Neoliti europian, një vështrim përmes ADN-së

Postuar në 28 Korrik, 2023 20:13

Mbetjet e gjetura në një varrezë 6700-vjeçare në Francë u kanë dhënë mundësi shkencëtarëve franko-gjermanë të rindërtojnë pemën familjare të banorëve të Gurgy Les Noisats, në jug të Parisit.

Rindërtimi i gjenomit shkon deri në shtatë breza dhe rezultatet u publikuan në “Nature”, revista kryesore shkencore në botë.

ADN-ja e këtij grupi njerëzish që jetuan gati shtatë mijëvjeçarë më parë hap një dritare unike për të kuptuar familjen, shoqërinë dhe kulturën gjatë një epoke sa të rëndësishme, aq edhe të panjohur.

Nekropoli i Gurgy Les Noisats është gërmuar në vitet 2004-2007.

Puna kërkimore tregon një fenomen shumë të qartë: burrat e familjes qëndronin përgjithmonë në vendet e tyre të lindjes, ndërsa gratë largoheshin nga familja për të jetuar me grupe të tjera. Izotopet e stronciumit të grumbulluara në dhëmbë tregojnë se nga vinte uji që një person pinte në fëmijëri, dhe ato nga gratë e varrosura në Gurgy vinin nga shumë vende të ndryshme. Këto gjetje përforcojnë një prirje të vërejtur në vende të tjera të mëvonshme neolitike: burrat qëndronin, ndërsa gratë largoheshin për të jetuar dhe për të rritur familjet në grupe të tjera.

Paleogjenetisti Maïte Rivollat, autori kryesor i studimit, thotë se gjetjet tregojnë për fertilitet të madh te gratë e asaj kohe, çka nënkupton se kishte bollëk ushqimi dhe ndoshta stabilitet social. Asnjë prej tyre nuk mbante asnjë shenjë dhune.

Falë pemës së rindërtuar, studiuesit dolën në përfundimin se çiftet ishin monogamë dhe ekzistonte një ide e qartë se duhej shmangur lindja e fëmijëve me të afërmit.

Përkundër faktit se studimet parahistorike të deritanishme tregojnë patrilokalitetin dhe ekzogaminë femërore si rregull i përgjithshëm, të gjitha provat e gjetura paraqesin veçori në organizimin e tyre shoqëror. Për shembull, ky studim i ri thekson mungesën e gjysmëvëllezërve dhe poligamisë dhe monogamisë serike midis partnerëve seksualë, një aspekt që është parë në studime të tjera me mostra të mëvonshme, duke përfshirë atë që bëmë për marrëdhëniet farefisnore në kulturën e El Argarit të epokës së bronzit në gadishullin Iberik. Nuk e dimë nëse ajo që ishte tabu për disa shoqëri ishte një praktikë e përditshme për të tjerat,” shpjegon Vanessa Villalba-Mouco, biologe molekulare dhe eksperte në ADN-në e lashtësisë.

Roberto Risch, studiues i epokës parahistorike në Universitetin Autonom të Barcelonës në Spanjë, thotë se “është befasuese se sa e ngurtë ishte ekzogamia [kur janë gratë ato që largohen nga shtëpia e familjes]. Kishte një ide shumë të qartë se me kë do të kishe pasardhës, dhe kjo nënkupton se këto shoqëri ishin shumë të vendosura dhe shmangnin inçestin. Është shumë interesant fakti që gratë lëviznin mes grupeve. Kjo nënkupton se ato kanë vepruar si një lidhje midis grupeve dhe ndoshta edhe si një kanal komunikimi,” shpjegon ai.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.