"Shumëgjuhësia është norma, njëgjuhësia është përjashtim"

Postuar në 23 Maj, 2023 15:19

Anglishtja është e pranishme në të gjithë botën si trashëgimi e qëndrueshme e kolonializmit. Por është njëkohësisht edhe gjuhë globale e tregtisë dhe kulturës që i kapërcen gjuhët lokale dhe i lë ato në hije.

Disa e mendojnë anglishten si dhuratë. Të tjerë e quajnë atë mbytëse.

Mario Saraceni, në një intervistë për CBC, argumenton se duhet ndryshuar qasje për anglishten, për ta parë atë si një gjuhë me versione të shumta që qëndrojnë në baza të barabarta.

Ai është asistent-profesor i gjuhës angleze dhe gjuhësisë në Universitetin e Portsmouth në Britaninë e Madhe.

Përhapja masive e anglishtes ngre pyetjen nëse ajo është dhuratë apo “përbindëshi” që ka mbytur gjuhët e tjera.

Shumë njerëz janë shumë negativë për praninë e anglishtes në këtë kontekst global dhe kanë prirjen ta shohin si njëfarë përbindëshi, si një gjuhë që vret gjuhët dhe kulturat e tjera. Dhe e kolonizon si vazhdimësi e imperializmit e kështu me radhë.

Të tjerët e shohin atë si dhuratë. Është diçka që jep mundësi, që rrit karrierën, e bën më të lehtë komunikimin e zakonshëm dhe atë ndërkombëtar. Fakti është se të dyja këto aspekte janë të vërteta, por ato nuk janë reciprokisht ekskluzive, në kuptimin që kur flasim për një gjuhë globale, në fakt, kur flasim për gjuhën në përgjithësi, ne po flasim për diçka jashtëzakonisht komplekse.

A është termi 'botë anglishtfolëse' një term i dobishëm?

Nuk më pëlqen, veçanërisht sepse sugjeron se çfarëdo qoftë ajo që që ne i referohemi si botë ose vend ose rajon, ajo që priret të thotë termi është se ajo botë ose ajo pjesë e botës flet anglisht. Dhe kjo thjesht nuk është e vërtetë, sepse në shumicën dërrmuese të rasteve, anglishtja ekziston dhe krahas gjuhëve të tjera ose e lidhur me to.

Pra, ndoshta shumica e njerëzve në botë janë multilingualë. Shumë shpesh ata flasin tre ose katër gjuhë dhe anglishtja është një prej tyre. Dhe ndonjëherë anglishtja nuk shfaqet fare. Pra, kur themi botë anglishtfolëse, është e gabuar sepse në njëfarë mënyre fshijmë praninë dhe rëndësinë e gjuhëve të tjera që bashkëjetojnë me anglishten.

Një term tjetër, 'dialekt'. Ju keni një përkufizim shumë të saktë çfarë është dialekti.

Fjala dialekt është paksa problematike sepse dialekti ka tendencë të vijë me konotacione negative. Kur njerëzit mendojnë për një dialekt, ata priren të mendojnë për njëfarë nënstandardi të një gjuhe. Pra, kur dikush thotë se ky është një dialekt i anglishtes ose një dialekt i gjermanishtes ose një dialekt i ndonjë gjuhe tjetër, supozimi është se është një variacion jo standard i asaj gjuhe. Ndërsa në sociolinguistikë, që është fusha ime akademike, ne i konsiderojmë dialektet si varietete -- një formë e një gjuhe. Dhe kështu dallimet nuk janë të mira apo të këqija. Janë thjesht dallime. Ne priremi të preferojmë termin varietet para atij dialekt për të shmangur konotacionin negativ.

