Epidemia e ullinjve në Pulia, një "fitore" e konspiracionit mbi shkencën

Postuar në 04 Maj, 2023 20:37

Në 2013, në Pulia të Italisë, u regjistrua një nga epidemitë më të rënda të bimëve në botë. Bakteri (i pashërueshëm) Xylella fastidiosa preku ullinjtë, duke shkatërruar 21 milionë pemë.

Xylella është një patogjen karantine, që do të thotë: prerja e pemëve të infektuara është e domosdoshme për të shpëtuar ato që nuk janë prekur ende.

Megjithatë, puliezët vendosën të mos i besojnë shkencës, por teorive të konspiracionit.

Daniele Rielli, autori i “Zjarri i padukshëm”, tregon në një intervistë për Corriere historinë e epidemisë së ullinjve, e cila vijon të shtrihet edhe sot në zonën mes Santa Maria di Leuca dhe Ostuni. Pavarësisht se nuk ka rrugë tjetër për ta frenuar, ende shumë njerëz janë kundër prerjes.

Çfarë teorish qarkulluan në muajt e parë të epidemisë?

Ishin shumë të tilla. Disa thoshin se epidemia ishte thjesht preteksti përtë prerë ullishtet e për t’i hapur vend një resorti turistik në Gallipoli. Shumë të tjerë besonin se pemët po thaheshin për shkak të ndonjë produkti eksperimental, të hedhur natën nga njerëz me veshje kundër kontaminimit. Kur bakteri hynte në zona të reja, edhe këto teori udhëtonin bashkë me të, si të ishin meme.

Ndërkohë shkencëtarët tentonin të shpjegonin pse prerja e pemëve të infektuar ishte e vetmja zgjidhje. Por këshilla e tyre nuk dëgjohej. Madje në libër ju thoni se situata erdhi në një pikë paradoksale: “Sa më shumë përhapej sëmundja, aq më pak njerëz e besonin ekzistencën e saj”. Si është e mundur kjo?

Ishte krijuar një bindje se bakteri nuk ekzistonte, ose nuk ishte aq agresiv, dhe kishte një komplot posaçërisht për të prerë pemët e ullirit. Pak a shumë si në filmin "Avatar", i cili nuk është rastësisht filmi më i ndjekur në historinë e kinemasë: ideja e një peme të shenjtë dhe e një komuniteti që e mbron atë nga spekulimet kapitaliste ndikon dukshëm në imagjinatën tonë. Historia e vërtetë e Xylellës, nga ana tjetër, siç ndodh shpesh me histori reale, është e ndërlikuar, teknike. E vështirë për t'u kuptuar. Nga këta të dy, fitoi varianti i parë.

Çfarë nuk shkoi siç duhet?

Politika nuk ka marrë përsipër përgjegjësitë e saj: ndërsa zgjedhjet afroheshin, askush, as djathtas e as majtas, nuk pati guximin të thotë që ullinjtë duhet të priten. Presidenti i ardhshëm, Michele Emiliano, i takoi disa herë ata që e mohonin ekzistencën e epidemisë. Dhe hetimi i prokurorisë së Leçes, i cili përfundoi me lirimin nga akuza të të gjithë të pandehurve, çoi në sekuestrimin e pemëve të destinuara për prerje: bllokim që zgjati për muaj të tërë.

A e luajtën edhe rrjetet sociale rolin e tyre?

Ka shumë ngjashmëri mes asaj që ndodhi në Salento dhe asaj që ndodhi në Kaliforni në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur Xylella sulmoi hardhinë: shumë reagime ndaj epidemisë janë, si të thuash, arketipale. Thënë këtë, media sociale ka luajtur një rol qendror. Dhe jo vetëm sepse në mënyrë të banale u dha zë të gjithëve. Çështja është se algoritmet e platformës duan të maksimizojnë vëmendjen tonë dhe vëmendja arrihet përmes konfrontimit, tribalizmit dhe narrativave emocionale. Sidomos ato që ngritën tonet ose dhanë shpresa të rreme. Nuk është rastësi që në rrjetet sociale dhe veçanërisht në Facebook lindën dhe u forcuan lëvizjet kundër prerjes së ullinjve, të cilat më pas përfunduan në rrugë dhe ndikuan edhe në politikë.

