Odiseja e një regjisori shqiptar në Korfuz
Mirjan Gjergjevica është një personazh me një rrugëtim interesant sikurse hebrenjtë e dokumentarit të tij “Hebrenjtë e Korfuzit”, i pari mbi hebrenjtë e Korfuzit. Ideja e dokumentarit lindi gjatë kohës së karantinës dhe u realizua pa asnjë mbështetje financiare. Për herë të parë u shfaq në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Selanik, në vitin 2022 dhe që atëherë, dokumentari ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve nga bota e produksionit dhe e kinematografisë. Origjina e paraardhësve të tij është nga Gjergjevica e Korçës, ai vetë ka lindur në Berat, është rritur në Elbasan, në moshën 8 vjeçare u largua për në Greqi dhe 11 vjeç u vendos në Vlorë, për të emigruar sërish në moshën 18 vjeçare drejt Athinës. Herën e parë, më thotë, kur ishte ende fëmijë, e kaloi kufirin në mënyrë të ligjshme, ndërsa herën e dytë, do të jetë një klandestin shqiptar, i etur për të rizbuluar vendin dhe gjuhën e harruar greke. Pas një odiseje të gjatë, destinacioni i tij përfundimtar do të jetë Korfuzi, ku tashmë ai zotëron “Mirjan films” një kompani produksioni fotografish, videosh dhe filmash.
***
Kur ju kontaktova për herë të parë, u befasova nga fakti që shkruanit kaq rrjedhshëm e pa gabime në shqip, pasi shumica e të rinjve shqiptarë që janë larguar në moshë të vogël nga Shqipëria, nuk janë në gjendje të komunikojnë kaq mirë. Por, habia ime filloi të tretej kur më thatë që vitet e para të fillores i bëtë në Greqi dhe 11 vjeç për arsye personale u kthyet në Shqipëri. Si ishte ky proces riatdhesimi pas një ndërprerje të beftë të shkollimit primar në Greqi?
Ah, kujtimi i riatdhesimit më është ngulitur thellë në mendje, pasi shënoi një kthesë 180 gradë në jetën time. Kthimi në Shqipëri në moshën 11-vjeçare, ndodhi papritur. Mosnjohja e sistemit arsimor shqiptar më shtoi frikën, pasi u përballa me një gjuhë dhe program mësimor, që ishin të reja për mua. Nga nxënës i dalluar në Greqi, arrita të jem nga nxënësit më të prapambetur. Sfidat me të cilat u përballa gjatë atyre viteve të hershme, më mësuan si t’i përshtatem çdo sistemi të ri dhe më dhanë forcë, që të kapërcej problemet. Kjo vlen për të na kujtuar, se rrugët tona në jetë janë shpesh të paparashikueshme, por që mbajnë brenda tyre farat e transformimit dhe potencialin për të formuar fatin tonë.
Çfarë ju shtyu pas 7 vitesh të largoheshit sërish dhe si ishte ky rrugëtim i kundërt riintegrimi në atdheun tuaj të dytë?
Në vitin e fundit shkollor në Greqi, ndiqja një klasë me mësime jashtëshkollore, të cilat kishin të bënin me vizatim dhe teatër për fëmijë. Ato mësime patën një rol kryesor dhe më ndihmuan që në fëmijëri për të gjetur, se çfarë drejtimi do të merrja përsa i përket profesionit që zgjodha si i rritur. Këto mësime fatkeqësisht u ndërprenë me kthimin tim në Shqiperi. Pavarësisht se vazhdova shkollën në Shqipëri dhe krijova shoqërinë time, gjithmonë kisha në mendje, që do të vinte koha, që do të kthehesha sërish në Greqi. Mendova, që në Greqi do të kisha më shumë mundësi për të ecur përpara në botën e artit. Nga mosha 15 vjeç bëra shumë aplikime për vizë turistike drejt Greqisë, të cilat dështuan ngaqë isha i mitur dhe po drejtohesha vetëm drejt një shteti të huaj. Pas aplikimit tim të fundit, kur sapo mbusha18 vjeç, i cili dështoi sërish, mora vendimin të shkoj në Greqi në mënyrë të paligjshme. Para disa ditësh ishte ndarë nga jeta dhe gjyshja ime me të cilën jetoja në Shqipëri, kështu që ishte edhe kjo një arsye, që më bëri të largohem.
