Një lojë e vjetër dhe e përsëritur

Postuar në 05 Gusht, 2023 01:33

Hetimet për inceneratorët dhe masat e kërkuara në kudër të tyre i kanë dhënë krah Sali Berishës, kryetar i një prej tri PD-ve në qarkullim që të nisë lojën e tij të vjetër të duetit të akuzave. 

SPAK godet, Berisha interpreton duke kalibruar humorin e audiencës dhe orientuar atë. Mësimet e para për këtë lojë, z. Berisha i mori në kohën kur koordinonet me Kat’harsisin e Fatos Nanos pastrimet në disa institucione. Siç e dimë asokohe i doli për mirë, por kësaj radhe ngjan se z. Berisha po shtrëngon presionin e vet pa patur ndonjë levë. Në të vërtetë SPAK aktualisht duket se po vepron në kuadër të zinxhirit të punës së vet dhe është pak e vështirë që në këtë moment të kemi shndërrimin e tij në modelin “Llalla”. Duke nisur që nga fakti se nuk u premtua dhe as u prit shtatori. 

Megjithatë në aspektin politik z. Berisha ka luajtur diçka duke vënë në siklet Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, që sipas tij është i përfshirë te inceneratorët pasi ka drejtuar mbledhjen e pesë zv.ministrave për këtë çështje. Ky i fundit ka reaguar dje përmes një interviste në Top-Channel gjatë së cilës është shprehur se nuk intimidohet duke bërë thirrje që kushdo që ka pretendime të shkojë në prokurori. 

Vetë dalja e Inspektorit sinjalizon se ai ka diçka për të sqaruar ndaj opinionit edhe pse në të vërtetë Berisha është akuzator i përditshëm i thuajse kujtdo. Po kështu Berisha ka folur për përpjekje për asgjësim fizik të ish-ministrit Arben Ahmetaj, ka paralajmëruar arrestimin e gruas dhe ish-bashkëshortes e kështu me radhë duke e paraqitur ish-ministrin si viktimë të një persekutimi. 

Mirëpo nëse SPAK ka nisur hetimet dhe ka ngritur akuzë është e natyrshme që të ketë masa. Ndaj nuk kuptohet ky nxitim i një drejtuesi opozitar për të paraprirë veprimet duke dëshmuar se ka informacion, por edhe se mbron çdo të vërtetë. Në fakt loja është thjesht dhe vetëm politike: z. Berisha po synon të kompromentojë besueshmërinë e institucioneve të Drejtësisë, që në fakt janë kështu që një ngjizje – në mënyrë që të zhvlerësojë çdo akt të tyre nesër për çështje të tjera. Supozimi se po bëhet presion ndaj grupit hetimor, krahas rolit të supozuar të Artur Metanit ngre eventualisht tezën tjetër se SPAK u dorëzua. Sepse presionet ishin të tilla e kështu me radhë. 

Për çdo opozitë reale arrestimet e tanishme që normalisht kanë sikletosur dhe njollosur pa kthim qeverinë do të duhet të shiheshin me qetësinë e një avantazhi politik që erdhi si me porosi. Jo, z. Berisha ka përherë një lojë të vetën, ka përherë diçka për të thënë, ka përgjithnjë nevojën organike për të bërë zhurmë, qenë prezent, por ka edhe interesa që duhet t’i mbrojë, duke vepruar përherë jo si kumtues i të vërtetës që pretendon se e di, por tymues. 

Është mjerane pozita e këtij njeriu në politikën që zgjedh të bëjë. Dhe në një farë mënyre e pranoi edhe dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Fraksionit të vet kur tha se në gjithë këto vite “PD-ja ka ulur kokën”. Po a nuk ishte ky kumbari i Lulzim Bashës, a nuk e mbrojti z. Berisha marrëveshjen e 17 majit, madje kritikoi Bashën se “nuk e mbrojti si duhet marrëveshjen duke i lënë LSI-së zonën e opozitës”?

Cila PD uli kokën, ajo e Lulzim Bashës? Po ai nuk e ka patur asnjëherë atë dhe këtë e vërtetojnë edhe ato 500 mijë votat e 14 majit që shumëkush, edhe z. Berisha, i tund si të ishin shumicë plebishitare?

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Dje, me gazetaret, Berisha tha se "ne nuk jemi force parashteterore", ne kuptimin qe edhe pse e kontestojme strukturen e re te drejtesise, megjithate, respektojme procedurat demokratike. Kritika qe Berisha i ben SPAKU-t, nuk shkon me tej se ajo qe i bejne, bie fjala, Fatos Lubonja apo Andi Bushati, te cilet besoj se nuk kane arsye qe te deligjitimojne paraprakisht ate sic zoti Zaimi thote per Berishen.
Akuzat qe ben Berisha jane ne stilin e tij unik te te berit politike. Nuk ka ndonje luhatje, per te verejtur ndonje arsye pas saj; ai po ben ate qe ka bere perhere. Informacionet qe jep Berisha i jep vetem Berisha. Akuzat qe ben Berisha i ben vetem Berisha; me emer dhe mbiemer. Te gjithe protagonistet e skandaleve te medha korruptive dhe krimeve, keto 10 vite socialistesh, Berisha i ka denoncuar me emer dhe mbiemer. I denonconte Berisha i pari, pastaj permendeshin nga te tjeret, politikane, gazetare. Por, pa i denoncuar i pari Berisha, askush nuk kishte guximin t'ua permendte emrin, edhe ata gazetaret e famshem investigative madje. Thuhet se e vetmja arritje e Bashes eshte Ligji i Dekriminalizimit, por duhet thene se ishin denoncimet e Berishes, i cili ishte i pari qe i permendi me emer dhe mbiemer vrasesit, perdhunuesit, grabitesit dhe trafikantet qe ishin deputete e kryetare bashkish; askush tjeter nuk kishte guximin t'ua permendte emrin pale pastaj t'i denonconte. Berisha e bente dhe e ben.
Mendoj qe po te mos ishte per denoncimet e Sali Berishes keto 10 vite, shume krime do te kishin kaluar ne heshtje. Ajo qe Berisha ka bere keto 10 vite, eshte aq e dobishme per shoqerine, sa mund te laje edhe mekatet qe ka bere kur ka qene vete ne pushtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.