Joseph: SHBA po krijon një krizë në Kosovë
Ish-zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph, thotë se SHBA-ja po krijon një krizë në Kosovë.
Në një opinion të publikuar në “Foreign Policy”, Joseph shkruan se Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duhet të mendohet mirë nëse “ia vlen ky çrregullim rajonal dhe dëmtim i reputacionit të SHBA-së, për ta kënaqur një autokrat serb”.
Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokratik në Prishtinë, e në anën tjetër përshëndetja e një autokrati manipulues e pro-rus, të cilin ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill e quajti ‘partnerin më të mirë të SHBA-së’, duhet ta bëjë Blinkenin të ndalet pak. Në vend që të lejojë frustrimin ta drejtojë politikën e tij karshi Kosovës, apo që të lejojë iluzionin të drejtojë politikën e tij karshi Serbisë, Blinkeni duhet të rishqyrtojë urgjentisht qasjen e administratës së tij.
“Blinkeni duhet ta mbyllë turneun e tij në Bruksel, me Borrellin e përfaqësuesin special të BE-së për rajonin, Miroslav Lajçak. Blinkeni duhet t’ua kujtojë diplomatëve se marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës mban emrin e BE-së. Brukseli nuk mund të fshihet më prapa linjës se është thjesht lehtësues. SHBA-ja dhe BE-ja, në vend të një “paqartësie konstruktive”, duhen të përqëndrohen në qartësi. Është urgjent një sekuencim i hekurt i hapave që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin për ta zbatuar marrëveshjen, dhe atë ta bëjnë shpejt brenda këtij viti”, shkruan Joseph.
Sipas Joseph, “ndëshkimi i administratës Biden ndaj Kosovës mund të shkojë edhe më tej.
“E frustruar me kryeministrin e Kosovës që nuk ka ofruar kushtet e tij për themelimin e Asociacionit, dhe e zemëruar me opracionin e tij të fundit, e të pamatur policor në veri të Kosovës të dominuar nga serbët, administrata Biden ka ndëshkuar tashmë Kosovën dhe është gati t’i shkaktojë më shumë dhimbje”, ka shkruar Joseph.
Add new comment