Luftë hibride rendit ndërkombëtar

Postuar në 04 Shkurt, 2023 22:50

Janusz Bugajski, një analist me kredenciale ndërkombëtare, shkruan në gazetën “Dita” një analizë – prognozë mbi rrjedhojët e shpërbërjes së Federatës Ruse. Është një parashikim, një dëshirë, që padyshim ka vlerë të analizohet në një rrafsh me prirjet centrifugale të pas Luftës së Ftohtë siç janë edhe ato për pavarësinë e Kalifornisë p.sh. 

Nëse lexon analizën kupton se çfarë rreziku përfaqësojnë njerëz si Bugajski nëse këshillat e tyre do të konsiderohen përderisa luajnë në letër pa më të voglin hezitim harta, shtete, organizime historike e kështu me radhë të cilat i zëvendësojnë me kuatrina të himneve optimiste për Perëndimin. 

Shpërbërja e Federatës Ruse do të përmirësojë sigurinë dhe stabilitetin e disa rajoneve relativisht afër me të, përfshirë Ballkanin Perëndimor…
Në mbarë Federatën Ruse do të krijohen shtete të reja pro-perëndimore, çfarë mund të rrisë stabilitetin në disa rajone të Europës dhe Euroazisë…

Rajonet dhe republikat e Rusisë në Lindjen e Largët do të kërkojnë njohjen dhe investimet e jashtme dhe do rezistojnë të mos përfshihen në perandorinë ekonomike kineze në rritje…
Uashingtoni dhe Brukseli duhet të kontaktojnë republikat dhe rajonet e Rusisë dhe t’i tregojnë se qytetarët e federatës së dështuar kanë një të ardhme përtej fantazive destruktive perandorake të elitës së Kremlinit

shkruan ndër të tjera ai. 

Analiza mundet të jetë shkruar në udhëtim, në avion dhe nisur me e-mail, meqenëse për Shqipëri është, një vend ku një këngë duhet të këndosh, ose mund të supozojmë se e ka bërë ndonjë ndihmës i z. Bugajski. Megjithatë lehtësia me të cilën dikush flet për zhbërje shtetesh, sesa mekanikisht lexohet dhe interpretohet stabiliteti profetik është iluminuese për të kuptuar se pasiguria gjeopolitike nxit patologjitë e agresionit në demokracitë liberale. 

Është e vështirë të besosh se ky lloj “naiviteti” të jetë niveli i analizës në Perëndimin e pas Luftës së Ftohtë që pa shpërbërje shtetesh dhe rilindje nacionalizmi, që provoi shijen e hidhur të sugjerimeve si këto të Bugajskit në Irak. Ndaj do supozuar se skenarë të tillë janë axhendë e një segmenti të politikës perëndimore që kultivon në vijimësi idenë e antagonizmit permanent me një Rusi që në fakt është palë ekuivalente në stabilitetin afatgjatë të botës bashkë me Kinën dhe padyshim ShBA. 

Marrëveshjet që kanë siguruar atë që është paqja afatgjatë në botë që pas Luftës II Botërore në fakt përfaqësojnë konsensusin objektiv të një bote që u dakordësua për bashkëjetesë dhe rekomandime si këto të Bugajskit janë një lloj lufte hibride ndaj paqes dhe perspektivës së saj. Ndaj parimeve të gjithëpranuara. Invazioni rus ndaj Ukrainës është i dënueshëm dhe në thelb me atë që pasi ai është një leksikon edhe për vetë Rusinë, e cila duhet të mbajë përgjegjësinë e vet, por arsyet e tij janë komplekse përveçse inherente në atë që Bugajski e quan fantazi perandorake destruktive të Kremlinit. 

Është për t’u shënuar që aktualisht në Rusi dhe në Perëndim nuk po shquhen njerëz të aftë për paqen, për rendin e ri ndërkombëtar, por shfaqen e rishfaqen njerëz të koniunkturës dhe takticienë të destabilizimit, të instrumentalizimit të problemeve të së shkuarës, sjellë si elementë erodues të parimeve të rendit ndërkombëtar. Kjo përfaqëson në thelb problemin kryesor sot të sigurisë të paktën në Europë dhe Perëndim. 

Me ide të vjetra dhe pa përgjigje për pyetje: a ka paqe pa Rusinë në Europë, qasje të tilla thjeshtëzuese flasin për një drejtim radikalizues të politikës perëndimore të ngjizur dhe riprodhuar në Europën Qendrore dhe Lindore, ku konservohet në fakt një rusofobi që nuk ndihmon në asgjë. 

s.zaimi 

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Kur mban nje qendrim, apo thjeshte shpreh nje bindje, duhet marre gjithnje parasysh edhe varianti i kundert i tyre. Njeri qendrim/bindje eshte qe Rusia eshte njefare entiteti ( me te gjitha llojet e cilesimeve te tij) qe gezon te njejtat te drejta si njefare entiteti amerikan, gjerman, francez, anglez e keshtu me radhe te gjitha vendet demokratike perendimore. Sipas kesaj logjike, natyrisht qe jane te padrejta analizat per shperberjen e ketij entiteti; qe ketej, keto analiza s'dalin gje tjeter vecse ca enderrim-deshirimi te demshme per... stabilitetin dhe paqen boterore!!!
Ka nje mode ne rrethet gazetareske-intelektuale ne Shqiperine tone, deshperimisht te tejkaluar vakti: moda antiamerikane! Duhet te jesh me patjeter pak antiamerikan, qe te jesh europian, modern, perendimor! Rrenjet e kesaj mode te shkalafendur duhen kerkuar tutje ne kohen e totalitarizmit kur breza te tere u bombarduan papushim me kete lloj te neveritshem ushqimi. Natyrisht qe askush nga keta qe e ndjekin kete mode, nuk e pranon kete; perkundrazi e hedhin poshte me zemerim; kjo eshte e kuptueshme, sepse te pranosh kete fakt eshte te pranosh se indoktrinimi i asaj epoke ishte aq toksik dhe radioaktiv, sa askush nuk mund te ishte imun ndaj tij. Shpresa e vetme eshte koha, qe natyrisht do te jete e gjate, shume e gjate, per tu cliruar te pakten nga masa kritike e ketij lloj radioaktiviteti.
Nuk eshte Rusia dhe vetem ajo, por edhe Kina e Irani bie fjala, si USA, BE, por edhe Japonia dhe Korea e Jugut bie perseri fjala. Ne keto "federatat" perendimore po vershojne papushim, ka me shume se nje shekull, njerez nga te kater anet e botes; te gjithe keta enderrojne ti nenshtrohen ligjeve te ketyre "federatave"...! Krejt e kunderta ndodh me federaten ruse; e kunderta absolute, ne te gjitha kuptimet e fjales.
Duhet te jesh vecanerisht naiv ti shohesh shtetet si dofare entitetesh mitike, qe na paskeshin te njejtat te drejta dhe qe na u dashkan trajtuar me te njejten barazlargesi opinioni dhe analize: jo po Amerika, jo po Rusia, jo po Kina e Irani... A nuk ju duket qesharake si ato anektodat me rus amerikan italian e gjerman? Pikerisht keshtu eshte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.