“Ekziston rreziku se po shkojmë drejt fundit të rendit bërthamor”

Postuar në 09 Maj, 2023 16:36

Shkencëtari bërthamor Siegfried S. Hecker, 79 vjeç, është një nga figurat më të rëndësishme të programit bërthamor të Shteteve të Bashkuara. Për 34 vjet, ai kreu kërkime në Laboratorin Kombëtar të Los Alamos, ku u zhvillua arma e parë bërthamore në fillim të viteve 1940 si pjesë e "Projektit Manhattan". Nga viti 1986 deri në 1997, Hecker shërbeu si drejtor i institutit dhe u bë pasuesi i katërt i Robert Oppenheimer, "babai i bombës atomike". Ai ka dhënë leksione në Universitetin Stanford, ndërsa aktualisht punon si profesor me kohë të pjesshme i praktikës së inxhinierisë bërthamore, në Universitetin A&M të Teksasit dhe Institutin Middlebury të Studimeve Ndërkombëtare në Monterey.

Familja e Siegfried Hecker është me origjinë nga Sarajeva dhe u zhvendos në Tomaszeë në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore. Babai i tij nuk u kthye më nga Fronti Lindor. Siegfried shkoi më pas në Austri me nënën e tij dhe prej aty emigroi në SHBA në vitin 1956. Pasi studioi metalurgji, gradualisht ai u bë një nga ekspertët kryesorë të plutoniumit në botë.

Gjatë dhe veçanërisht pas punës në Laboratorin Kombëtar në Los Alamos, Hecker krijoi lidhje personale me ekspertë të armëve bërthamore në shtete të tjera me potencial nuklear. Ai bëri gjithsej 57 udhëtime në Rusi dhe 39 në Kinë. Hecker tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me vizitat e tij në Korenë e Veriut, ku ai fitoi akses në qendrën kërkimore bërthamore të Yongbyon për herë të parë në vitin 2004 dhe raportoi në vitin 2010 për një strukturë pasurimi të uraniumit që më parë ishte e panjohur për shërbimet e inteligjencës perëndimore. Hecker i ka përshkruar përvojat e tij në Korenë e Veriut në një libër të botuar në librin "Një vështrim nga brenda në programin bërthamor të Koresë së Veriut".

Në një intervistë për Der Spiegel, ai thotë se presidenti rus, me kërcënimet për përdorimin e arsenalit bërthamor, ka shkatërruar siguritë që për dekada kanë penguar përdorimin e këtyre armëve të shkatërrimit në masë.

Megjithëse, sipas tij, kriza e raketave kubane dhe incidente të tjera mes SHBA dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, kanë qenë më të rrezikshme, kërcënimi për fundin e këtij rendi është real.

Zoti Hecker, që nga sulmi në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar me përdorimin e armëve bërthamore dhe ka pezulluar traktatin e fundit të çarmatimit me SHBA-në. Koreja e Veriut dhe Irani po zgjerojnë programet e tyre të armëve bërthamore dhe Kina planifikon për më shumë se trefishin e numrit të armëve të saj strategjike bërthamore. Cilin nga këto zhvillime konsideroni si më të rrezikshmet?

Shqetësimi më i madh i menjëhershëm, natyrisht, është përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore nga Rusia në Ukrainë. Kërcënimet e Putinit duket se janë kryesisht për të dekurajuar Perëndimin. Megjithatë, për shkak se ato janë bërthamore, duhet të merren seriozisht. Por rreziku shumë më i madh është kombinimi i të gjitha këtyre zhvillimeve. Dhe kjo në të vërtetë nisi me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Putin. Para së gjithash, sigurisht, ne të gjithë shikojmë bilancin e humbjeve njerëzore dhe vuajtjet e pabesueshme të popullit ukrainas. Unë sigurisht e ndaj këtë pikëpamje, veçanërisht sepse kam lindur pranë kufirit polako-ukrainas. Por ajo që më shqetësoi më shumë pas pushtimit të Ukrainës është ndikimi i tij në rendin botëror bërthamor. Frika ime është se Putini e ka prishur këtë rend.

Pse?

Rendi bërthamor i dekadave të fundit është mbështetur në katër shtylla. E para është ajo që disa njerëz e quajnë tabu bërthamore. Që nga viti 1945, kur këto armë krejtësisht të reja u zhvilluan për herë të parë dhe më pas u përdorën, asnjë armë bërthamore nuk është përdorur në luftë. Kjo është e mahnitshme. Dhe kjo nuk ndodhi thjesht rastësisht. Është rezultat i një rendi që ka evoluar gjatë dekadave. Shumë vende, duke përfshirë SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik, donin të siguroheshin që armët bërthamore të mos përdoreshin kurrë dhe nuk u përdorën.

Por u ndërtuan dhjetëra mijëra të reja, nga të cilat 12 500 mbetën pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Dhe tani numri i tyre po rritet sërish.

Kjo na çon te shtylla e dytë, përhapja bërthamore. E pritshme kjo dhe Robert Oppenheimer e tha menjëherë pas Projektit Manhattan, që shumë vende do të pajiseshin me armë bërthamore në të ardhmen, duke qenë se fuqia e tyre ishte provuar. Por në fakt, më pak se 10 vende kanë sot armë bërthamore. Edhe kjo është e jashtëzakonshme. Nuk është vetëm rezultat i një traktati të vetëm, por i një regjimi të tërë mospërhapjeje, një sërë marrëveshjesh, garancish sigurie dhe institucionesh si Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA).

