Një profil i një zyrtari me njohje në lojërat e pushtetit
Një koleg i dikurshëm i të akuzuarit të FBI-së, Charles McGonigal, thotë se ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit ishte një "narcisist egoist", i cili shpesh "u bërtiste vartësve", nuk i duronte dot sukseset e nëpunësve dhe mund të ketë qenë pjesë e një klike anti-Hillary Clinton në zyrën e agjencisë në Nju-Jork, gjë që shtoi presionin mbi drejtorin e FBI-së, James Comey, për të rihapur hetimin e byrosë për emailet e pahijshme të kandidates për presidente vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të 2016-s.
“Moshatarët e respektonin shumë, edhe menaxherët e tij,” tha ish-agjenti i dekoruar i FBI-së, në kushte anonimati, në mënyrë që të fliste lirshëm për aktakuzën që ka tronditur botën e ngushtë të kundërzbulimit.
“Por shumë njerëz që punonin për të nuk mund ta duronin, sepse ai ishte acarues. Ai thjesht i trajtonte njerëzit shumë keq.”
"Ajo e Charlie-t, ishte thjesht ego dhe ambicie," tha ish-kolegu.
Nëse është e vërtetë, një defekt i tillë personaliteti mund të ndihmojë në sqarimin e misterit se përse një zyrtar kaq i lartë dhe i suksesshëm i FBI-së do të rrezikonte të binte pre e “magjisë” së agjentëve të huaj.
Lajmi për arrestimin e McGonigal sigurisht që ka habitur një ish-zyrtar të lartë të FBI-së, i cili në vitin 2010 e vuri McGonigal në krye të një projekti "shumë sensitiv" (emrin e të cilit ai zgjodhi të mos e thoshte për arsye sigurie). New York Times raportoi vite më vonë, në 2018, se ai ishte caktuar në atë kohë për të udhëhequr një grup pune FBI-CIA, që po hetonte humbjen e spiunëve të CIA-s në Kinë.
Ish-oficeri i agjencisë, Jerry Chun Shing Lee, u arrestua, por një përgjigje e plotë për të gjitha humbjet nuk është marrë ende. Në vitin 2016, McGonigal u emërua Agjent Special, përgjegjës i Divizionit të Kundërzbulimit për Zyrën e Nju-Jorkut.
Ish-zyrtari i FBI-së thotë se nuk kishte parë asnjë arsye për të cilën McGonigal të mos promovohej. “Unë bëra detyrën time dhe verifikova Charlie-n, i cili gjithashtu ishte në zyrën e terrenit në Uashington, dhe të gjithë thanë, “po, ai është njeriu juaj,” tha ai për SpyTalk.
Nëse ka pasur ankesa për stilin e menaxhimit të McGonigal, ato kurrë dolën në sipërfaqe, tha ai. Ai e kujton McGonigalin si "jashtëzakonisht profesionist dhe metodik".
McGonigal u akuzua të hënën në dy raste të veçanta korrupsioni që përfshinin arkëtime të paligjshme dhe pastrim parash — i pari për pretendimin se ka marrë pagesa sekrete prej më shumë se 225 000 dollarësh nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare në emër të një partie politike atje, tjetri për përpjekje për të shpëtuar nga sanksionet amerikane oligarkun rus, Oleg Deripaska.
Në atë skemë, sipas Departamentit të Drejtësisë, McGonigal paguhej 25 000 dollarë në muaj nëpërmjet një llogarie në emër të një ish-diplomati rus të quajtur Sergey Shestakov, i cili punonte si përkthyes për qeverinë amerikane. McGonigal u vetëdeklarua i pafajshëm në Nju-Jork të hënën dhe nuk kishte asgjë për të thënë ndërsa doli nga gjykata i shoqëruar nga avokati.
Para daljes në pension në 2018, McGonigal kishte qenë përgjegjës për hetimin e Deripaskës, një mik miliarder i Vladimir Putinit, i cili është implikuar në disa akte kriminale gjatë viteve, duke përfshirë një angazhim në përpjekjet e fshehta ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016-s, në favor të Donald Trump.
