Pija që hap derën e mëkatit

Postuar në 02 Qershor, 2023 22:42
Lily Moore - Universiteti i Melbourne

 

Romakët e lashtë e nderonin verën. Pije e arritshme për masat, vera ishte element themelor i jetës së zakonshme dhe pjesë e domosdoshme e ekonomisë dhe tregtisë romake. Përdorej në një sërë praktikash: si ilaç në trajtimet mjekësore, si përbërës i zakonshëm në gatim dhe në ceremonitë fetare. Pavarësisht vendit që kishte në jetën e përditshme të romakëve, burimet antike dëshmojnë vazhdimisht se ishte pije problematike kur konsumohej nga gratë. Roma e lashtë ishte një shoqëri patriarkale në të cilën gratë perceptoheshin si objekte që u përkisnin burrave.

Ligji dhe tradita romake i jepnin një rëndësi të veçantë rregullimit të autonomisë trupore të grave. Shkrimtarët e lashtë meshkuj i vlerësuan dhe kontekstualizuan kufijtë e moralit femëror në lidhje të drejtpërdrejtë me nocionet e meshkujve auctoritas (pozicionimi shoqëror dhe autoriteti) dhe dignitas (reputacioni dhe vlera). Një nga mënyrat se si u kodifikua ky kontroll mbi gratë ishte nëpërmjet praktikës së tyre të pijes.

Ndëshkim për pijen

Në ligjet zakonore të Romës së hershme, disiplina kur ishte fjala për konsumin e alkoolit u krijua përmes ndëshkimit. Gjatë periudhave më të hershme të historisë së Romës dhe deri në periudhën e Mesme Republikane, ndëshkimi prej burrave i grave që pinin ishte zakon i sanksionuar shoqëria. Shumë burime të lashta romake flasin për dehjen e grave dhe tradhtinë bashkëshortore si pasojë. Në vitin 2 p.e.s., Julia, e bija e perandorit August, u internua nga Roma nga i ati për shkak të shkeljes së kurorës. Një nga gjërat që i ndaloi Augusti Julias ishte vera. Me këtë vendim, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj tradhtisë së saj bashkëshortore, Augusti po theksonte një precedent ideologjik dhe historik që ishte thelbësisht romak. Kishte një bindje në masë që dehja e grave i çonte ato në shthurje. Në disa raste, deri në vdekje. Një nga rastet që sillej si shembull ose tregohej si anekdotë morale ishte ai i Egnatius Meceniusit (një bashkëkohës i Romulit), i cili e vrau të shoqen sepse kishte pirë verë.

Lista e historive si kjo vazhdon: një grua vdiq nga uria si ndëshkim se i vodhi familjes çelësat e bodrumit të verës, një tjetre iu hoq paja pasi u zbulua se e kishte tepruar me verë. Detyrimi për të qenë esëll ishte baras me të qenit e virtytshme. Disa burime thonë se ishte praktikë e zakonshme që të afërmit e tyre meshkuj t’i puthnin gratë, në mënyrë që të zbulonin nëse ato kishin pirë apo jo. Sipas disa historianëve romakë, vera ishte tërësisht e ndaluar për gratë. Por studimet e fundit tregojnë se romaket e lashta në fakt konsumonin verë.

Dëshmitë arkeologjike flasin për konsumimin e verës nga gratë që nga koha, për të cilën burimet e lashta të shkruara thonë ndryshe. Vitet e fundit, gërmimet në të gjithë Italinë kanë zbuluar varre femrash që përmbajnë amfora verërash të importuara dhe pajisje për pije, që datojnë që nga periudha arkaike.

Tani besohet se gratë pinin verë, por vetëm disa varietete specifike. Disa lloje vere, si "passum", e bërë me rrush të thatë, ishin ndoshta brenda kufijve të rreptë gjinorë të pijes. Gratë pinin në festivalin e Bona Dea ("Perëndeshës së Mirë"), një kult fetar vetëm për femra. Gjatë ritualit, vera i ofrohej me ceremoni perëndeshës dhe konsumohej nga gratë. Megjithatë, edhe këtu pirja e verës kishte nënkuptime, pasi përshkruhej si "qumësht" dhe mbahej në "qypa mjalti". As perëndesha të cilës i kushtohej rituali nuk mund t'u shpëtonte pasojave brutale të dehjes së saj. Sipas mitit, Bona Dea u rrah për vdekje nga perëndia Faunus vetëm sepse e kishte tepruar me verë.

Një pije e pranueshme nga shoqëria

Ajo që dimë për praktikat e pirjes së alkoolit të grave gjatë periudhave të hershme të historisë romake vijnë nga burimet greke dhe latine të krijuara shekuj më vonë. Autorët meshkuj të këtyre teksteve e mitologjizuan shumë të kaluarën, shpesh për të përcjellë ligësinë e supozuar të kohës kur jetuan. Në ndërtimin e një praktike të maturisë femërore, ku pirja e alkoolit rezultonte me pasoja të tmerrshme, shkrimtarët e lashtë nënvizuan një lidhje të drejtpërdrejtë midis aktit të pirjes dhe sjelljes shoqërore që pritej nga gratë. Kur ndodhi kalimi nga Republika në Perandori (rreth shekullit të parë p.e.s.), ishte zakon që gratë të pinin verë. Me popullarizimin e konviviumit romak (një lloj banketi ose darke) dhe rritjen e vlerësimit kulturor për vreshtarinë, pjesëmarrja e femrave në këto praktika sinjalizoi një dritë jeshile se ato mund të pinin.

Livia, gruaja e perandorit Augustus, thuhet se ia dedikonte jetëgjatësinë e saj një varieteti vere nga Istria. Për gratë e Romës së lashtë, pirja e verës nuk ishte diçka që duhej parë me indiferencë. 

The Conversation

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.