Si rezultat?

Për vite me radhë, në Salento rrallë ka ndodhur të kem takuar njeri, përveç studiuesve dhe disa kultivuesve të ullirit, i cili të ketë hedhur poshtë tezat e atyre që mohonin ekzistencën e epidemisë. Vetëm tani, në turneun e librit, kam dëgjuar dikë duke pranuar se "kanë besuar gjërat e gabuara". Të ngjan se po sheh njerëz që dalin nga një kult! Më parë, klima ishte e rëndë. Kur agronomi Francesco Curci raportoi për shpërthimin e Orias, për shembull, bashkëqytetarët e tij nuk i folën më. Ai dhe gruaja e tij janë margjinalizuar prej vitesh dhe në disa raste edhe janë fyer në rrugë. Në përgjithësi, ata pak njerëz që u përpoqën të bënin gjënë e duhur si ata, patën pasoja. Dhe ata nuk janë mbrojtur mjaftueshëm nga autoritetet.

Në libër ju thoni se Italia ka “një problem me vetë konceptin e moderniteti”. Pse?

Shpesh kulturat vijnë me valë. Pas Luftës së Dytë Botërore në Itali pati një lloj dehjeje për modernizim. Njerëzit ëndërronin qytetin dhe arratiseshin nga fshati, gjyshërit tanë ishin të dashuruar pas produkteve të paketuara. Tani ka një ndryshim: ne e idealizojmë fshatin dhe nuk i besojmë apriori çdo forme të shkencës që zbatohet për agro-ushqimin. Edhe pse në të vërtetë, pa plehra dhe pesticide, ushqimi ynë do të ishte i cilësisë së dobët dhe do të kishim shumë më pak. Plus, ne jemi të varur nga teknologjia. Nuk na lë më me gojë hapur si dikur. Një paradoks: standardi ynë i jetesës sot përcaktohet nga shkenca dhe teknologjia, por ne i marrim të dyja si të mirëqena.

Historia e epidemisë së shkaktuar nga Xylella është dramatike. Por mund të kthehet në një mundësi. Në mënyrë paradoksale, siç shkruani në libër, tani në Pulia "mund të lindë një kulturë e re e kultivimit të ullirit". Pse?

Me përjashtim të disa rasteve të jashtëzakonshme, ullinjtë e Salentos ishin kryesisht një trashëgimi e një ekonomie tashmë të mbaruar, ajo e vajit të llambave (vaji i përdorur si lëndë djegëse në llamba, ed). Shumë prej tyre ishin të braktisura, kufizoheshin vetëm te konsumi vetjak, ose përdoreshin për të marrë subvencione evropiane. Me pak fjalë, ulliri ishte një bimë simbolike, por nuk ishte më një burim i vërtetë ekonomik. Tani ekziston një mundësi për të ringjallur kulturën e kahershme të kultivimit të ullirit në një formë më të qëndrueshme por edhe më të ndjeshme ekonomikisht duke mbjellë varietete më produktive. Sigurisht, nuk është e lehtë. Dhe, përveç një mundësie, është gjithashtu edhe përgjegjësi. Fatkeqësisht, sipas traditës italiane, gjithçka po ecën ngadalë: pjesa më e madhe e ullinjve të vrarë nga Xylella janë ende në fusha dhe në Pulia, në dhjetë vjet, nuk është ndërtuar as një fabrikë biomase për t’i kthyer ato në energji.

 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Tregojne per nje agronom atyre viteve '50 ne Shqiperi, i cili, kur ra nje epidemi mbi ullinjte e keta nuk po prodhonin mw, urdheroi te priteshin, por jo trungu, por thuajse te gjitha deget. Me mijra ullinj u krasiten rendshem atyre vieteve ne Shqiperi. Kuptohet se per nje vit nuk mund ta merrnin veten ullinjte, ndaj pas nje viti agronomin e futi ne burg Mehmeti. Edhe vitin e dyte, ullinjte vetem sa leshuan pak kokrra ne filizat e rinj. Dhe vetem ne vitin e trete e te katert ata nisen prodhimin mire. Atehere e nxorren agronomin nga burgu serish! Keshtu tregojne, por se sa eshte e vertete, nuk ve doren ne zjarr!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.