"Oppenheimer" hap debate në Indi
Filmi "Oppenheimer" nga Christopher Nolan ndezi polemikat në Indi Indi mbi një skenë intime në të cilën protagonisti reciton një varg nga shkrimi i shenjtë hindu, Bhagavad Gita. Kjo bëri që në mediat sociale të nisnin thirrjet për të bojkotuar filmin.
Drama rrëfen historinë e fizikanit teorik amerikan J. Robert Oppenheimer – i referuar shpesh si ‘babai i bombës atomike’ – i cili eksploron krijimin e projektit famëkeq Manhattan, i cili kulmoi me bombardimet amerikane të qyteteve japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit më 6 dhe 9 gusht 1945.
Në film, Oppenheimer, i luajtur nga aktori irlandez Cillian Murphy, shfaqet duke bërë dashuri me Jean Tatlock, të luajtur nga Florence Pugh. Në skenën e diskutueshme, Pugh ndalon gjatë marrëdhënies seksuale dhe merr një kopje të Bhagavad Gita dhe i kërkon Murphy të lexojë prej saj. "Tani unë jam bërë Vdekja, shkatërruesi i botëve," thotë personazhi i Oppenheimer.
Ministri indian për Informacionin dhe Transmetimin (I&B) Anurag Thakur sulmoi Bordin Qendror të Certifikimit të Filmit (CBFC), i quajtur gjerësisht bordi i censurës, mbi skenën kontroverse dhe kërkoi që ajo të hiqej. Qeveria ka nisur masa ndaj zyrtarëve që shihen si përgjegjës për të.
Interpretimi i citimit nga Bhagavad Gita, i përdorur gjatë skenës që krijoi polemika, u vu në dyshim nga autori i njohur indian, Devdutt Pattanaik. Në një intervistë me Indian Express lidhur me publikimin global të filmit, ai sugjeroi që citati nuk është përkthyer saktë.
“Bëra disa kërkime mbi Oppenheimer dhe nuk e kisha hasur kurrë këtë linjë. Nuk e kisha dëgjuar kurrë këtë rresht. Dikush tha se ishte kapitulli 11, vargu 32, që me të vërtetë thotë 'kaal-asmi', që do të thotë 'Unë jam koha, shkatërruesi i botës'. Pra, vetë përkthimi i tij është me të meta. Nuk është "unë jam vdekja". Është koha, koha është shkatërruesi i botës”, tha ai.
Një vëzhgim i ngjashëm bën edhe profesori Stephen Thompson, i cili ka kaluar më shumë se 30 vjet duke studiuar dhe mësuar sanskritishten. Në Wired, Thompson sugjeroi se Oppenheimer "ishte padyshim shumë i tërhequr" nga hinduizmi.
Oppenheimer citon fragmentin nga Bhagavad Gita pasi kryen me sukses testin e Trinitetit në Nju-Meksiko në 1945. "Nëse rrezatimi i njëmijë diejve do të shpërthente në qiell, kjo do të ishte si shkëlqimi i të Plotfuqishmit... Unë po bëhem vdekje, shkatërruesi i botëve", siç përmendet shpesh fragmenti. Njësoj ai hyri edhe në dramën e Nolanit.
Pattanaik e shpjegon interpretimin që Oppenheimer-it i bën vargut nga Bhagavad Gita me nevojën për të gjetur njëfarë ngushëllimi, pasi ai dëshmoi se kërkimi i tij shkencor u kthye në një mjet të vërtetë shkatërrimi. “Ai emocionohet sepse po sheh vdekjen dhe shkatërrimin në një shkallë masive, dhe padyshim po kërkon një lloj sfondi shpirtëror… Ai vjen nga një prejardhje judeo-kristiane, ku Zoti dihet se i ndëshkon njerëzit me përmbytje dhe zjarr. Ky akt i vrasjes së njerëzimit me dhunë është shumë pjesë e traditave biblike; nuk është pjesë e traditave hindu, as pjesë e traditave xhainiste apo budiste... Unë mendoj se ai po kërkonte një ngushëllim dhe e pa këtë varg shumë dramatik", thotë shkrimtari.
Add new comment