Ministrat e BDI-së dorëhiqen me kusht
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, njoftoi dorëheqjen e ministrave të partisë së tij nga qeveria. Hyrja në fuqi e këtij vendimi kushtëzohet me votimin e ndryshimeve të kushtetutës nga partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.
“Duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota të shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita t’i votojë ndryshimet kushtetuese”, shprehet Ahmeti në një njoftim drejtuar kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
BDI-ja është partia e dytë më e madhe në koalicionin qeveritar. Partia e Ali Ahmetit i sheh ndryshimet kushtetuese si rrugën e vetme për integrimin europian të vendit. Por për të arritur kuorumin e nevojshëm prej 2/3, në votim duhet të marrë pjesë edhe VMRO-DPMNE.
Kjo e fundit kërkon që dorëheqjet e ministrave të BDI-së të vihen në zbatim konkretisht dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndryshimet kushtetuese janë parashikuar të diskutohen në seancën plenare më 18 gusht.
Nëntori është afati i përcaktuar për miratimin e këtyre ndryshimeve, të cilat bëjnë të mundur përfshirjen e pakicës kombëtare, çka hap rrugën për fazën e dytë të bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Add new comment