Dedikim nga Athina për Shkollën Shqiptare të Violonçelit
Ai do të vizitojë fillimisht vendin ku më pas do të zhvillojë karrierën e tij si violonçelist, përmes koncertit të Orkestrës së Institutit të Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) në Delfi, në shtator të vitit 1992. Delfi ka qenë orakulli më i famshëm i Greqisë së lashtë, ku sipas mitit, Zeusi dërgoi dy shqiponja, njërën nga lindja e tjetrën nga perëndimi, të cilat u takuan në vendin ku u ngrit tempulli. Tempulli i kushtohet perëndisë Apollon, ku krahas vetive të tjera ishte dhe hyu i muzikës. Një pikënisje profetike për të frymëzuar violonçelistin Vangjel Nina, i cili u largua nga Shqipëria para 31 vitesh drejt shtetit fqinj. Ai sot është ndër violonçelistët shqiptarë më të njohur të Greqisë, pedagog në Konservatorin muzikor të Athinës dhe baba i një violonçelisti gjithashtu të suksesshëm, Fernando Ninës.
***
Për mua është hera e dytë që intervistoj një violonçelist, me ndryshimin, që ju i përkisni një brezi violonçelistësh shqiptarë pak më të vjetër dhe me një karrierë të ngritur fillimisht në Shqipëri. Më flisni për vitet tuaja si violonçelist në Shqipëri. Ç’mbresa ruani nga ajo kohë?
Para se të vendosesha në Greqi në vitin 1992, kisha një karrierë të konsoliduar si violonçelist në Shqipëri. Kam punuar si violonçelist për shtatë vjet në Orkestrën e TKOB, por edhe si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. E kam filluar violonçelin që në moshën 6 vjeçare në shkollën “Kongresi i Përmetit” dhe pavarësisht dëshirës së tim eti - i cili ishte kontrabasist në Orkestrën e Radiotelevizionit - që të bëhesha më vonë kontrabasist, vazhdova me violonçelin. Një kontribut të madh në formimin e zhvillimin tim muzikor kanë patur mësuesit e pedagogët e mi të violonçelit.
Do desha të përmendja mësuesen time të fillores Afërdita Haskon, e cila ka qenë një metodiste e shkëlqyer, që ka edukuar një brez të tërë violonçelistësh si Kujtim Vorpsin, Aristidh Prosin, Bashkim Jaupin, Aleksandër Qirjaqin, Renato Ripon, Astrit Selitën, Ilir Mërgjyshin e të tjerë që s’më kujtohen tani. Gjithashtu Gëzim Laron, që ka qenë pedagogu im i Liceut dhe Gjergj Antoniun në Institut. E konsideroj veten shumë me fat që kam pasur këta të tre. Gjithë brezi ynë pati një nivel të lartë, i cili vështirë se arrihet pas viteve ‘90. Kam qenë i vlerësuar në Shqipëri dhe kanë qenë vite të mbushura nga ana profesionale.
Greqia njihet për “importimin” dhe integrimin masiv të muzikantëve shqiptarë në orkestrat e ndryshme të vendit. Gjithashtu, krahasuar me shtetet e tjera, Greqia është përfolur si vendi i vështirësive të mëdha për emigrantët dhe i mundësive të kufizuara profesionale. Si lindi ideja e emigrimit në Greqi?
Para se të vija në Greqi, kisha qenë me Kuartetin e Harqeve të TKOB edhe në vende të tjera të Europës si Francë, Jugosllavi apo Austri. Shkas për të qëndruar në Greqi u bë një koncert i Orkestrës së ILA në Delfi të Greqisë, bashkë me tre shokë të tjerë të kuartetit tonë të harqeve “Alban Quartet”. Ishim katër muzikantë të rinj që vendosëm bashkarisht të qëndronim në Greqi. Me “Alban Quartet” dhe më pas “Alberg Quartet” kemi luajtur në koncerte dhe në evente të ndryshme. Fillimi pa dyshim ishte i vështirë. Në ndryshim nga shqiptarët e tjerë, për muzikantët dhe sportistët që vinin nga Shqipëria, ishte disi më e lehtë. Ishin të vetmet diploma që njiheshin në Greqi. Në këtë sens, ne që studiuam për art e sporte në Shqipëri ishim me “fat”. As me dokumentat nuk u vështirësova veçanërisht.
Duke qenë se nuk e njihnit gjuhën greke, gjuha e muzikës ju ndihmoi të kapërcenit barrierat profesionale, që është e natyrshme të ketë në çdo vend të huaj?
