Sabotimi në Nord Stream, hetimet çojnë në Poloni
Hetuesit në Gjermani po shqyrtojnë provat që sugjerojnë se një ekip sabotazhi përdori Poloninë si bazë operative për të hedhur në erë tubacionet Nord Stream në Detin Baltik, raporton Wall Street Journal (WSJ).
Hetuesit kanë vënë nën lupë jahtin « Andomeda », i cili ka kryer një udhëtim 2-javor në zonën e tubacioneve në kohën kur ndodhi incidenti.
Persona që kanë bashkëpunuar me hetuesit u kanë thënë atyre se ekuipazhi i jahtit vendosi eksplozivë në thellësi të detit në Nord Stream 1, përpara se të vijonin lundrimin për në Poloni. Hetuesit gjermanë po shqyrtojnë mostrat e ADN-së të gjetura në anije, ku mendohet se të paktën njëri prej pjesëtarëve të ekuipazhit ka qenë ushtar ukrainas.
Në filtrin e hetuesve janë kaluar ndërkohë të dhënat nga radio dhe pajisjet e navigimit të Andromedës, si dhe telefonat satelitorë dhe celularë dhe llogaritë e Gmail që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
“Të marra së bashku, detajet tregojnë se anija lundroi rreth secilit prej vendeve ku ndodhën shpërthimet më vonë – dëshmi që forcoi besimin e hetuesve se Andromeda ishte instrument i përdorur për shkatërrimin e tubacionit,” shkruan WSJ.
Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022 e vuri në qendër të vëmendjes politike mbështetjen e Evropës te gazi natyror rus. Shkatërrimi i tubacioneve Nord Stream përshpejtoi kalimin e rajonit tek furnizuesit e tjerë të energjisë.
Në fillim të kësaj jave, Washington Post raportoi se qeveria amerikane mësoi nga një agjenci evropiane e inteligjencës për një plan sekret të ushtrisë së Ukrainës për të sulmuar tubacionet duke përdorur zhytës, të cilët raportuan drejtpërdrejt te komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura tre muaj përpara shtatorit.
Pak ditë më parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mohoi përfshirjen e qeverisë së tij në sabotimin e tubacioneve të gazit.
“Unë jam president dhe jap urdhra në përputhje me rrethanat. Asgjë e tillë nuk është bërë nga Ukraina. Unë kurrë nuk do të veproja në këtë mënyrë”, tha Zelenskyy, duke kërkuar prova për përfshirjen e Ukrainës.
Mediat gjermane në mars identifikuan përfshirjen e mundshme në sulm, të një jahti nga një kompani me bazë në Poloni, në pronësi të qytetarëve ukrainas.
Add new comment