Rusia është një ide, jo një fakt material

Postuar në 06 Maj, 2023 23:54
Ivan Dimitrijeviç - Filozof

 

Analizat e shumta gjeopolitike, psikopatologjike apo kulturore që janë bërë që nga shkurti 2022, pavarësisht dallimeve në qasjet ideologjike dhe rezultateve të pritshme, kanë marrë si të mirëqenë një fakt të padiskutueshëm në pamje të parë: se Rusia ekziston. Domethënë, që ekziston në të njëjtën formë - pak a shumë - të supozuar nga shtetet-kombe në Perëndim. Prandaj, Evropa po përballet me një vend pothuajse "normal", me pak fjalë aq normal sa t'i atribuohen parametra të zakonshëm.

Sado “anormale” që mund të tingëllojë kjo, unë do të doja ta sfidoja këtë supozim të arsyeshëm duke u mbështetur me përulësi tek disa mendimtarë dhe artistë rusë që u përpoqën të na bindin për të kundërtën.
Nikolaj Berdyaev, mendimtar fetar, bashkëpërgjegjës për ngritjen e ekzistencializmit, argumentoi vazhdimisht se Rusia ishte një ide dhe jo një realitet.

Si fakt material Rusia nuk ka ekzistuar kurrë - fakti nuk e ka arritur kurrë uniformitetin e nevojshëm. Asgjë tjetër veç idesë së Rusisë nuk është në gjendje të mbajë së bashku «ushtrinë» e rrënuar të pushtetarëve vendas, grupeve etnike, besimeve dhe bestytnive, të cilat të gjitha së bashku përbëjnë universin rus

E njëjta egërsi e pamëshirshme që Moska ushtron si ndaj popullatës së saj, ashtu edhe ndaj popujve të tjerë, shkon paralelisht me hipotezën se çdo trup është i sakrifikueshëm për të mbajtur gjallë idenë – qoftë edhe atë të mbretit. Prandaj, perspektiva iluministe që sheh te "operacioni special" ripërtëritjen e hordhisë mitologjike mongole është e kotë.
Në Rusi jeta e trupit nuk vlen asgjë, sepse realitetin e posedon vetëm ideja. Nuk vlen krahasimi antropologjik, por ai filozofik.

Epërsia e mprehtë e idesë mbi jetën materiale ka nervozuar edhe lëvizjet kryesore opozitare ruse. Në dy romanet e tij mbi socialistët e rinj, «Etër dhe Bij» dhe «Tokë e Virgjër», Ivan Turgenev i pati portretizuar revolucionarët e shekullit të nëntëmbëdhjetë si të gatshëm për çdo lloj dhune për të përmirësuar kushtet materiale të jetës së njerëzve, pikërisht sepse ishin të motivuar nga pastërtia e idesë.

Idetë dhe vetëm idetë nuk kanë interes, janë të pafajshme. Atyre u lejohet gjithçka. Tek «Ivani i tmerrshëm», traktati kryesor politik mbi Rusinë, Ajnsenshtajni, i joshur dhe i frikësuar nga pushteti stalinist, tregon se si cari i parë i gjithë Rusisë, figura e të cilit rastësisht është modeluar sipas ikonologjisë kristiane, kishte kërkuar - jo rrallë herë tek luante shah me fuqitë e mëdha evropiane, të portretizuara si seksualisht të degjeneruara, cinike, përsosëse të artit të dekadencës, shumë përpara retorikës propagandistike të Putinit - të forconte shtetin pikërisht për t'i shërbyer idesë së Romës së Tretë, "dhe të Katërt nuk do të ketë".

Ideja e Rusisë është ideja e fundit e mundshme: kjo e vendos atë në absolut. Natyra tragjike e këtij fakti, parë nga perspektiva ruse, është për shkak të origjinës së vetë nocionit të idesë: ideja është një gjetje evropiane dhe jo ruse. Prej këtu - dhe jo vetëm nga pafuqia politike, kulturore apo ushtarake – buron kompleksi i inferioritetit i cili i bëri brezat e intelektualëve rusë të shikonin drejt Perëndimit. Aty e ka origjinën pikëpyetja e përjetshme e rusëve për veten. Andej e kanë origjinën edhe kompensimet e njohura me të cilat kultura ruse e ka justifikuar dobësinë e saj duke argumentuar se vetëm hipokritët dhe falsët, të cilëve nuk u mjafton e vërteta e idesë, duan të bëhen të fuqishëm. Rusia, nga ana tjetër, ekziston për aq kohë sa i qëndron besnike idesë së vetvetes. Fiton, edhe pse e rreckosur, sepse e ka të vërtetën në anën e saj. Edhe fitoret e saj paraqiten si mrekulli virgjërore dhe çdo krim falet apriori.

