Formula që e bëri Gjermaninë ekonominë më të madhe të Europës nuk funksionon më
Kompanitë më të mëdha gjermane po ikin nga atdheu. Gjiganti gjerman i fertilizuesve, BASF, është njëri prej tyre. Në treg prej më shumë se 150 vjetësh, një nga markat më të famshme "Made in Germany", BASF ka tashmë një kompleks modern në Kinë, në të cilin ka investuar plot 10 miliardë dollarë.
Ndërsa zgjerohet në Azi, kompania po tkurret në Gjermani. Në shkurt, BASF njoftoi mbylljen e një fabrike plehrash në qytetin e saj të lindjes, Ludwigshafen dhe objekteve të tjera, çka çoi në shkurtimin e rreth 2 600 vendeve të punës. Kompania humbi 130 milionë euro në Gjermani vitin e kaluar.
Në ekonominë gjermane, shembuj të ngjashëm ka plot. Pas recesionit të tremujorit të parë, skepticizmi për të ardhmen është rritur dukshëm në kompanitë gjermane.
Ky shqetësim nuk është pa baza. Gati 20 vjet më parë, Gjermania ia doli të hidhte pas krahëve reputacionin si "i sëmuri i Evropës" me një paketë reformash ambicioze të tregut të punës që nxitën potencialin e saj industrial dhe sollën një periudhë të qëndrueshme prosperiteti. Gjermania frustroi shumë partnerë duke eksportuar shumë më tepër se sa po blinte dhe kjo bëri që ekonomia e saj të lulëzonte. Efekti anësor i këtij lulëzimi ishte siguria e rreme që morën liderët e saj. Reformat nuk përparuan dhe tani po shihen pasojat, te të cilat kanë ndikuar edhe faktorë si kostot e larta të energjisë, mungesa e punëtorëve dhe burokracia.
Në mungesë të një kthese të papritur, është e vështirë të shmanget konkluzioni si Gjermania po shkon drejt një rënieje ekonomike shumë më të thellë. Shifrat janë pesimiste. Papunësia u rrit me rreth 200 000 në qershor, një muaj kur kompanitë normalisht shtojnë vende pune. Porositë e reja në kompanitë inxhinierike të vendit, prej kohësh tregues i shëndetit të ekonomisë gjermane, kanë pësuar rënie progresive. E njëjta gjë po ndodh në të gjithë ekonominë gjermane, nga ndërtimi te kimikatet.
Edhe interesi i huaj për Gjermaninë si vend investimi po zvogëlohet. Numri i investimeve të reja të huaja në Gjermani ra në vitin 2022 për të pestin vit radhazi, duke shënuar pikën më të ulët që nga viti 2013.
Si ekonomia më e madhe në Europë, ajo e Gjermanisë pritet t’i dërgojë “dridhjet” në të gjithë kontinentin.
Mbështetja e vendit në industri e bën atë veçanërisht të prekshëm. Me përjashtim të prodhuesit të softuerëve SAP, sektori i teknologjisë në Gjermani në thelb nuk ekziston. Në botën financiare, lojtarët e saj më të mëdhenj janë më të njohur për probleme (Deutsche Bank) dhe skandale (Wirecard). Prodhimi përbën rreth 27 për qind të ekonomisë së saj, krahasuar me 18 për qind në SHBA.
Ndikim negativ ka edhe fakti se segmentet më të rëndësishme industriale të Gjermanisë - nga kimikatet tek makinat te makineritë - i kanë rrënjët në teknologjitë e shekullit XIX. Diversifikimi ekonomik nuk ka bërë hapa para.
P.sh., Gjermania ishte pioniere e teknologjisë moderne të paneleve diellore dhe u bë prodhuesi më i madh në botë në fillim të viteve 2000. Por pasi kinezët kopjuan dizajnet gjermane dhe mbushën tregun me alternativa të lira, prodhuesit gjermanë të paneleve diellore u dëmtuan rëndë.
Inovacioni sjell rritjen ekonomike dhe teksa industria tradicionale e Gjermanisë bie, pyetja është se cila gjë e re e madhe do ta zëvendësojë atë. Deri më tani, nuk ka asgjë në horizont.
Gjermania renditet vetëm e teta në Indeksin Global të Inovacionit, një renditje vjetore e përpiluar nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale të KB. Në Evropë, nuk është as në tre të parat.
Në inteligjencën artificiale, një teknologji që shumë analistë të tregjeve besojnë se do të nxisë rritjen ekonomike për gjeneratën e ardhshme, Gjermania sërish është mbrapa. Vetëm katër nga 100 punimet shkencore më të cituara mbi AI në 2022 ishin gjermane. Shifra është shumë e ulët nëse e krahason me 68 që kishte SHBA-ja dhe 27 Kina.
Fuqia e teknologjisë për të transformuar një ekonomi - ose për ta lënë atë pas - është e dukshme kur krahasojmë trajektoret e Gjermanisë dhe SHBA-së gjatë 15 viteve të fundit. Gjatë asaj periudhe, ekonomia e SHBA-së, e nxitur nga një bum në Silicon Valley, u zgjerua me 76 përqind në 25.5 trilion dollarë. Ekonomia e Gjermanisë u rrit me 19 për qind në 4.1 trilion dollarë. Praktikisht, nëse përllogarisim duke marrë si njësi matëse dollarin, SHBA-ja shtoi ekuivalentin e gati tre Gjermanive në ekonominë e saj gjatë asaj periudhe.
