Kurti: Nuk ka zgjedhje të reja pa tërheqjen e bandave kriminale serbe
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se hapi i parë për çtensionimin e situatës në veri është largimi i bandave kriminale. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër.
« Rruga përpara për depërshkallëzimin e situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe të drejtë të marrëveshjes bazike”, ka thënë Kurti.
Kurti shtoi se deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, kryetarët e dalë nga zgjedhjet e 23 prillit duhet të ushtrojnë detyrën.
“Këta [kryetarët e tanishëm] kanë marrë pak vota, po të tjerët s’kanë marrë aspak vota. Serbët duhet të dalin në zgjedhje, dhe jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale”, ka deklaruar ai.
Add new comment