Ambientimi në një vend të huaj duke filluar që nga gjuha, mënyra e jetesës, mënyra e komunikimit, në përgjithësi në çdo aspekt të jetës dhe jo vetëm në atë profesional, është i vështirë dhe do kohë. Por e vërteta është, që gjuha greke nuk na ka vështirësuar dhe aq shumë në fillim. Gjuha muzikore ka qenë ajo që na ka ndihmuar vazhdimisht, për të kapërcyer ato vështirësitë e fillimit. Në Greqi, pas pak muajsh qëndrimi, fillova të luaj në “Orkestrën e Ngjyrave” (“Orchestra of Colours”) si violonçel i parë (Principal Cello). Kjo ishte një nga orkestrat kryesore të Greqisë e krijuar nga kompozitori i njohur grek, Manos Hadjidakis, i cili ishte njëkohësisht drejtori artistik si dhe dirigjenti i saj. Në vitin 1992 në Greqi u aprovua “monothesia” (njëpunësimi), që për muzikantët parashikonte se duhej të punonin në një dhe jo në disa orkestra siç ndodhte më parë. Kjo pati si rezultat që të krijoheshin vende të lira, meqenëse shumë prej muzikantëve kishin preferencë Orkestrën Shtetërore dhe atë të Operas.
Mbaj mend mirë që në koncertin tim të parë me “Orkestrën e Ngjyrave” më 22 shkurt 1993, ishim 26 muzikantë nga Shqipëria në sektorin e harqeve. Një dëshmi e bukur kjo për nivelin e shkollës tonë të harqeve
Krahasuar me përvojën në orkestrën shqiptare, si ishte përvoja me “Orkestrën e ngjyrave”?
Kur fillova në “Orkestrën e Ngjyrave” ishte befasuese për mua fillimisht, që isha pjesë e një orkestre kaq të madhe dhe kaq të plotë. Më kujtohet që vetëm harqet ishim 60 muzikantë, 16 violina të para, 14 violina të dyta, 12 viola, 10 violonçela dhe 8 kontrabasa. Përsa i përket shkollës së harqeve, ne kishim një nivel më të lartë se ajo në Greqi. Ndërsa grekët, ishin më të zhvilluar në instrumentat e frymës si dhe ato të perkusionit. Me këtë orkestër kam luajtur nga janari i vitit 1993 e deri në 2012, viti që u mbyll për shkak të krizës ekonomike që kaloi Greqia në ato vite. Kanë qenë pothuajse njëzet vite shumë pjellore për mua, me një mori të madhe koncertesh e turnesh në shumë vende si Kanada, Angli, Austri, Spanjë, Hungari, Portugali, Itali, Qipro, SH.B.A., Turqi, Francë, Suedi, Hollandë, Gjermani etj.
Cilat janë disa nga bashkëpunimet tuaja me artistë të tjerë në Greqi?
Gjithashtu kam bashkëpunuar me shumë artistë si Hadjidakis, Theodorakis, Karidis, Hatzinikos, Apostolidis, Garoufalis, Leotsakos, Kouroupos, Athineos, Antoniou, Fidetzis, Logiadis etj.
Kujtoj një nga këto koncerte me 25 mars 2002, në Ditën kombëtare të Greqisë që dhamë në Tiranë në sallën e TKOB, një koncert me mbresa dhe kritikë shumë të mirë, ku vlerësimi për orkestrën ishte i lartë. Për mua ishte njëkohësisht mall dhe nostalgji rikthimi në këtë sallë mbas 10 vitesh
Po me procesin e mësimdhënies, kur nisët të angazhoheshit?
Krahas punës në orkestër dhe lojës në ansambël sigurisht ajo që e plotëson portretin e një artisti është edhe pedagogjia apo mësimdhënia. Nga eksperiencat e mia të para në Greqi ka qenë në Konservatori i qytetit të Lamias, ku shkoja një herë në javë për një periudhë gati 18 vjeçare. Nga kjo shkollë, kam nxjerrë një brez shumë të mirë violonçelistësh. Kurse 10-15 vitet e fundit jam në Konservatorin e Athinës, që është një nga konservatorët më të njohur në Greqi. Aty jam përgjegjës i Departamentit të Harqeve dhe kemi krijuar edhe një orkestër harqesh “Academica”. Por, dua të theksoj që konservatori në Greqi nuk ka statusin e Universitetit të muzikës si në Shqipëri. Greqia s’ka ende një Akademi muzike në nivel universitar. Muzikantët grekë, që duan të ndjekin studimet e larta muzikore, shkojnë jashtë. Kohët e fundit, është hapur dega e studimeve muzikore të nivelit universitar në Kolegjin e Athinës ku unë jam pedagog, por që i përket sektorit privat.