Cila është shtylla e tretë?

E treta është terrorizmi bërthamor. Deri më sot, ne nuk kemi parë kërpudhën dhe as ndonjë re radioaktive nga ndonjë bombë e vendosur nga një organizatë terroriste. Kur mendoni se sa material bërthamor dhe radiologjik ka në botë, kjo është gjithashtu e jashtëzakonshme. Si mund të ndodhte kjo? Epo, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara punuan së bashku kundër potencialit të terrorizmit bërthamor. Unë kam qenë i përfshirë në të paktën gjashtë seminare me ekspertë bërthamorë rusë. Ne u ulëm kokë më kokë dhe thamë: Çfarë duhet të bëjmë për të parandaluar që grupet terroriste ose vendet të përdorin armë radiologjike?

Shtylla e katërt e rendit global bërthamor është në skajin tjetër të spektrit, e mira që vjen nga energjia bërthamore. Reaksionet bërthamore, ndryshe nga reaksionet kimike, mund të prodhojnë sasi të jashtëzakonshme energjie që mund të përdoret si për të mirë, ashtu edhe për keq. Më shumë se 10 për qind e energjisë në botë prodhohet nga energjia bërthamore. Rreth 40 milionë njerëz përfitojnë nga mjekësia bërthamore, qoftë në diagnostikim apo trajtim. Ajo që më ka shqetësuar gjithnjë është si të marrim më të mirën nga energjia bërthamore dhe të shmangim më të keqen.

Në çfarë mënyre pushtimi rus i Ukrainës i rrezikon këto katër shtylla të rendit bërthamor?

Epo, ajo zbulon themelin e besimit që na lejoi të jetonim me rreziqe bërthamore. Ai kërcënon zgjerimin paqësor të energjisë bërthamore dhe rrezikon konsensusin që parandaloi përdorimin e armëve bërthamore, përhapjen e tyre dhe terrorizmin bërthamor.

Ju keni lindur në vitin 1943, gjashtë muaj pas themelimit të Projektit Manhattan. Pra, jeta juaj pothuajse fjalë për fjalë përfshin të gjithë epokën atomike. A do të thoni se sot jemi në momentin më të rrezikshëm të kësaj epoke?

Unë besoj se kriza e raketave kubane e vitit 1962, si dhe disa incidente të tjera kur SHBA dhe Bashkimi Sovjetik iu afruan përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore, mund të kenë qenë më të rrezikshme në vetvete. Por rreziku që ekziston sot nuk është një event i vetëm. Është fundi i vetë rendit bërthamor. Pra, gjithçka është në rrezik.

Si e shpjegoni ndryshimin në politikën bërthamore të Kinës?

Kina kishte një doktrinë shumë të arsyeshme bërthamore për disa dekada. Pekini deklaroi se disa qindra koka luftarake dhe e ashtuquajtura aftësia e goditjes së dytë janë të mjaftueshme për të siguruar parandalimin e nevojshëm. Në vend të kësaj, Kina u përqendrua në ndërtimin e ekonomisë së saj, duke u bërë fuqia ekonomike që është sot. Ky ishte një vendim i zgjuar. Ka një përgjegjësi të madhe që lidhet me armët bërthamore dhe ka një shpenzim të madh financiar. Pra, kinezët u këshilluan që në radhë të parë të mos shkonin në atë drejtim. Ndërkohë, ekonomia e tyre është rritur – por në të njëjtën kohë u rrit edhe pasiguria e tyre. Dhe kjo pasiguri i ka bindur ata se tani kanë nevojë për një arsenal më të madh bërthamor.

Atëherë nuk do të kishim më dy, por tre fuqi të mëdha bërthamore. Si do ta ndryshojë kjo dinamikën e parandalimit?

Dinamika e parandalimit u zhvillua për dy kundërshtarë, dhe ne nuk e dimë se si do të jetë në një treshe. Në SHBA, shumë presin që Kina dhe Rusia do të bashkëpunojnë për të krijuar një nyje të vetme kundër amerikanëve. Unë mendoj se kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Ajo që dëgjoj nga bashkëbiseduesit e mi kinezë dhe rusë sugjeron se Kina do të vazhdojë të ndjekë objektivat e saj kombëtare dhe Rusia do të ndjekë të sajat. Pra, mendoj se do të kemi tre qendra të veçanta bërthamore. Si lidhen me njëra-tjetrën, kjo do të jetë shumë e ndërlikuar.

Sipas jush, si duhet të pozicionohet Evropa në këtë plejadë të re?

Evropianët dhe amerikanët janë bashkuar për këtë çështje. Pushtimi rus i Ukrainës krijoi një unitet mes tyre që dukej i kërcënuar, veçanërisht nën Presidentin Trump. Po, vendet evropiane janë të ndryshme dhe secila ka marrëdhënie specifike me Kinën dhe Rusinë, veçanërisht në frontin ekonomik. Por në fund të fundit, unë i shoh vizionet evropiane dhe amerikane të përafruara me atë ku duhet të jenë kundrejt pjesës tjetër të botës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.