Nëse demokratët e duan vërtet Shqipërinë

Postuar në 15 Maj, 2023 23:48
Erjus Mezini


Siç e vunë në dukje Andi Bushati dhe të tjerë, rezultati i zgjedhjeve të radhës nuk duhet të habitë askënd. E njëjta fushë, të njëjtit kundërshtarë, të njëjtat metoda dhe i njëjti rezultat. Këtë ndeshje tashmë e kemi parë kaq herë këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit, saqë kurioziteti i votimeve nuk na zgjat më tepër se një natë. Nëse kishte diçka të re në këto votime ky ishte sistemi elektronik dhe denoncimi i Sali Berishës për manipulime të kompiuterizuara. Pra, nëse në votimet e tjera u fol shumë për çunat e Shijakut, bamirësit që ndanin miell dhe vaj në Fier dhe patronazhistët e Tiranës, në këto votime listës të të denoncuarve iu shtuan sistemi elektronik (kompiuterat?) dhe paguesit e PBDNJ (grekët?). Të tjerat rodhën ashtu siç pritej: 

Spiropalli, Veliaj dhe Gjiknuri nxituan për t’u nxjerrë gjuhën tallëse opozitës (si edhe atyre që nga varfëria socialiste do të detyrohen t’ia mbathin me gomone në Angli), Meta duke deklaruar “jam në autobus”, kurse demokratët duke kafshuar gishtat përpara kryetarit të vërtetë, i cili si gjithmonë vetëshpallet robinhud, nuk i pranon padrejtësitë dhe zhvatjet e “regjimit monist” dhe zotohet se për dy vjet e shumta do t’u mbushë barqet dhe xhepat ndjekësve të tij

Kjo ishte ndeshja, pak a shumë. Ky ishte spektakli i radhës dhe surpriza nuk pati fare. Tani pyetja që na shqetëson të gjithëve ne spektatorëve është se çfarë do të ndodhë me Partinë Demokratike të Shqipërisë (atë të vërtetën dhe atë të vulës bashkë).
 
Sipas reagimit të Sali Berishës dje në mesnatë duket sikur me Partinë Demokratike nuk do të ndodhë asgjë prej gjëje. Kryetari i saj do të vazhdojë të çirret se iu zhvatën votat me apo pa dhunë, vartësit e tij (si Arjan Hoxha i Kamzës) do të recitojnë deklaratën që u nis kryetari me sms (ashtu shkel e shko apo vrap e vrap), populli do të thirret të dalë në rrugë, kurse partitë e vogla do të thirren për bojkotim të institucioneve të demokracisë dhe shtetit.
Ndonëse të gjitha këto janë masa që Partia Demokratike i ka provuar vazhdimisht këto tridhjetë vitet e fundit, prononcimet e Sali Berishës, Arjan Hoxhës dhe Luçiano Boçit dje në mesnatë tregojnë se Partia Demokratike nuk dorëzohet nga avazet e vjetra. Siç e kuptoni, janë avaze të cilat e bëjnë PD-në (me apo pa vetëdije) aleate të qeverisë më të korruptuar që ka prodhuar ky vend në këtë fillimshekull. 

Avaze që e largojnë rininë nga votimet dhe nga vendi, kurse ne spektatorët na bëjnë që t’u vëmë më shumë vesh shfaqjeve të Big Brother, sesa ndonjë gjobitjeje marramendëse që mund t’i shtohet çdo herë Shqipërisë për shkak të udhëheqësit tonë delirant të cilin e kemi taksirat ta mbajmë mend për sa vite që do të na kredhë me taksa dhe me ngritje të Euros, në mënyrë që ne, fëmijët, nipërit dhe stërnipërit tanë (shto këtu edhe bangladeshasit që do të pagujanë goxha euro për vizat, për lejet e punës dhe për pasaportat e Republikës së Shqipërisë) të shlyejmë Bankën Botërore dhe çdo kompani apo individ ndaj të cilëve udhëheqësi i Shqipërisë ka ushtruar arsyetimin e tij tejet të dobët. 

