Bashkia e Nju Jorkut dëmshpërblen protestuesit e Black Lives Matter
Qyteti i Nju Jorkut do t’u paguajë 13 milionë dollarë qindra protestuesve të arrestuar gjatë demonstratave të George Floyd të vitit 2020. Avokatët e protestuesve e cilësuar këtë si marrëveshja me e madhe e kësaj natyre në Shtetet e Bashkuara.
Protestat në fjalë nisën pas vdekjes së Floyd, më 25 maj 2020. Amerikani me ngjyrë u vra në Minneapolis nga një oficer policie, i cili i vuri gjurin në qafë për nëntë minuta.
Falë marrëveshjes, çdo protestues do të dëmshpërblehet me 9 950 dollarë, kanë qenë mbi 13 mijë protestuesit që u arrestuan gjatë demonstratave të mbajtura mes 28 majit dhe 4 qershorit 2020.
“Taksapaguesve të qytetit do t'u duhet të paguajnë miliona derisa Bashkia të ndalojë përuljet para tekave të dhunshme të NYPD-së,” tha Remy Green, një nga avokatët paditës.
"New York City dhe NYPD mbeten të përkushtuara për të siguruar që publiku të jetë i sigurt dhe e drejta e njerëzve për shprehje paqësore të mbrohet," thuhet në një deklaratë të policisë së Nju Jorkut, e cituar nga Reuters.
Gjykata konkludoi se gjatë protestave për vrasjen e Floyd, policia përdori mbi protestuesit spërkatësit e piperit, shkopinjtë e gomës dhe taktika të tjera të paligjshme.
Protestuesit kishin paditur ish-kryebashkiakun Bill de Blasio dhe kreun tashmë në pension të departamentit të policisë njujorkeze, Dermot Shea, si dhe drejtues të tjerë të policisë. Marrëveshja i çliron ata nga detyrimi për të pranuar fajin.
Vrasja e George Floyd dhe protestat që pasuan i hapën rrugën një lëvizjeje të re kundër racizmit, e cila i kaloi kufijtë e Amerikës.
Pas Nju Jorkut, në shumë vende anembanë globit nisën një valë protestash nën moton Black Lives Matter.
Add new comment