Ishin të ndjeshme ndryshimet në Greqi gjatë kësaj periudhe mungese?
Jashtëzakonisht! Greqia dhe sidomos Athina, se atje kisha jetuar më parë, kishin ndryshuar shumë. Kur u ktheva sërish në Athinë mbas 7 vitesh në moshën 18 vjeçare, Athina s’ngjante në asgjë me atë të kujtimeve të mia të dikurshme. Isha tashmë i rritur dhe fillova të përballem me fytyrën e ashpër të jetës. Fillova të mendoj, se bota e artit nuk është për mua dhe nën ndikimin e familjes sime, nisa të besoj se duhet të gjeja një punë normale. Kështu fillova të bëj punë të ndryshme si kamarier, mekanik makinash, hidraulik dhe në lavazh makinash. Por, megjithatë ruaja në mendje, që mund të vijë një ditë, që do arrij të merrem me punë arti dhe do t’i lë pas gjithë të tjerat.
Arsyeja, se përse zgjodhët të filloni për herë të dytë gjimnazin nga e para në greqisht lidhej me dëshirën për të vazhduar studimet universitare në Greqi?
Kur u ktheva në Greqi, lashë përgjysmë vitin e tretë të gjimnazit në Shqipëri. Arsyeja që fillova nga e para gjimnazin në Greqi, lidhej me dëshirën për të vazhduar studimet e larta për regjisor. Gjatë viteve të gjimnazit në Greqi, kuptova se duhej një kohë shumë e gjatë, që të diplomohesha për regji filmi dhe kjo përbënte një problem shumë të madh për mua, sepse nuk kisha mundësitë ekonomike, që të vazhdoja studimet. Në vitin 2012, mësova që përveç studimeve universitare, kishte edhe studime 3 vjeçare në një institut privat, dhe u gëzova shumë, sepse m’u duk sikur u ndez një dritë jeshile për të studiuar për regji filmi. Por, kur pyeta sa kushton kjo shkollë, u dekurajova. Ajo shkollë kushtonte jo më pak se 18 mijë euro në vit. U mërzita shumë, por megjithatë brenda meje ziente dëshira për të mësuar.
Mora në telefon te ky institut privat dhe u thashë, që kam shumë dëshirë që të regjistrohem vitin që vjen dhe nëse kishin mundësinë të më dërgonin me email programin arsimor, që të kem një imazh të parë për mësimet e atyre tre viteve. Ata m’u përgjigjën menjëherë dhe më postuan në shtëpi një revistë me të gjithë materialin arsimor, duke shpjeguar me hollësi të gjitha degët e mësimeve. Atëherë unë fillova duke i kërkuar një nga një në internet dhe youtube, duke i mësuar e praktikuar vetë për një periudhë 3 vjeçare. Fillova gjithashtu të ndjek disa mësime në mënyrë fakultative në Universitetin e Korfuzit, pavarësisht se s’isha i regjistruar si student, mbi video art. Siç më tha dhe profesori, rezultatet që kisha arritur në atë kohë duke mësuar vetë, kishin tejkaluar edhe mësimet e universitetit. Gjëja e mirë ishte se mësova edhe rreth teknikave fotografike, edhe montazhit, edhe skenarit, edhe regjisë së një filmi. Mbaj mend njëherë në universitet erdhi një regjisor, që të na bënte një seminar, me të cilin kishim bashkëpunuar për një film me metrazh të shkurtër. Duke shpjeguar rolet kryesore në prodhimin e një filmi, na tregoi se për ta realizuar atë duhet punë e përbashkët nga shumë veta, dhe nuk mundet një njeri t’i bëjë të gjitha (regji, operator, montazh, ngjyrosje, etj ). U ndal pak dhe pastaj tha duke parë drejt meje “përveç disa rasteve të veçanta”. Mund të quhem autodidakt, dhe që nga 2012 e deri tani, nuk kam ndaluar të mësoj për regji filmi.
