E Mira Publike e ikjes së Berishës: I jep fund publicistikës së Pozave
Skënder MInxhozi ka këshilluar sot në distancë kolegët e vet në media që të mësojnë ta shohin si duhet rrezikun “Berisha”. Nisur nga një lapsus i Berishës për emrin e një kandidati – a thua kanë rëndësi kandidatët në këto kohë – Minxhozi vë në dukje se ironizimi i Berishës në këtë rast është gabim, pasi ish-kryeministri nuk është problem si një politikan sklerotik. Përkundrazi, MInxhozi na kujton se Berisha ka shumë energji dhe se ai përfaqëson një rrezik pasi nuk ka ndryshuar asgjë nga stili i vet.
Ai është një politikan që rrezaton një energji që nuk e ka shumëkush nga brezi i tij biologjik. Vetëm se bëhet fjalë për energji negative dhe që çon prej 30 vjetësh drejt destruktivizmit e konfrontimit.
Ai është një rrezik politik në kohën që jetojmë, për shkak se nuk ka harruar asgjë nga stili i tij personal që e futi Shqipërinë herë tek kriza e piramidave mashtruese, e herë në kaos total si në ’97 apo edhe në gjakderdhje në dyert e zyrave të shtetit vite më vonë…
Është insistimi maniakal në kordinatat e veta politike, e jo harresa lozonjare dhe e pafajshme, faji qëndror për të cilin Sali Berisha duhet mbajtur larg pushtetit në vitin 2023 e më tej. Është kompleksi i veseve të tij politike që kanë bërë shkollë në një pjesë të spektrit politik, me politikanë të rinj që e kopjojnë deri në detaje, problemi real që ka ky lider politik me të shkuarën dhe harresën si një melhem i asaj që është bërë gabim e mund të ndreqet…
Tani, zoti Minxhozi me siguri që duhet ta dijë se as ai, e as kolegët e vet që janë viruse të manipulimit të opinionit nuk do të ishin këtu ku janë pa krizat e sipërcituara, sepse janë këto kriza, dhe sidomos narrative mbi to që prodhoi heronj të rremë të demokracisë apo edhe gazetarë të rremë të Fjalës së Lirë. Nga ana tjetër, komenti që shkon deri te imperativi «duhet mbajtur larg pushtetit» tradhëton asgjë më shumë se frikën e prishjes së rehatisë sepse në 10 vjet të pushtetit të Edi Ramës, shqiptarët në emër të të cilëve flet z. Minxhozi, i panë të gjitha. Dhe panë sidomos të reduktohet ai raporti me vendin e vet, ndaj edhe po ikin.
Emri i Sali Berishës është alibia më e mirë, padyshim. Emri I tij mban gjallë edhe një lloj gazetarie, madje e krijoi atë, e ushqen atë dhe ikja e Berishës nëse ka ndonjë vlerë tashmë në këtë Shqipëri të marrë fund, qëndron sidomos se do të neutralizojë gazetarinë e tipit Hila/Minxhozi që është asgjë më shumë sesa publicistikë e pozave. Shqipëria është shumë e vogël për të kamufluar interesat e njërit apo tjetrit, interesa që shpjegojnë edhe qëndrime të ndryshme. Me dallimin se të jesh kundër Berishës ka qenë përherë më e lehtë dhe konveniente sesa të jesh me të, por edhe të pranosh se për disa gjëra ka të drejtë, apo se jo çdo zullum shpjegohet me të.
s.zaimi
Add new comment