Forca e Perëndimit e deleguar te dy mediokër

Postuar në 07 Qershor, 2023 12:57

Dy ndërmjetësit perëndimorë për krizën në Kosovë, Escobar dhe Lajçak, kanë deklaruar pas takimit me Aleksander Vuçiç se presidenti serb është i gatshëm të kontribuojë në zgjidhjen e saj. Asnjë fjalë për përgjegjësitë të cilat i kërkuan vazhdimisht në Kosovë dhe Prishtinë.

Për ta bërë edhe më të njëanshëm të ashtuquajturin ndërmjetësim, në media ka nisur të dalin të dhënat e para për sanksionet e mundshme ndaj Kosovës, duke prekur edhe liberalizimin e vizave. Më tej akoma, burokrati i dështuar amerikan Escobar, ka deklaruar se zgjedhjet e reja në Veri nuk duhet të presin fundin e korrikut, por ato duhen shpallur që tani. A thua bota nuk funksionon po qe se në katër komuna për këtë muaj nuk ka kryebashkiakë serbë.

Për çështjen e zgjedhjeve, presidentja Osmani ka sqaruar se një mënyrë ligjore për zgjedhjet është peticioni i nënshkruar nga 20% e votuesve, në mënyrë që të akomodohet edhe një zgjidhje kushtetuese. Diçka që askush nuk po do ta dëgjojë. Ajo që bën përshtypje në këtë konteskt është intensiteti i kërcënimeve ndaj Prishtinës zyrtare, që vijnë tashmë njësoj si në rastin e kërcënimeve ndaj opozitës në Shqipëri. Escobar citohet nga mediat serbe të jetë shprehur se:

Nese Prishtina nuk do partnership, atëherë do të largohet nga aleanca me NATO-n, që është në vetvete një pasojë e madhe

Ka tagër që ta thotë një gjë të tillë një zyrtar si Escobar? Dhe a ka kuptim që një situatë si kjo të mbërrihet deri në këtë pikë? Në fund le të shohim pak sesi spërdridhet ky i ashtuquajtur i Dërguar i Posaçëm kur vjen puna te parashtrimi i problemeve. Gjatë konferencës për shtyp në Serbi, Escobar ka theksuar edhe se:

Formimi i Asocacionit të komunave me shumicë serbe është një kërkesë LIGJORE për Prishtinën…Është në Marrëveshjen e Brukselit, në konkludimet e Këshillit Evropian, dhe në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit. Nëse Kosova dëshiron t’i bashkohet procesit të integrimit euroatlantik, atëherë duhet ta përmbushë këtë

Po zgjedhjet në Veri dhe mandati i të zgjedhurve nuk janë një problem që kërkon trajtim ligjor? Kushtetues? Pse kërkohet të imponohet një axhendë këtu duke shpërfillur kërkesat ligjore e kushtetuese të Kosovës, ndërkohë që nuk thuhet asgjë për Kushtetutën serbe dhe Asocacioni prevaloka si kërkesë ligjore e një marrëveshjeje ndërkombëtare?

Janë njerëz si Escobar që e kanë ulur në tokë SHBA dhe e kanë bërë të duket tanimë si një fuqi të cilës i ka mbetur Forca dhe mediokriteti. Bashkohen këto të dyja dhe bota bëhet vend shumë i rrezikshëm.

s.zaimi

Comments

Submitted by genti (not verified) on

sperdridhet i ashtuquajturi i derguari i posacem...bravo analize perfekte

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.