Akullnajat më të vjetra në Tokë gjenden në Afrikën e Jugut

Postuar në 13 Korrik, 2023 13:57

Gjurmët e akullnajave më të vjetra të Tokës janë gjetur nën depozitat e arti në Afrikën e Jugut. Ato datojnë 2.9 miliardë vjet më parë dhe janë zbuluar nga dy studiues nga Universiteti i Afrikës së Jugut në Johannesburg dhe Universiteti Amerikan i Oregonit. Rezultatet e kërkimit të tyre u paraqitën së fundmi në Konferencën e Gjeokimisë Goldschmidt, pasi u botuan në revistën “Geochemical Perspectives Letters”.

Zbulimi nënkupton dy shpjegime të mundshme: ose kontinenti afrikan, në atë kohë, ishte më afër Polit të Jugut, ose Toka po kalonte një periudhë të panjohur deri më tani, e karakterizuar nga një klimë jashtëzakonisht e ftohtë.

"Ne gjetëm depozita akullnajore të ruajtura jashtëzakonisht mirë pranë fushave të arit të Afrikës së Jugut", thotë Ilya Bindeman nga Universiteti i Oregonit.

 “Kjo është një nga zonat e pakta të botës që ka mbetur e paprekur dhe e pandryshuar që nga epokat e lashta. Këto janë morenat akullnajore të fosilizuara, d.m.th mbeturinat e lëna nga një akullnajë ndërsa shkrihet dhe tërhiqet: ato janë depozitat më të vjetra të morenave të gjetura ndonjëherë. Për më tepër - vazhdon Bindeman - ne mundëm t'i lidhim këto gjurmë me analizat kimike të bëra në mostrat e shkëmbinjve, të cilat tregojnë se klima duhet të ketë qenë shumë e ftohtë kur u formuan".

Zbulimi u konfirmua përmes analizës së izotopeve të oksigjenit të pranishëm në shkëmbinj. Ajo tregoi se shkëmbinjtë u formuan gjatë temperaturave të ngrirjes. "Nëse kësaj dëshmie i shtojmë gjurmët e morenave të fosilizuara akullnajore - komenton Bindeman - i vetmi shpjegim i mundshëm janë akullnajat, më të vjetrat e gjetura ndonjëherë në Tokë".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.