Ne zakonisht e shohim Rusinë si një pjesë ende të papjekur të Evropës, një komb që mbetet prapa në zhvillimin moral, civil dhe politik. Por Rusia, duke qenë një ide, e lexon vonesën si një hap përpara dekadencës së Perëndimit (një ide tjetër perëndimore!). Pikërisht për shkak se mishëron një ide evropiane, Rusia e interpreton veten si vendi ku Evropa duhet të aspirojë, duke mos e kuptuar sinqerisht keqkuptimin tonë për Rusinë. Nga këndvështrimi i tyre ata janë qendra e botës – por vendosja e vetvetes në qendër të botës është edhe ajo ideja jonë (të cilën për fat të mirë kemi qenë në gjendje ta vëmë në dyshim).

Çfarë do të thotë të jetosh për një ide? Ishte sërish Turgenevi, i cili ia kishte vjedhur Evropës konceptin e nihilizmit, ai që na dha përgjigjen: do të thotë të jesh nihilist

Qëndrimi nihilist ndaj jetës biologjike dhe shoqërore është një me sakrificën ekstreme që ushtari i idesë është gati të bëjë. Kjo e ndan atë nga morali i kësaj bote dhe e çon përtej drejtësisë. Ndonëse kjo mund të na duket absurde, nuk është aspak një keqinterpretim i historisë ai që e lejon regjimin aktual të numërojë ndër shenjtorët e tij shkatërruesit më të mëdhenj të popullit - nga Ivani i Tmerrshëm te Stalini. 

Pushteti që gjeneron një ide nuk gjykohet. Nëse e rrëzon, ke shkatërruar jo pushtetin, por idenë: Rusinë. Prandaj, pushteti në Rusi rilind gjithmonë identik me vetveten. Ai nuk është i lirë të zgjedhë idenë që do t’i shërbejë. Ideja e Rusisë i paraprin duke e lidhur me vetveten.

Vijmë kështu te problemi i magjepsjes që kultura ruse ka shkaktuar tek intelektualët evropianë. Të jepesh tërësisht pas idesë duket kaq fisnike, naive, antiborgjeze. Ja ku vijmë në fund te jeta antikapitaliste, indiferente ndaj komoditeteve të vogla dhe shqetësimeve hedoniste. Një jetë e plotë. Kjo tërheqje ka ardhur duke u rritur pas Revolucionit të 1917-s. Ajo që na mahniti nuk ishte komunizmi, por pastërtia e idesë, të qenit kundër mondanitetit, tëhuajsimi i saj me mekanizmat historikë e socialë. Ne e kemi vendosur veten në vonesën metafizike në lidhje me idenë e Rusisë që nuk ka ekzistuar kurrë jashtë diskurseve ruse mbi identitetin e saj dhe mbi arsyet e ekzistencës së këtij formacioni të çuditshëm që pretendon se i ka rrënjët në transhendencë.

Ideja e Rusisë duket e pacenueshme pikërisht sepse nuk gjendet askund – veçanërisht në Rusi. Këtu qëndron pastërtia, por edhe hipokrizia e skajshme. Dhe një ide të cilës i mungon çdo marrëdhënie me realitetin është hiç: nihilizëm në veprim. Megjithatë, nihilizmi që ne shohim tani në veprim në Ukrainë ka pak të bëjë me vullnetin cinik për të dominuar: është metafizika e pastër ajo që i bëhet çdo pushteti zgjatim, ndonëse i domosdoshëm. Dhe të mos harrojmë se prej disa shekujsh, ne e kemi përjashtuar veten nga të menduarit në mënyrë metafizike!

Por nihilizmi evropian ndryshon nga ai i përshkruar në mënyrë të admirueshme nga Turgeniev ose Dostojevski. Kjo vjen për shkak të pamundësisë për të gjetur diçka për të cilën jetohet dhe ai merr formën mediokre të pajtimit me çdo lloj jete. Nihilizmi rus, nga ana tjetër, është metafizikisht i përqendruar dhe ka kuptimin: ia vlen të jetosh gjithmonë për idenë.
Rusia, aspak barbare, madje në të vërtetë, e rafinuar metafizikisht, nuk mund të normalizohet, të bëhet demokratike, të vendoset në binarët e përparimit.

Realiteti historik dhe shoqëror nuk depërton në ide pa shkaktuar dëme të pariparueshme. Përpara nesh - më të fuqishëm për shkak se jemi më tokësorë - është zgjedhja nëse Rusia duhet të vazhdojë të mos ekzistojë apo të pushojë fare së ekzistuari. Zgjedhja mund të ketë vetëm erë nihilizmi pasi nënkupton një vendim rreth nihilizmit. Dhe druaj se përgjigja jonë – cilado qoftë ajo – zakonisht do të motivohet nga hipokrizitë dhe frikërat që ushqejnë idenë e Rusisë. Një ide domosdoshmërisht e jona.

Burimi: Avennire

Solli në shqip: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.