Janë avaze, pra, të cilat flasin qartë se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk i ka seriozisht as zbythjen e udhëheqësit delirant nga pushteti dhe as dashurinë e saj për vendin dhe qytetarin. Nëse Partia Demokratike e Shqipërisë i kishte seriozisht këto dy gjëra, Edi Rama duhet të ishte përmbysur me protestat e vitit 2018të, protestat më masive që ka parë ndonjëherë Shqipëria që mbas Luftës së Dytë Botërore.
 
Ne që kishim fatin të ishim në Tiranë edhe kur ra busti i Enverit edhe kur erdhi sekretari i jashtëm i SHBA, zoti Xhejms Bejker, nuk kemi dëshmuar pjesëmarrje më të madhe se ajo që ndodhi në protestat e vitit 2018të. Dhe nëse Partia Demokratike dhe Partia Socialiste nuk morën ndonjë mësim nga ato protesta jashtëzakonisht masive, ne shqiptarët e tjerë (ne spektatorët që nuk ia kemi ngenë të vrapojmë pas mesazhit që na dërgojnë patronazhistët e Partisë Socialiste dhe militantët e Partisë Demokratike) morëm goxha leksione nga protestat e vitit 2018të.
 
Këto leksione janë:
 
1) Shqiptarët, sidomos rinia, nuk janë aspak të kënaqur me qeverisjen Rama dhe me elitën e vendit.
 
2) Njerëzit e kanë më kollaj të dalin në rrugë kur thirren nga shoqatat jo-politike, sesa kur thirren nga partitë politike. Është fatkeqësi që qeveria Rama po i shkatërron ose po i politizon këto shoqata dhe në rastin e ekonomisë, shteti shqiptar nuk e mundëson ngritjen e sindikatave ku kamarierët, bujqit, bankierët, blegtorët, profesorët, ndërtuesit, etj., t’i shprehin vetë mangësitë dhe kërkesat e sektorit të tyre, pa qenë nevoja që Edvin Rama të vendosë ndonjë ministre papagalle e cila gjasme i shpreh më mirë nevojat e punëtorëve, akademikëve dhe punëdhënësve shqiptarë.
 
3) Shqiptarët nuk i marrin seriozisht opozitën dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë. Kjo duket nga fakti që grupet studentore shqiptare mund të nxjerrin më shumë njerëz në rrugë, sesa Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkë. Veç kësaj, Partia Demokratike u premtoi shqiptarëve se deliranti Edvin Rama do të zbythej nga pushteti në 2018ën. Mirëpo ky premtim nuk u mbajt për arsyen se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kryetari i atëhershëm Lulëzim Basha për një moment menduan pozitën dhe prestigjin e tyre përballë ambasadorëve, në vend se të mendonin ata mijëra të rinj që organizuan protestat më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria që mbas Luftës së Dytë Botërore.
 
4) Shteti shqiptar sot është më i fortë se tridhjetë vite më parë dhe nuk përmbyset as me protesta dhe as me kërcënimet e opozitës (siç ndodhte zakonisht në vitet 1990).
 
Këto ishin leksionet që morëm ne spektatorët e protestave më masive shqiptare dhe frika është e madhe që në Partinë Demokratike mësimi nuk u mor si duhet. Prandaj kjo parti vazhdon me avazet dhe me udhëheqësit e vjetër, ndërkohë kur mijëra shqiptarë ndihen krejt të paralizuar përballë një regjimi që i varfëron gjithmonë e më shumë ekonomikisht, mendërisht dhe shpirtërisht.
 
