Letër e njerkës së Hirueshes, autorit të librit, Terrault
Dihet që prindërit, që duan të rrisin fëmijët e tyre sipas Pedagogjisë Pozitive, duhet që në radhë të parë të kenë të zhvilluar aftësinë e ndjeshmërisë. Aftësinë për të edukuar fëmijët, duke kuptuar ndjenjat e nevojat e tyre. Që të bëhet më e qartë aftësia e ndjeshmërisë, po marrim si shembull përrallën e Hirushes, por nga ana e njerkës së saj. Le t’i japim mundësinë asaj, të na shpjegojë arsyet e sjelljes negative ndaj Hirushes.
Kur shkrimtari i Hirushes Charles Perrault mbaroi përrallën, të gjithë akuzuan njerkën e keqe, që keqtrajtonte të bijën e bashkëshortit të saj. Ajo ra në depresion kur kuptoi që do e ndante i shoqi dhe që bijat e saj do të mbeteshin pa martuar. Për këtë arsye, vendosi t’i dërgojë një letër shkrimtarit, që të shkruante pjesën e dytë të përrallës, ku do të përligjej sjellja e saj.
***
I dashur Charles Perrault!
Do t’iu lutesha, qoftë për një herë të vetme, të futeshit në rolin e gruas që dashuroi një burrë të ve me një fëmijë. Jetoja me bashkëshortin tim në një fshat të Parisit. E vetmja pasuri që kishim, ishte një arë ku kultivonim vreshtin dhe një lopë. Jetonim në varfëri, por qemë të lumtur. Lumturia jonë u kurorëzua me lindjen e vajzave tona. Ama, nuk arritëm ta shijojmë lumturinë dhe të rrisim vajzat, pasi im shoq ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. U detyrova që të punoj fort, që të rrisja vajzat me ndershmëri, ndonëse shumë bashkëfshatarë donin të martoheshin me mua. Isha e re dhe e bukur. Por, unë s’kisha sy për askënd, gjersa filloi të më rrihte zemra sërish dhe të dashuroj një burrë tjetër.
Kur vajzat u rritën, njoha një tregtar të pasur dhe u martova me të. Tregtari kishte shtëpinë e vet dhe disa dyqane në një qytet afër Parisit dhe kësisoj u shpërngula bashkë me vajzat e mia në shtëpinë e bashkëshortit tim të ri. Nuk është e lehtë të shpëngulesh. Të lësh shtëpinë, arën, lopën dhe të afërmit. Tregtari kishte një vajzë nga bashkëshortja e parë, me të cilën u ndanë dhe ia la atij të bijën.
U dashurova pas tregtarit e me paratë që fitonte mund të kishim një jetë të lumtur e të pasur dhe të gjeja dhëndurrë të pasur për vajzat e mia. Por, im shoq punonte me orë të tëra dhe s’mund të shkonim në pritjet e ndryshme që organizoheshin e të hynim në rrethin e dhëndurrëve të pasur. Pengesa më e madhe, qe e bija e tij. Teksa rritej - të themi të drejtën - bëhej gjithmonë e më e bukur, në ndryshim nga bijat e mia që nuk ishin të bukura dhe ndonëse shpenzoja shumë pare për veshjet, stolitë e peliçet e tyre, asnjë kandidat nuk u afrohej. Vajzat ishin shumë xheloze ndaj bukurisë së Hirushes, por edhe ngaqë kishte gjithë vëmendjen e dashurinë dhe të atit të saj. T’iu them të drejtën, as unë nuk arrija ta gëzoja tim shoq. Sapo kthehej në shtëpi, rrinte vazhdimisht me të bijën. Përqafoheshin, flisnim me orë të tëra dhe me ne asgjë. Vetëm shpërfillje.
Njeri jam dhe unë dhe kisha nevojë për vëmendje e dashuri. Vajzat e mia nuk kishin baba. Ai më premtoi, që do të kujdesej e do të na donte, ndaj dhe vendosa të martohesha me të. Por, qenë vetëm fjalë. Hirushja s’më kishte ndonjë faj, por s’ kishim simpati për të dhe gjatë kohës që i ati nuk ishte në shtëpi, e vinim të bënte të gjitha punët e të pastronte hirin. I ati e kishte fajin. Desha ta bëja të kuptonte mashtrimet e veta dhe shpërfilljen ndaj meje e vajzave të mia.
Nëse e bija, s’ do të qëndronte me ne dhe do ta dërgonte tek e ëma, nuk do të shkonte te pritja që organizoi princi, as do e humbte njërën këpucë dhe as do të martohej me princin. Nuk arrij ta kuptoj, sesi pas kaq vitesh që kish pa e parë nunën e saj, u shfaq natën e ceremonisë dhe e shndërroi në një princeshë. Nëse Hirushja s’do të shkonte, princi s’do të dashurohej me të, me siguri që do martohej me një nga vajzat e mia dhe tani do të qemë të pasur.
Zoti Charles, t’i shkruash të gjitha këto që të vësh në vend reputacionin tim dhe të kuptojnë njerëzit edhe anën time. Ndjeshmëri do të thotë të dëgjosh e të kuptosh ndjenjat e nevojat e tjetrit, pavarësisht se nuk je dakord me sjelljen e tij.
Të falënderoj Charles Perrault!
Me respekt,
Ish-njerka e Hirushes
Përktheu: Eleana Zhako
Burimi: antikleidi.com
Add new comment