Zyra e FBI-së në Nju-Jork (zyrtarisht, një divizion) ishte "Trumpland", tha burimi. Sipas traditës së FBI-së, në Uashington, McGonigal nuk e shfaqi hapur orientimin e tij politik, nëse kishte të tillë. Por kur zbarkoi në Nju-Jork më 4 tetor 2016, ai u fut papritur në një mjedis ku disa agjentë shprehnin hapur përbuzjen e tyre për Klintonët dhe demokratët në përgjithësi.
McGonigal ishte një njujorkez 24 karatësh. Në fillim të karrierës së tij 20 vjet më parë, ai kishte punuar në hetimin e rrëzimit e TWA Flight 800, i kryesuar nga shefi i zyrës së Nju-Jorkut, James Kallstrom, i cili ishte i afërt si me kryebashkiakun e atëhershëm Rudy Giuliani, ashtu edhe me zhvilluesin pompoz të pasurive të paluajtshme dhe bosin e taboidëve, Trump. Në javët e fundit të fushatës së 2016-s, Giuliani, këshilltar dhe avokat i Trumpit, shkoi vazhdimisht në Fox News duke lënë të kuptohet se FBI kishte një "surprizë të madhe" në lidhje me Hillary Clinton, çka do ta shtynte Trumpin drejt fitores.
“Surpriza” rezultoi se ishte zbulimi nga ana e FBI-së i emaileve të ish-sekretares së Shtetit në laptopin e këshilltares së saj të ngushtë, Huma Abedin. Bashkëshorti i kësaj të fundit, Anthony Weiner e përdori të njëjtin laptop për t’u dërguar fotografi të tij nudo vajzave të mitura. Më 21 shtator, vetëm dy ditë pasi FBI kishte marrë në zotërim famëkeqen "Dosja Steele" mbi lidhjet midis Trump dhe rusëve, tabloidi londinez Daily Mail kishte publikuar një "ekskluzive" në faqen e parë, me emailet e Weiner me një vajze 15-vjeçare.
Drejtori i FBI-së, James Comey, nga frika se mund të akuzohej se kishte mbuluar zonjën Klinton, njoftoi se po rihapte hetimin e postës elektronike të byrosë, një goditje e rëndë për fushatën e saj. McGonigal ka pasur një vend në rreshtin e parë – më e pakta - në të gjitha këto zhvillime, si dhe urdhrat e trazuara për mbikëqyrje ndaj ndihmësit të politikës së jashtme të Trump, Carter Page, dhe informacionin e marrë nga një diplomat australian se një ndihmës tjetër i fushatës së Trump, George Papadopoulos, ishte mburrur se rusët kishin në dorë “diçka të pisët” për Clinton-in.
Ndoshta McGonigal mund të ketë pasur një rol në këtë. Temat tashmë po rikthehen në vëmendje - dhe po nxehen - sipas ish-zyrtarit të FBI-së - nga mediat e krahut të djathtë, si rezultat i arrestimit të njeriut të FBI-së.
“Kur arriti në Nju-Jork, ai kishte një pjesë të çështjes Carter Page si një SAC i nivelit të lartë,” tha ai. Por vetëm "për pak kohë". "Këto gjëra që thuhen për mënyrën se si ai e drejtoi “Uraganin Crossfire", emri i koduar për hetimin e FBI-së për lidhjet midis bashkëpunëtorëve të Trump dhe rusëve dhe nëse Moska ndërhyri në fushatë, janë të gabuara, tha ish-zyrtari. “Jo, nuk e preku. Kjo është e gjitha marrëzi. Çështjen “Carter page”, po, sepse ai ishte shef në Nju-Jork për një periudhë." Por vetëm kaq.
"Gjëja tjetër që është interesante, dhe ia vlen të shikohet," vazhdoi ish-zyrtari, "është se ai ishte njëri prej (kishte shumë, por ai ishte një prej tyre) njerëzve të parë që i thanë byrosë, 'Hej, ky tipi, George Papadopoulos, i tha ambasadorit australian në Londër se rusët kishin “diçka të pisët” për Hillary-n.'
