Një episod spiunazhi në Greqi...përballë agjentëve rusë të gardhit të uzinës së Gramshit
Gazetat greke njoftojnë për ekspozimin nga shërbimi sekret I Greqisë të një agjenteje të huaj, prezantuar nën identititetin Maria T., por që në fakt quhet Irina.
Gazeta “Kathimerini” raporton se sipas shërbimeve greke, rasti erdhi në vëmendje pasi u konstatua përpjekja e një vendi të tretë për të marrë akses te të dhënat e qytetarëve grekë të vdekur, një praktikë kjo e stabilizuar e shërbimeve të inteligjencës që shfrytëzojnë një bazë të tillë për të “fabrikimin” e agjentëve me identiet të vjedhur.
Maria T., është një ndër këto raste e cila ishte infiltruar aq mirë, saqë as njeriu i saj më i afërt nuk kishte dijeni, apo as kishte nuhatur rolin e saj të dyfishtë. Ekspozeja mediatike e një rasti të tillë, përtej faktit se qeveria greke e hedh në media atë për qëllime politike dhe elektorale, jep të kuptojë një praktikë të neutralizimit të individëve të tillë në një botë që sa vjen e ndërlikohet.
Është një episod që ka kuptim edhe për ta vënë në ballafaqim me nallbano-republikën tonë që për raste të ngjashme, nis me dëbimin e diplomatëve rusë të akuzuar për spiunazh dhe të cilëve iu publikuan emrat dhe mbyllet me ngjarjen karnevaleske të Gramshit, kur u ndaluan tre shtetas rusë që u shpallën agjentë nga gazetarët për t’u mbajtur në këmbë kjo tezë nga qeveria.
Sot që flasim, një prej shtetasve rusë të ndaluar e që mbahet në burg ka kërkuar azil politik në Shqipëri një pretendimin se në Rusi do të arrestohet për akuza të rreme, një kërkesë kjo që sipas burimeve të ndryshme është bërë për të mundësuar lirimin nga burgu në vendin tonë.
Çështja këtu është me mënyrën si administrohen ngjarje apo episode të kësaj natyre në kontesktin e një bote që sa vjen e shndërrohet në shesh përballjeje mes shërbimeve dhe që e ka të detyrueshme të eliminojë instrumentalizimin e tyre politik e mediatik në mënyrë që edhe shërbimet shqiptare të rehabilitohen për aq sa mund të rehabilitohen karroca të tilla.
Add new comment