Por diçka tjetër interesante në lidhje me dialektin është një pyetje që ne rrallë e bëjmë: cili është në të vërtetë ndryshimi midis një gjuhe dhe një dialekti? Pra, kush vendos nëse një formë e një gjuhe është dialekt dhe një formë tjetër e një gjuhe është gjuha, si të thuash. Dhe kjo në fund të fundit është çështje pushteti. Nëse një grup njerëzish ose komunitet ka më shumë pushtet në një shoqëri, gjuha e tyre ose versioni i tyre i gjuhës ka të ngjarë të jetë standardi, ndërsa çdo gjë tjetër do të konsiderohet dialekt. Në këtë pikë, çështja bëhet shumë politike dhe lidhet shumë me pushtetin.

Ka një përpjekje që lidhet me politikën dhe proteksionizmin kulturor në njëfarë kuptimi, për ta mbajtur anglishten larg nga "ndotja e gjuhëve lokale". Dhe kështu gjithçka përkthehet në një gjuhë lokale, madje edhe fjalë si kompjuter ose telefon. Si njeri që studion gjuhën dhe ndërveprimin e gjuhëve, si mendoni për këtë përpjekje kur shihni këtë lloj nxitjeje për ta mbajtur gjuhën të ashtuquajtur të lirë, origjinale ose autentike?

Mund ta shoh arsyen që qëndron pas kësaj dhe mund të kuptoj pse në disa vende këto përpjekje janë në vend. Por këto përpjekje nuk janë të pasuksesshme, sepse përpiqen të nxjerrin ligje kundër përdorimit të veçantë të gjuhës. Dhe kjo thjesht nuk është e mundur. Njerëzit e përdorin gjuhën si çështje jete.

Mendoj se një nga problemet është se ne priremi t'i konsiderojmë gjuhët pothuajse si objekte konkrete. Pra, kjo është e imja. Kjo është e jotja. Pra, nëse jam francez – po e përdor frëngjishten sepse në Francë është ky ligj - por kjo ndodh edhe në vende të tjera në botë. Pra, nëse unë jam francez, duhet ta zotëroj këtë objekt të veçantë të quajtur gjuha franceze. Dhe në të vërtetë nuk supozohet ta përdor këtë objekt tjetër, i cili quhet gjuha angleze, sepse u përket njerëzve të tjerë dhe nuk më përket mua, nuk është pjesë e identitetit tim e kështu me radhë. Pra, ne priremi t'i shohim gjuhët në mënyrë të tillë, dhe mendoj se kjo është pjesë e problemit.

Ndërsa nëse e shohim gjuhën në mënyrë shumë më fluide, si diçka që është integrale në jetën tonë, dhe jo domosdoshmërisht si e ndarë nga të tjerat, ky do të ishte një hap përpara. Gjuhët nuk janë një lloj objekti i caktuar që do ta gjenim në muze. Është diçka shumë e gjallë, po të përdorim një metaforë. Dhe kështu anglishtja bashkëjeton plotësisht me gjuhët e tjera, jo vetëm në Francë, por në shumë pjesë të tjera të botës. Njerëzit e përdorin anglishten, përdorin edhe gjuhë të tjera dhe i përziejnë të dyja, madje përziejnë edhe tre gjuhë së bashku. Kjo është fiziologjikisht ajo që ndodh në një botë multilinguale. Gjuhët në në vendet shumëgjuhëshe nuk qëndrojnë të ndara.

Në rastin e një shoqërie që flet dy gjuhë, nuk mund t'i ndash ato. Dhe kështu, unë mendoj se ky keqkuptim është për shkak të asaj se sa shumë e kemi lënë mendjen tonë të bindet se njëgjuhësia është norma. Populli gjerman flet gjermanisht, populli italian flet italisht dhe populli spanjoll flet spanjisht e kështu me radhë. Në realitet, në shumicën e pjesëve të botës, njerëzit i flasin të katër gjuhët së bashku në të njëjtën kohë. Shumëgjuhësia është normë. Njëgjuhësia është përjashtim. Kjo është ajo që ne duhet të kuptojmë.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.