Djali juaj Fernando Nina, është edhe ai violonçelist. Sa ka ndikuar këmbëngulja juaj në rrugëtimin e tij artistik?
Fernando e ka filluar violonçelin, pa u bërë ende 5 vjeç. Duke qenë se edhe unë, edhe bashkëshortja ime muzikantë, ajo ka mbaruar ILA për violinë, ishte në njëfarë mënyre e parashkruar që të ecte mbi këto gjurmë. Fernando është nderuar me mbi 13 çmime ndërkombëtare dhe ka ndjekur studimet në universite të njohura në Europë. Ka bashkëpunuar me orkestra të rëndësishme dhe në ndryshim nga unë, është një solist i lindur. Krahas karrierës së tij solistike ai është edhe profesor violonçeli në Bon.
Mendoni se muzikantët shqiptarë në Greqi kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në orkestrat e vendit?
Padyshim që shqiptarët kanë një dhënë një kontribut të vyer, pasi me ndërrimin e sistemit gjithë ajka muzikore e vendit u largua drejt Greqisë e vendeve të tjera. Në atë kohë në Greqi erdhën edhe shumë muzikantë nga ish-Bashkimi Sovjetik, por që kishin mbaruar studimet në qendra të largëta të BS, jo në Moskë. Kurse muzikantët shqiptarë në Athinë, vinin nga Insituti i Lartë i Arteve të Tiranës, me një traditë të shkëlqyer të klasës së harqeve. Tashmë ky nivel, në krahasim me atë të para viteve ‘90, nuk është i njëjtë në Shqipëri, për shkak të ndryshimeve që ndodhën dhe vëmendjes së vogël do thoja nga shteti.
Nga viti 2011 ju keni krijuar një website për shkollën shqiptare të violonçelit “Albanian Cello Site". Çfarë ju shtyu në sendërtimin e kësaj ideje?
Për momentin ky website nuk është online për arsye rinovimi si dhe arsye të tjera. “Albanian Cello Site” (www.albaniancellosite.com) është një prezantim i gjithë violonçelistëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Padyshim që ky website nuk është krijuar vetëm për violonçelistët, por për të gjithë muzikantët, artistët, dashamirësit e artit kudo që ndodhen, shqiptarë apo të huaj. “Albanian Cello Site” është një faqe elektronike me karakter statistikor, historik dhe biografik. Në të janë përfshirë rreth 200 violonçelistë profesionistë dhe për një vend të vogël si Shqipëria dhe një periudhë kohore 70-80 vjeçare të shkollës së violonçelit, është një numër i konsiderueshëm. Dhe jo vetëm ana sasiore, por cilësia e shkollës së violonçelit është me të vërtetë per t’u lavdëruar.
Një nga shtytjet për të krijuar këtë website ishte pikërisht cilësia e kësaj shkolle si dhe kontributi i violonçelistëve shqiptarë jashtë Shqipërisë.
Është krenari e shkollës shqiptare të violonçelit që Renato Ripo nga viti 1991 është solist dhe violonçel i parë në “Camerata” Orchestra e Miqëve të Muzikës në Athinë, që Artur Trajko është violonçel i parë në orkestrën “Holland Symfonia” në Amsterdam, që Hajredin Hoxha është violonçel i parë në “Bilkent Symphony Orchestra” në Ankara, që Bledar Zajmi është violonçel i parë në “National Theatre” në Pragë, që Olsi Leka është violonçel i parë në “National Orchestra of Belgium”, që Elida Pali është violonçel i dytë në “Maggio Musicale Fiorentino”, që Ilir Bakiu është violonçel i dytë në “Fondazione Arena di Verona”, që Edison Pashko është violonçelist në “Vienna Philharmonic”, që Holgen Gjoni bën karrierë në USA etj.
Nuk janë pak për një shtet të vogël si Shqipëria. Ishte ky pra ngacmimi për idenë e krijimit të këtij website, si dhe obligimi që kam unë për këtë shkollë, për njohjen dhe vlerësimin e traditës së kësaj shkolle, për evoluimin dhe pasurimin e këtij “thesari”, që na dhuruan profesorët tanë. Është vetëm një gur në këtë ndërtesë të madhe, që e quajmë me plot gojën “Shkolla shqiptare e violonçelit”.
Add new comment