Spanjishtja është spanjishte, kudo që të flitet
Real Academia Española ose Akademia Mbretërore Spanjolle, institucionit më i lartë gjuhësor në botën spanjisht-folëse kundërshton propozimin për termin "Ñamericano", si zëvendësues për spanjisht. Propozimi u bë nga gazetari argjentinas, Martín Caparrós, me argumentin se termi i ri shmang origjinën koloniale dhe paqyron kontinentin ku jetojnë aktualisht shumica e folësve.
Akademia Mbretërore Spanjolle, e themeluar në 1713, është e njohur për përpilimin e fjalorit autoritar të gjuhës spanjolle. Ajo ka vepruar shpesh si gardiane e gjuhës, duke imponuar përdorimin e saktë të saj dhe duke refuzuar termat e ardhura nga anglishtja.
Drejtori i Akademisë Mbretërore Spanjolle prej 46 anëtarësh, Santiago Muñoz Machado, e refuzoi në mënyrë kategorike propozimin e Caparrós.
“Është një vërejtje e zgjuar dhe me humor, por vetëm kaq”, tha Machado për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE, sipas AFP.
“Askush nuk e vë në dyshim se gjuha quhet spanjisht ose kastiliane. Kushtetuta jonë thotë kastiliane dhe në Amerikë thonë kastiliane ose spanjolle,” shtoi ai.
Gazetari që bëri propozimin ka shkruar në vitin 2021 një libër folësit e spanjishtes në Amerikë, me titullin "Ñamérica".
"Shkronja ñ është një "arketip" që modifikon idenë e asaj çka është amerikane, për ta bërë atë tonën," tha ai.
“Bota është plot me vende që flasin gjuhë, të cilat emërtohen sipas vendit kolonizues. Anglishtja dhe frëngjishtja, natyrisht. Edhe spanjishtja”, shtoi Caparrós.
Ndërsa akademia ka bërë përpjekje vitet e fundit për të përfshirë studimin dhe përdorimin e spanjishtes në Amerikën Latine në punën e institucionit, selia e saj mbetet në Madrid dhe zyrtarët e saj të lartë janë spanjollë.
Caparrós dhe të tjerë kanë argumentuar se më pak se 10% e gjysmë miliardë spanjishtfolësve të lindur në botë jetojnë në Spanjë, ndërsa vendi ruan një nivel joproporcional të kontrollit mbi mënyrën se si gjuha mësohet dhe rregullohet.
Akademia ka qenë gjithnjë strikte në ruajtjen e gjuhës. Vitin e kaluar, Muñoz Machado hodhi poshtë si një "manifestim politik" një prirje në zhvillim për ta bërë gjuhën neutrale gjinore - për shembull, duke zëvendësuar "niño" (djalë) dhe niña (vajzë) me "niñe" (fëmijë).
“Nuk është pjesë e gramatikës, nuk është ortodokse dhe ndoshta në shumë vende nuk do të kuptohet" tha ai për mediat kiliane. “Është një shprehje pa realitet praktik.”
Add new comment