Shumica e emigrantëve lakmojnë kryeqytetin, pasi zakonisht mundësitë profesionale që ofrohen, janë më të mëdha. Përse zgjodhët të vendoseshit në Korfuz?
Korfuzi më pëlqen për qetësinë e tij, është më afër natyrës sime. Duke qenë në Korfuz nuk më mungon Shqipëria, mjafton të hipi në maj të malit Pantokrator dhe mund të shikoj që atje brigjet e Sarandës ose të marr tragetin dhe për 20 minuta jam në Shqipëri. Unë besoj që në këtë epokë të re që po jetojmë, mjafton të përpiqesh dhe mundësitë profesionale ndodhen kudo.
Çfarë ju shtyu të angazhoheshit me dokumentarin historik dhe konkretisht me hebrenjtë e Korfuzit?
Nga viti 2017 deri në vitin 2019 punoja në një kanal televiziv të Korfuzit dhe bëmë një reportazh mbi ndërtesat e rrënuara të bashkësisë së hebrenjve të ishullit, që kanë mbetur pa pronësi. Rastisi të marrim intervistë nga një grua, e cila është pasardhëse e hebrenjve që jetonin në Korfuz. Ato që tha m’u dukën interesante dhe mendova se mund të bëj një dokumentar për këtë temë. Kështu në fillim të 2020, me ardhjen e pandemisë mendova se ishte koha e duhur për ta filluar. Kisha shumë kohë të lirë për të krijuar një grup njerëzish, që më ndihmuan dhe iu përkushtova përgatitjes së këtij dokumentari.
Si u prit nga vendasit?
Deri tani kemi bërë 2 shfaqje në Korfuz, kapaciteti i njerëzve që erdhën ishte mbi 100%. Erdhën njerëz nga bashkia, universiteti dhe zona e ishujve jonianë. Reagimi i tyre ishte mjaft i mirë dhe sot e kësaj dite kam kërkesa për shfaqje të tjera nëpër shkolla dhe universitete. Jo vetëm në Greqi, por më kanë ardhur propozime edhe nga Gjermania, SHBA dhe Italia.
Po nga kritika dhe bashkësia më e gjerë e hebrenjve në Greqi?
Kemi marrë shumë mesazhe te faqja zyrtare e dukumentarit në facebook (The Jews of Corfu), që na falënderojnë për punën tonë. Por, edhe regjisorë të tjerë e producentë filmash, më kanë kontaktuar dhe janë të interesuar për një bashkëpunim të mundshëm. Kontakt zyrtar nga ndonjë organizatë të hebrenjve në Greqi, nuk kemi pasur deri tani.
Dokumentari u shfaq për herë të parë në Festivalin ndërkombëtar të filmit në Selanik, vitin e kaluar. Keni menduar ta shpini dhe në festivale të tjera ndërkombëtare?
Po, përveç festivaleve brenda Greqisë, dokumentari është shfaqur në Liberation Docfest në Bangladesh, San Francisco Greek Film Festival dhe San Francisco Arthouse Short Festival, ku arriti edhe në gjysmë finale. Presim përgjigje nga disa festivale të tjera: Golden FEMI Film Festival, SEE film Festival dhe International Human Rights Film Festival Albania në Tiranë. Do të gëzohem shumë, nëse përzgjidhet edhe nga festivali i Tiranës.
Keni projekte të tjera në lidhje me fushën e filmit?
Po, aktualisht, kam përgatitur një histori, që dua ta xhiroj në film me metrazh të shkurtër, jam në kërkim të njerëzve në Korfuz, që do të bashkëpunojmë realizimin e tij. Nuk mund të them më shumë, sepse është akoma në fazën e skenarit.