Nëse Partia Demokratike e Shqipërisë i lexonte si duhej protestat e 2018-ws, atëherë në këto dhe në votimet e shkuara ajo do të përpiqej të bëhej pjesë e rrymës dhe jo udhëheqëse e saj. Mirëpo diçka e tillë nuk ndodhi. Lulëzim Basha ishte i besimit që partia e tij mund të zgjidhte kë të donte për t’u bërë pjesë e opozitës ose për t’u lënë jashtë saj, kurse Sali Berisha sot ka iluzionin se me Ilir Metën mund të zhbësh gabimet që ke bërë tridhjetë vite rresht, përfshi këtu gabimin më trashanik të Sali Berishës, ndryshimin e Kushtetutës dhe e Kodit Zgjedhor në 2008-ën.
 
Që ta mbyllim, nëse sot ka ende njerëz në Partinë Demokratike që e duan vendin dhe nuk duan ta shikojnë Shqipërinë të katandiset si Meksika, e cila në letër është demokraci, por në vepër qeveriset nga e njëjta parti majtiste për shtatëdhjetë vite rresht (Partido Revolucionario Institucional) dhe për po aq vite rresht masakrohet dhe varfërohet nga kartelet e drogës, ka ardhur ora që këta njerëz ta pranojnë se Shqipëria nuk ia arriti kurrë të bëhet sistem dy-partiak si SHBA, Gjermania, Anglia dhe Greqia fqinje.
 
Ndonëse demokratët e konsiderojnë veten të denjë për t’u përballur kokë me kokë me bajlozët e Rilindjes, faktet dhe rezultatet zgjedhore flasin qartë që Shqipëria anon nga vendet ku një parti është partia popullore (si Italia përpara viteve 1990, Izraeli dhe Meksika sot etj.), kurse partitë e tjera janë dytësore dhe mund të vijnë në pushtet vetëm si aleanca. Nëse demokratët, duke vlerësuar humbjet e tyre të njëpasnjëshme, e stamposin në tru që ata janë parti e vogël dhe jo shumë efektikeve përballë bajlozëve të Rilindjes, atëherë ata mund t’i ndreqin gabimet e së shkuarës (sidomos gabimin e ndryshimeve të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor në 2008ën). Në vend se të thërrasin njerëzit që të dalin në protesta, demokratët duhet të thërrasin ambasadorët dhe gjykatat sa herë që zëri i lirë shtypet në Shqipëri. 

Në vend se të flasin vetë për hallet e studentëve, bujqve dhe punëtorëve, demokratët duhet të sigurohen që Shqipëria ka dhjetëra shoqata studentore dhe profesionale që flasin vetë për problemet e tyre (nëse nuk ka ka aq sa duhet, le t’i krijojnë vetë demokratët, ashtu siç krijuan Sorosi me Ramën shoqatën Mjaft). Nëse qeveria u mbyll gojën këtyre aktorëve, në mënyrë që të recitohen idiotësitë e Edvin Ramës nga ministret papagalle, atëherë Partia Demokratike e Shqipërisë duhet ta bëjë alarm në tërë botën. Nëse dalin sërish të bashkuar në votime, atëherë demokratët të mos kërkojnë t’u japin mend partive të tjera, por të mundohen të mësojnë nga ato. 

E vetmja mënyrë që demokratët ta nxjerrin Shqipërinë nga rruga e saj meksikane (ku një parti “socialiste” qeveris për shtatëdhjetë vite rresht dhe mijëra te rinj ose ekzekutohen nga kartelet e drogës ose dërgohen refugjatë nëpër botë) është duke përdorur një aleancë të madhe dhe duke i ndryshuar rregullat e lojës në një mënyrë ku Shqipëria nuk shikohet si shtet dy-partiak (siç e shikon Sali Berisha), por shikohet si shtet një-partiak ku Partia Socialiste është partia popullore, kurse partitë e tjera, përfshi PD-në, janë të gjitha dytësore dhe vetëm nëpërmjet një grupimi të gjithëfarshëm mund ta përmbysin regjimin e së keqes.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.