Putin gjykohet nëse kriminalizohet akti i "luftës së agresionit"

Postuar në 27 Shkurt, 2023 15:48
Intervistoi: Ralf Neukirch/Rafael Buschmann

 

Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel” eksperti i ligjit Claus Kress, flet për gjykimin e mundshëm të elitës politike ruse në një gjykatë ndërkombëtare. Sipas tij kufizimet në Gjykatën aktuale lidhen me faktin se ajo nuk merr dot në shqyrtim “aktin e agresionit”, që nuk është kriminalizuar në të drejtën ndërkombëtare, çka do të përbënte një element juridik të fortë për të vënë para drejtësisë edhe presidentin rus Putin.

Në çdo rast, kriminalizimi i aktit të agresionit, apo një Lufte Agresioni është një argument me potencial shpërthyes, pasi lufta ka përherë dy përkufizime, ndërkohë që një kualifikim i tillë do të duhet të shoqërohej me shpjegimin publik se pse shtetet mbajën ushtri, zhvillojnë industri të armatimit ofensiv në fund të fundit. Më poshtë intervista e sjellë me shkurtime në shqip nga ResPublica:

Në cilën pikë Gjermania do të bëhej një palë në luftë?

Pyetja do të shtrohej mbi bazën e ndalimit të dhunës dhe të drejtës për vetëmbrojtje: Në cilën pikë mbështetja e vetëmbrojtjes individuale të Ukrainës detyron përdorimin e forcës nga Gjermania duke kërkuar invokimin e të drejtës kolektive për vetëmbrojtje? Ky do të ishte sigurisht rasti nëse Gjermania dislokon ushtarët e vet – nëse p.sh forca ajrore gjermane apo tanket gjermanë të drejtuar nga ushtarë gjermanë do të dislokoheshin në Ukrainë. Atëherë Gjermania do të ishte po ashtu një palë në luftë.

ShBA ka përcjellë koordinatat e depove ruse të municionit dhe barakave të ushtarëve në territorin ukrainas drejt Kievit. E kalon kjo vijën e kuqe?

Përfshirja në planifikimin e operacioneve ushtarake ukrainase mund të bëhet një pikë pa kthim.

Çfarë pasojash mund të ketë kjo?

Ushtrimi i të drejtës së vetëmbrojtjes kolektive do të duhet të raportohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. një letër e tillë, megjithatë, me gjasë do të ishte po aq e padëshirueshme politikisht sa statusi i palës në luftë që do të implikohej prej kësaj. Por sërish: nuk ka dyshim rreth lejueshmërisë së mbrojtjes kolektive të Ukrainës nën ligjin ndërkombëtar. Nëse Rusia do t’i përgjigjej një mbrojtjeje të tillë kolektive me sulme ushtarake kundër shënjestrave që mbahen nga mbrojtësit, do të shkelte sërish ndalimin e përdorimit të forcës.

Ka një diskutim aktualisht për mënyrën sesi të procesohen ata që janë përgjegjës për agresionin. Pse është kaq e vështirë? Gjykata Penale Ndërkombëtare po heton krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit – dhe po ashtu ndoshta edhe genocid.

Këto hetime mbulojnë një pjesë domethënëse të padrejtësisë; janë shumë të rëndësishme. Por pa krimin e agresionit, harrohet një përmasë qendrore: vendimi për të nisur këtë luftë nga lidershipi rus, duke shkelur kështu mbi ndalimin e përdorimit të forcës nën ligjin ndërkombëtar. Nisja e kësaj lufte agresioni është mëkati origjinal që hapi derën për të gjitha të këqijat. Kjo përfshin vrasjet e panumërta të ushtarëve ukrainas në luftime, të cilat nuk mund të procedohen si krime lufte. Në dallim nga krimet e tjera që trajtohen nga ligji ndërkombëtar, vetë Statutet e Gjykatës për fat të keq ndalojnë hetimin e krimeve të dyshuara të akresionit në këtë rast.

Pra do të ishte fillimisht për përmasën politike?

Për viktimat e drejtpërdrejta të agresionit është patjetër me rëndësi themelore që realizuasit e një lufte të tillë të merren përgjegjës. Por ka edhe më shumë në lojë: është imperative që ndalimi i përdorimit të forcës nën ligjin ndërkombëtar të konfirmohet për të ardhmen. Pas agresionit të Gjermanisë gjatë Luftës II Botërore, amerikanët dhe në fakt Bashkimi Sovjetik, e përdorën gjyqin e Nurembergut për të vendosur një precedent të fortë ndërkombëtar kundër luftërave të agresionit në të ardhmen.

Te cilët zyrtarë rusë do të ishte me gjasë fokusi i një gjykate speciale për krimet e agresionit?

Fokusi do të duhet të ishet te qarku i lidershipit rus. Kjo do të përfshinte po ashtu edhe ata që, pa ndonjë detyrë të rëndësishëm sipas Kushtetutës, kanë një ndikim të madh në planifikimin, përgatitjen, fillimin dhe/ose ekzekutimin e luftës së agresiontit.

Duket ende jorealiste që lidershipi i afërt i Vladimir Putinit do të përballet ndonjëherë me një gjykatë ndërkombëtare.

Nga perspektiva e sotme, duket e pagjasë. Për shkak se që kjo të ndodhë, Putin dhe pasuesit e tij do të duhet të shfaqen në gjyq dhe ata nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Por mund të ketë një ndryshim qeverie në Rusi dikur. Nëse njerëz të rinj në pushtet do të donin të bënin llogari me padrejtësinë e kryer, arrestimi dhe deportimi I të dyshuarve do të kthehej në mundësi.

Nuk ka asgjë që të tregojë se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Kjo thuhej shpesh para gjyqeve të Sllobodan Millosheviçit, Radovan Karaxhiçit dhe Ratko Mlladiçit gjatë luftërave jugosllave. Por gjërat dolën ndryshe. Në këtë rast, edhe vetë hetimet ndërkombëtare do të përcillnin një mesazh të rëndësishëm ndaj komunitetit ndërkombëtar. Dhe çfarë pushteti simbolik do të kishte një urdhër arresti dhe një akuzë e mirëmbështetur, publikisht e aksesueshme për Putin dhe bashkëpunëtorët e tij? Do të ishte e jashtëzakonshme.

Si propozoni që të krijohet legjitimiteti për një gjykatë ndërkombëtare?

Ka një model të qartë për këtë: OKB-ja dhe Ukraina firmosin një traktat. Ky traktat do të firmoset nga sekretari i Përgjithshëm për OKB-në përmes kërkesës së Asamblesë së Përgjithshnme.

Ka disa që thonë se vetëm Këshilli i Sigurimit në të cilin Rusia kë një veto, ka tagër për këtë.

Nuk është argument bindës. Hans Corell, këshilltar për një kohë të gjatë i OKB-së, ka afirmuar se Asambleja e Përgjithshme mund të marrë pjesë në krijimin e një gjykate ndërkombëtare siç thamë. Këtu, po ashtu, dyshimet e supozuara rreth ligjit ndërkombëtar shërbejnë për të kamufluar një mungesë të vullnetit politik.

Ka edhe një argument politik kundër kësaj gjykate: është e paqartë nëse mund të ketë mbështetje nga shumica e vendeve për të.

Nuk jam në favor të krijimit të një gjykate speciale me çdo çmim. Jam në favor të saj vetëm nëse për të mund të arrihet një shumicë bindëse në Asamblenë e Përgjithshme. Deri më tani, megjithatë, nuk është bërë ndonjë përpjekje për të mbledhur një shumicë të tillë…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.