Tani ky, me siguri, ishte një nga faktorët që bëri që selia të hapte çështjen origjinale të hershme të CI-së nëse Rusia po ngatërrohej me zgjedhjet amerikane...Tani pse, pse Charlie kishte njohuri për George Papadopoulos, që kishte thënë këtë? Unë, nuk kam asnjë ide të çmendur. Dhe jam i sigurt që dikush po e shikon këtë”, tha ish-zyrtari.
Maja e ajsbergut
"Unë mendoj se ka më shumë për këtë," thotë ish-kolegu i McGonigal. "Ai është i përfshirë në të gjitha këto. Unë mendoj se dikush duhet të shikojë mirë se cili ishte roli i tij dhe të gjitha këto. Tani, a ishte ai një vendimmarrës? Jo, por ai ishte SAC(Special Agent in Charge) [për kundërzbulim] në Nju-Jork…”
Në një sërë postimesh provokuese të së hënës mbrëma, historiani i shquar presidencial Michael Bechloss krijoi njëfarë lidhjeje midis mbërritjes së McGonigal në Nju-Jork, rrjedhjes së informacioneve të Clinton dhe historisë së çuditshme (dhe të pasaktë) të New York Times vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve, me titull "Hetimi për Donald Trump, FBI nuk sheh asnjë lidhje të qartë me Rusinë.”
Duke cituar "burime anonime të zbatimit të ligjit", Times raportoi se "asnjë nga hetimet e deritanishme nuk ka gjetur ndonjë lidhje përfundimtare ose të drejtpërdrejtë midis zotit Trump dhe qeverisë ruse". Ai shtoi se “madje edhe hakerimi i emaileve të demokratëve, FBI dhe zyrtarët e inteligjencës tani besojnë se kishte për qëllim prishjen e zgjedhjeve presidenciale dhe jo zgjedhjen e zotit Trump.”
Ia kishte dhënë këtë informacion tabloidit McGonigal dhe/ose Giuliani? Ai ishte aq ambicioz sa nuk do ta bënte një gabim të tillë, tha ish-kolegu i tij për SpyTalk. Ai mund ta ketë bërë këtë për të kënaqur shefat e tij anti-Klinton dhe Giuliani.
"Unë nuk do ta neglizhoja mundësinë që Charlie të ketë qenë një nga ato burime," tha ai. Dhe si shefi i kundërzbulimit të zyrës, ai do të kishte qenë një burim autoritar për gazetarët, si për çështjen e laptopit Weiner, ashtu edhe për "Russiagate".
"Unë nuk do të kisha dyshim se Charlie luajti një rol në rrjedhjen e informacionit", tha burimi. “Nuk do të më befasonte. Thjesht nuk do të më befasonte.”
Së bashku, historitë me origjinë nga FBI e Nju-Jorkut u bënë virale në mediat sociale, ku u amplifikuan nga llogaritë false ruse dhe në mënyrë efektive e dëmtuan fushatën e Klintonit. Udhëheqësi demokrat në Senat, Harry Reid, u zemërua nga "standardi i dyfishtë" i FBI-së. Ai i dërgoi një letër Comey-t duke i thënë se “është bërë e qartë se ju posedoni informacion shpërthyes në lidhje me lidhjet e ngushta dhe koordinimin midis Donald Trump, këshilltarëve të tij të lartë dhe qeverisë ruse – një interes i huaj haptazi armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilin Trump e lavdëron sa herë që i jepet mundësia.”
Por "ju vazhdoni t'u rezistoni thirrjeve për të informuar publikun për këtë informacion kritik" në lidhje me subversionin rus (i cili do të afirmohej pas zgjedhjeve në një raport të inteligjencës amerikane).
Humbje të pallogaritshme
McGonigal nuk është akuzuar për spiunazh, por burimet e inteligjencës i druhen mundësisë së zbulimit të fakteve që provojnë se ai ka nxjerrë sekrete te Rusia, Kina apo të tjerë.
