmet e Don Kishoti asht për mu personazhi ma i famshëm.

 Pjesë nga “Fritland

Te ne, në Rebecq, ka pasë dy botë në fëmijërinë time: shtëpia, ku jetonim si me qenë në Shqipëri dhe bota e jashtme, Belgjika. Por, ne s’mund të ftonim kurrë belgj në shpi. E ndaluar! Një ditë, vendosa ta shkel këtë ligj, për të parë se ç’do të ndodhte. Ftova një shoqe klase, me pretekstin se do të më ndihmonte me detyrat. E dija, që ajo kishte një ndjenjë të vogël për mua. U ulëm në kuzhinë, sepse e dija që nana do të kalonte andej, kur të kthehej nga puna. Hapëm fletoret. Kukurisnim. Hapet dera. Nana ngrin e tëra:

Kush asht kjo kurvë”?

Unë, i mehur, i përkthej asaj:

“Nana ime, të thotë mirëdita!”

Ajo:

Mirëdita zonjë”!

Nana vazhdon në shqip:

"Po c’ka je tu ba aty ? Hidhe këtë jashtë! Se po n’a pa babai yt, ka për të n’a vra! O budallë"!

Pashë sesi shoqes sime i iku buzëqeshja. Nana i ktheu shpinën. I kërkova në formë të sjellshme të çoheshim. E shoqërova deri te dera e shtëpisë. Atje, më pa drejt e në sy…Dhe më pas, u largua duke qarë. Nuk ia kam falur nanës kurrë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.