Rusia standardizon produktet hallall
Më shumë se një vit pas sanksioneve që i vendosi Perëndimi, si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës, ekonomia ruse nuk reflekton rënie. Strategjia e Rusisë për t’i kundërshtuar sanksionet me politika të reja ekonomike, forcimin e aleancave të vjetra dhe rritjen e numrit të partnerëve ekonomikë jashtë Europës ka rezultuar e suksesshme. FMN rishikoi vlerësimin e fundit për PBB-në ruse për 2022-2023, duke e ngritur me 9.4 pikë përqindjeje në total.
Trendi rritës reflektohet edhe në listën e miliarderëve të Forbes të 2023-shit. Nga 88 në 2022, numri i miliarderëve rusë që kanë hyrë në listë arriti në 110.
Tregu i vendeve myslimane duket se është objektivi i radhës. Rregullatori rus i cilësisë së ushqimit Roskachestvo ka akredituar një agjenci për të kryer certifikimin e brendshëm të produkteve hallall.
Organizata e re, e quajtur Roskachestvo-Halal, do të fillojë certifikimin e tregut në maj dhe pritet që deri në 100 kompani të aplikojnë për etiketën hallall deri në fund të vitit.
Rusia gjithashtu planifikon të zbatojë certifikimin hallall në sektorin e shërbimeve, duke përfshirë hotelierinë, turizmin, industrinë e hotelerisë, shërbimet financiare dhe mjekësore.
Mbikëqyrësi rus veterinar Rosselhoznadzor thotë se në vitin 2022, produktet hallall në tregun rus ushqimor përbënin rreth 10%. Produktet hallall përbëjnë 35% të eksporteve globale të mishit. Arabia Saudite është tregu më i madh i shitjeve në botë, me blerje me vlerë 1.2 miliardë dollarë në vit.
Në shkurt, qeveria ruse miratoi standardet e para mbarëkombëtare të hallallit në përpjekje për të rritur eksportet e ushqimit në vendet myslimane. Eksportet ruse të këtyre produkteve arritën vlerën 180 milionë dollarë në vitin 2021 dhe patën destinacion Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas RT, Objektivi rus për këtë standard të ri të eksporteve është 400 milionë dollarë deri në vitin 2024 dhe 700 milionë dollarë deri në vitin 2030.
Add new comment