Erozioni i bërthamës industriale të Gjermanisë do të ketë një ndikim thelbësor në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Gjermania nuk është vetëm lojtari më i madh i Evropës; ai gjithashtu funksionon si qendra e një rrote, pasi lidh ekonomitë e ndryshme të rajonit si partneri dhe investitori më i madh tregtar për shumë prej tyre.
Gjatë tre dekadave të fundit, industria gjermane e ka kthyer Evropën Qendrore në zemrën e prodhimit. Porsche e prodhon SUV-në e saj më të shitur Cayenne në Sllovaki, Audi ka prodhuar motorë në Hungari që nga fillimi i viteve 1990 dhe prodhuesi premium i pajisjeve elektrike Miele prodhon makina larëse në Poloni.
Problemet e ekonomisë në Gjermani janë shumë thella dhe kryesisht të shkaktuara vetë. Dhe nuk kanë zgjidhje të lehta.
E thënë thjesht, formula që e bëri Gjermaninë fuqinë industriale të Evropës – një fuqi punëtore shumë të aftë dhe kompani inovative të mundësuara nga energjia e lirë – është zhbërë.
Gjermania po ecën me shpejtësi drejt një gremine demografike që do t'i lërë kompanitë e saj pa inxhinierë, shkencëtarë dhe punëtorë të tjerë të aftë, që janë të domosdoshëm për të qëndruar konkurrues në tregun global. Brenda 15 viteve të ardhshme, rreth 30 për qind e fuqisë punëtore të Gjermanisë do të arrijë moshën e pensionit.
Plakja e popullsisë nuk është problemi i vetëm. Të rinjtë gjermanë duan punë të sigurta, ndaj preferojnë më shumë shtetin se nisjen e një biznesi.
Përpjekjet për të kompensuar mungesën në rritje të punëtorëve përmes migrimit kanë dështuar deri më tani. Azilkërkuesit që pranon gjerësisht Gjermania, nuk kanë përgatitjen e duhur për të plotësuar stafin e kompanive.
Javën e kaluar, ligjvënësit gjermanë miratuan një ligj të ri imigracioni që heq shumë nga barrierat burokratike me të cilat janë përballur punëtorët e huaj të kualifikuar për t'u zhvendosur atje. Krahasuar me Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë ose SHBA-në, Gjermania si opsion për të jetuar është pak më i vështirë, për shkak të taksave të larta, vështirësisë për të mësuar gjuhën dhe një kulturë që shpesh është më pak se mikpritëse për të huajt.
Duke ndaluar dërgesat e gazit natyror në Gjermani, Kremlini ia doli t’i hiqte shtyllën kryesore modelit gjerman të biznesit, i cili mbështetej në aksesin e lehtë në energjinë e lirë. Megjithëse çmimet e gazit me shumicë janë stabilizuar kohët e fundit, ato janë ende afërsisht trefishuar në krahasim me peridhën para krizës.
Megjithëse publiku në përgjithësi duket i pavetëdijshëm për sfidat ekonomike që janë reale, ata që janë në vijën e parë nuk kanë iluzione.
“Zhvillimet gjeopolitike e kanë bërë të qartë se modeli ynë ekonomik nuk është më një garantues i prosperitetit,” tha Andreas Rade, drejtori menaxhues i Shoqatës për Industrinë Gjermane të Automjeteve, krahu kryesor lobues i sektorit.
As industria e famshme automotive gjermane nuk e bën këtë të mundur. Një sektor i fuqishëm i ekonomisë, që mban rreth ¼ e prodhimit, ai i automobilave nuk po kap dot trendin e modeleve elektrike në vend.
Një studim i fundit i 128 furnizuesve gjermanë të makinave nga VDA, grup industrial, zbuloi se asnjë i vetëm nuk planifikonte të rriste investimet në tregun vendas. Më shumë se një e katërta po i planifikonin të zhvendosnin operacionet jashtë vendit.
Pavarësisht eksodit industrial të vendit, pjesa më e madhe e politikanëve gjermanë i mohojnë sfidat politike dhe ekonomike, me të cilat do të përballen shumë shpejt.
Lobistët e industrisë argumentojnë se ndërvarësia midis Kinës dhe Gjermanisë do të jetë pozitive në afat të gjatë, por një logjikë e ngjashme lidhte dikur Berlinin me gazin rus - me pasoja katastrofike. Nuk ka asnjë tregues se investimi gjerman në Kinë po pakësohet. Vitin e kaluar, kompanitë gjermane investuan 11.5 miliardë euro në Kinë, një shumë rekord.
Disa ekspertë e përshkruajnë si asimetrike ndërvarësinë ekonomike Gjermani-Kinë, që do të thotë se kompanitë gjermane janë shumë më të varura nga Kina sesa anasjelltas.
Në një moment, gjermanët do të zgjohen nga rreziqet me të cilat përballen. Pyetja është nëse ata do të bëjnë diçka për këtë para se të jetë tepër vonë.
/ Me shkurtime nga Politico.eu /
Add new comment