***
Qëllimi i këtij dokumentari ishte, që të mësojnë njerëzit në Greqi dhe më gjerë mbi kulturën e hebrenjve të Korfuzit, zakonet, martesat, mënyrën e jetesës përmes dëshmive të hebrenjve të paktë, që kanë mbetur. Hebrenjtë e Korfuzit qenë fillimisht hebrenj romanjotë, që flisnin greqisht dhe që jetonin prej shumë shekujsh në qytetin e Korfuzit, konkretisht në kodrën, që vendasit e quanin “Ovriovuni”. Në vitin 1425, kur venedikasit vendosën të bënin fortifikim të ri, hebrenjtë u shpërndanë në krejt qytetin dhe jetonin në lagje të përbashkëta me të krishterët. Por, me kalimin e viteve, filluan të përqëndrohen në mëhallën me sokakë të ngushtë, që sot njihet si mëhalla e hebrenjve. Pas dëbimit të hebrenjve nga Spanja në vitin 1492, mbërritën në Greqi hebrenjtë sefarditë, por shumica e tyre u vendosën në Selanik. Ndërsa në vitin 1540, një valë e re nga Italia e jugut, konkretisht nga Pulia, mbërriti në Korfuz. Një shekull më vonë, bashkësisë pulieze që kishte dialektin e saj, iu shtuan hebrenj nga Portugalia, të ashtuquajturit maranos.
Marrëdhëniet mes bashkësisë më të vjetër romanjote të Korfuzit dhe asaj të hebrenjve të tjerë nuk ishin shumë të mira, kishin sinagoga të ndara, Scuola Greca dhe Scuola Pugliese. Gjatë kohës së venedikasve, për shkak të pozicionit gjeopolitik të ishullit, hebrenjtë e Korfuzit gëzonin shumë privilegje dhe pas “Betejës detare të Nafpaktos” në vitin 1571, ku u vendos dëbimi i hebrenjve nga zotërimet e tyre, hebrenjtë e Korfuzit u trajtuan më mirë. Në fund të shekullit të XVIII, me zotërimin e Korfuzit nga Franca e Napoleonit, për herë të parë bashkësia e hebrenjve të Korfuzit kishte të drejta të barabarta me banorët e tjerë të ishullit. Pasi Korfuzi kaloi në zotërimin e anglezëve (1814-1864), 4000 hebrenjtë që jetonin aty, i humbën privilegjet e mëparshme.
Nuk kishin më të drejta politike, as mund të ushtronin profesionin e avokatit, ndaj dhe për këtë arsye filluan të merreshin me tregti. Me bashkimin e ishujve jonianë me Greqinë, hebrenjtë e Korfuzit morën nënshtetësinë greke. Në 13 prill 1891, pak ditë para festimit të Pashkëve, e bija 8 vjeçe e një robaqepësi hebre, Rubina Sardha, u gjend e copëtuar brenda një thesi. Kjo vrasje u bë shkas, që të fillonin trazirat në ishull, u dogjën shumë banesa hebrenjsh, u dëmtua shtëpia e rabinit dhe u përdhos varreza hebreje. Klima e tensionuar vazhdoi për një muaj, duke pasur si rezultat 25 të vdekur në Korfuz dhe 5 në Zakinthos. Vetëm pas ndërhyrjes së flotës angleze dhe dërgimit të ushtrisë nga pjesa kontinentale e Greqisë, arriti që të qetësohej situata. Si rrjedhojë, për shkak të klimës së pasigurisë që u krijua në ishull, me qindra hebrenj braktisën Korfuzin dhe u larguan drejt Selanikut, vendeve të tjera europiane, Stambollit e Egjiptit. Për herë të parë, dy bashkësitë hebreje, romanjotët dhe puliezët, lanë pas ndasitë dhe u bashkuan mes tyre. Me mbledhjen e gjithë hebrenjve të Korfuzit nga forcat naziste, në 9 qershor 1944, sot në ishull kanë mbetur gjithsej rreth 60 hebrenj. Sinagoga e qytetit nuk funksionon më. Pas bombardimit të Korfuzit në 1943, janë djegur dhe një pjesë e madhe e arkivave.
Burimet : www.jewishmuseum.gr
Add new comment