Studimi: Pandemia çoi në obezitet 10 mijë ushtarë amerikanë
Gjatë pandemisë së Covid-19, shkalla e obezitetit në ushtrinë amerikane u rrit gati në 25%. Rreth 10 000 ushtarë aktivë në detyrë zhvilluan obezitet midis shkurtit 2019 dhe qershorit 2021, raporton Associated Press. Rritje e obezitetit u pa edhe në Marinën Amerikane.
"Ushtria dhe shërbimet e tjera duhet të gjejnë mënyrën t'i kthejnë forcat në palestër", tha Tracey Perez Koehlmoos, drejtore e Qendrës për Kërkimin e Shërbimeve Shëndetësore në Universitetin e Shërbimeve Uniforme në Bethesda, Maryland, e cila drejtoi hulumtimin.
Trupat mbipeshë dhe obezë kanë më shumë gjasa të lëndohen dhe më pak mundësi për të përballuar kërkesat fizike të profesionit.
Ushtria humbet më shumë se 650 000 ditë pune çdo vit për shkak të peshës shtesë dhe kostot shëndetësore të lidhura me obezitetin tejkalojnë 1.5 miliardë dollarë në vit për anëtarët e tanishëm dhe të mëparshëm të shërbimit dhe familjet e tyre, tregon hulumtimi federal.
Liderët e ushtrisë amerikane kanë paralajmëruar për ndikimin e obezitetit në ushtrinë amerikane për më shumë se një dekadë. Por efekti i pandemisë nxjerr në pah nevojën për veprim urgjent, tha gjeneral brigade i Marinës në pension, Stephen Cheney, i cili është bashkautor i një raporti të fundit mbi obezitetin.
Add new comment