Kur inteligjenca artificiale shkruan përralla për fëmijë

Postuar në 07 Shkurt, 2023 21:13
Theodhora Vasilopulu

 

Inteligjenca artificiale në shërbim të inteligjencës artificiale. Ose ndryshe, si ChatGPT, duke marrë urdhrat e duhur, krijoi një përrallë për një vajzë shtatë vjeçe, duke i shpjeguar me fjalë të thjeshta s’e çfarë është AI. Bëje si shkrimtarët. Shkruaj një histori që t’u mësojë fëmijëve në mënyrë të thjeshtë intiligjencën artificiale. Libri duhet të jetë i shkurtër dhe të ketë si protagoniste një shtatë vjeçare me emrin Elektra”. Ky është “urdhri” që shtypi në kompjuterin e vet Jorgo Efstratiadhi dhe konkretisht në ChatGPT, që të mundej t’i shpjegonte vajzës së vet inteligjencën artificiale duke përdorur vetë intiligjencën artificiale. 

Për dhjetë sekonda boshti qendror i përrallës ishte gati. Vazhdoi t’i kërkonte aplikacionit të zhvillonte fabulën, të përshkruajë hollësisht personazhet dhe botët e tyre. Dha urdhër, që t’i përshkruante gjithashtu imazhet, që do t’i duheshin për të ilustruar historinë. Në vazhdim iu drejtua një modeli tjetër intiligjence artificiale, që quhet “Midjourney”. Pasi e furnizoi me përshkrimet, që mori nga ChatGPT, ilustrimi ishte gati. Përralla ishte ndërtuar në 40-50 minuta.

Përsa i përket rezultatit…“i pëlqeu shumë. Sidomos, kur i shpjegova se si u krijua. Ndërkaq, më bëri vërejtjen, që “sytë e vajzës janë njëherë të gjelbër e njëherë kafe e hapur”, duke shtuar që ”inteligjenca artificiale është ende duke mësuar, pra do të përmirësohet”, thotë për gazetën “Kathimerini”, z. Efstratiadhi në lidhje me reagimin e së bijës.

Efstratidhis është diplomuar nga Singularity University në Silicon Valley të Kalifornisë mbi Shkencën e Kompjuterave , i cili u ofron programe kuadrove dhe funksionon si inkubator biznesesh. Ai është shkrimtar i librit “Metaverse: Avoiding the dark turn”, që ndodhet në Amazon dhe bashkëthemelues i Toroblocks, aktor ndërkombëtar në mbrojtjen dhe monitorimin e arkivave dixhitale me teknologji web-i 3.0, siç është blockchain. J. Efstratidhis i njeh mirë zhvillimet e fundit teknologjike. Dhe nuk e fsheh shqetësimin e tij për të ardhmen.

Inteligjenca artificiale (IA) është diçka që ekziston në jetën tonë prej shumë vitesh. Në televizorët tanë, në celularët tanë, në makinat tona. Por, tashmë, po kalojmë në një fazë të re. Inteligjenca artificiale po shtohet dhe po shtrihet gjeometrikisht. Ajo që do të vijë do jetë galopante, totalitare dhe rrafshuese. Së shpejti, do të jetë praktikisht e pamundur ta ndjekim me mjete njerëzore. Nuk po flasim për një “revolucion industrial” më shumë. "Do të ndryshojë gjithçka dhe me ritme të shpejta. Dhe askush nuk është i përgatitur, për çka po vjen”, shpjegon ai. Frika e tij më e madhe është fakti, që informacioni ndodhet në duar të pakta dhe që s’do mundemi ta verifikojmë, mbasi edhe koncepti i së vërtetës do të ndryshojë. 

Tani, që po flasim Al mund të krijojë tekste shumë të shpejta, imazhe, tinguj dhe video, me çfarëdolloj përmbajtjeje t’i kërkojmë. Çfarë do të ndodhë nëse kryeministri i një vendi shfaqet në një video dhe kërcënon një vend tjetër me luftë? Do të jetë e vërtetë? Si do e kuptojmë? Dhe si do të jemi të sigurt, që s’e bëri vendi tjetër që ta përdorë si shkas?”, thotë  ai.

Dhe më e keqja, sikurse thotë, është që shumica e njerëzve s’e ka idenë se çfarë po ndodh. 

Fatin e njerëzimit në këtë sektor e ka në dorë një numër i vogël kompanish të mëdha si, Google, Microsoft, Meta dhe Apple. Njerëzit nuk e dinë, që 80% e punëve sot nuk do të ekzistojnë për 10-15 vjet dhe çfarë pabarazie dhe shqetësimi mund të shkaktohet. Kriza ekonomike, që po kalojmë, do të ngjajë parajsë, para kësaj që do të ndodhë. Së fundi, ChatGPT kaloi provimet që të bëhet doktor në Amerikë. Dhe po flasim, për variantin e tij eksperimental. Imagjinoni s’e ç’ mund të bëjë në 2-3 vjet”.  Për Jorgo Efstratiadhin gjëja më shqetësuese është, që fëmijët përgatiten nga prindërit dhe mësuesit, për një të ardhme, që s’do të ekzistojë më. 

Disa miq të fëmijëve tanë, do të jenë dixhitalë. Me ta do të bisedojnë, me ta do të ndajnë sekretet e tyre më të thella e do të mësojnë prej tyre. Që tani, ekzistojnë persona dixhitalë që kanë mijëra miq, me të cilët flasin privatisht. Nuk mund mos ta mendoj faktin, që shpiem fëmijët në një shkollë, që s’do të ekzistojë më, kur të diplomohen. Për shembull, gjuhët e huaja për pak kohë, nuk do të jenë të nevojshme, por ama u mësojnë fëmijëve një, dy e tre gjuhë. U mësojmë gjëra, që mund t’i gjejnë me sekonda në celularin e tyre. Njëmend, që po i përgatisim për diçka, që nuk do të ekzistojë. Është e frikshme”.

Mburojë për mësymjen e inteligjencës artificiale, do mund të qe një pauzë, derisa të miratohen rregulla të qarta nga shtetet dhe një parapërgatitje më e mirë i brezit të ri, për atë çka do pasojë. Sikurse thekson J. Efstratiadhis, “fëmijët tanë duhet të edukohen me konceptin e fleksibilitetit gjatë punës, e ndjeshmërisë, e inteligjencës sentimentale dhe e lehtësisë së të mësuarit të shpejtë mbi një shumëllojshmëri subjektesh. Pra, të aftësive, që do të vonojnë të zëvendësohen nga intiligjenca artificiale. Duhet të mësojnë të rezistojnë shpirtërisht nga ndërrimi i vazhdueshmën i orientimit profesional në një mjedis jo të qëndrueshëm. Nga ana tjetër, shtetet duhet të përgatiten, përpos të tjerave, për valën më të madhe të papunësisë, që do të ndiejmë ndonjëherë dhe për tronditjen sociale dhe psikologjike, që ajo do të sjellë”.

Përktheu: Eleana Zhako

Burimi: Kathimerini

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.