"Nëse SAC për kundërzbulimin në Nju-Jork do të shkonte keq, vërtet keq, që do të thotë spiunazh, humbjet do të ishin pothuajse të pakapërcyeshme," tha një ish-zyrtar i lartë i FBI-së, duke kërkuar anonimitetin për një çështje kaq të ndjeshme. “Nëse do të më duhej të zgjidhja katër apo pesë rolet kryesore në FBI për t’u rekrutuar nga një shërbim i huaj, ky do të ishte skenari më i keq…”
Ashtu si veteranë të tjerë të lartë të agjencisë së inteligjencës, ish-oficeri në karrierë i CIA-s, Douglas London, tha se ishte e pamundur të thuhej se çfarë mund të bënte McGonigal me njoftimet e Departamentit të Drejtësisë. Bazuar në "absolutisht asgjë përveç spekulimeve dhe instinktit tim", London tha se, "duke punuar si lobist për Deripaskën dhe shqiptarët, përkatësisht, McGonigal mund të jetë rekrutuar komercialisht nën një pretekst biznesi me flamur të rremë ose përndryshe të orientohej në bashkëpunim me rusët, të cilët mund të kenë punuar me kalimin e kohës për ta detyruar agjentin e FBI-së të zbulonte ato që dinte mbi kundërzbulimin." London shtoi se, "do të ishte qenë një gabim jashtëzakonisht amator për një djalë me përvojën e tij, ndoshta duke besuar se mund të spiunonte "sy për sy" bazuar në pretekstin e biznesit".
Sido që të jetë, London tha se "shpreson që [McGonigal] të mos ketë nxjerrë gjithçka", veçanërisht emrat e rusëve ose shtetasve të tjerë të huaj që punonin si spiunë për FBI-në ose CIA-n.
Aspekte të tjera të çuditshme të punës së McGonigal pas FBI-së bien në sy për veteranët e inteligjencës. Si ish-shef i kundërzbulimit, McGonigal "mund ta gjente punën e tij në sektorin e korporatave", siç e sheh ish-zyrtari, si njeriu i duhur që për 200 000 dollarë mund të drejtonte operacionin e sigurisë së një kompanie. Por McGonigal, ndoshta duke u ndier i shpërfillur nga dështimi për të arritur një nga tre vendet kryesore të FBI-së, si agjenti special në krye të Nju-Jorkut, Los Anxhelosit ose Zyrës Field të Uashingtonit, mund ta kishte hedhur poshtë këtë si diçka pa rëndësi.
“Është pothuajse sikur, ‘do t’ju mund të gjithëve’”, tha ish-zyrtari. Në vend të kësaj, McGonigal mori angazhim nga Deripaska dhe shqiptarët - dhe një Zot e di kush tjetër – për një pagesë prej 75 000 dollarësh në muaj. Plus udhëtime ndërkombëtare. FBI e arrestoi McGonigal pasi ai zbriti nga avioni ndërsa kthehej nga një udhëtim në Sri Lanka. Ku kishte qenë tjetër? Për kë tjetër mund të ketë punuar? Si mund të jetë komprometuar ai?
Bota e inteligjencës përdor një akronim, MICE, për të përmbledhur motivet kryesore që i shtyjnë zyrtarët e saj të ndërrojnë drejtim. Akronimi përmbledh "Para, Ideologji, Kompromis dhe Ego". Për sovjetikët e Luftës së Ftohtë, një shtysë kryesore ishte urrejtja ndaj sistemit komunist. Sot, në vende si Rusia, Kina, Irani, Kuba, Venezuela dhe Koreja e Veriut, është korrupsioni dhe represioni sistematik. Amerikanët e pasluftës, nga ana tjetër, kanë spiunuar për para, ose janë komprometuar nga shërbimet armiqësore, ose të dyja bashkë. Por në të dyja rastet, armiqësia personale – pakënaqësia ndaj shefave apo kolegëve – ka qenë pothuajse gjithmonë faktor kyç.
Çfarë i ka thënë mendja McGonigal-it? Marrëdhënia me njerëz si Deripaska ishte akti tepër i pamatur i një personi që duhet ta ketë menduar veten të paprekshëm – ose i shtyrë nga demonët privatë, spekulojnë ish-spiunët e tjerë.
"Nuk është e sigurt nëse ishte 'thjesht' një fund i korruptuar i karrierës së tij [duke dalë] në pension, apo [nëse ai ishte] një spiun i vërtetë që kreu spiunazh," tha një ish-zyrtar i lartë i operacioneve të CIA-s, i cili paralajmëroi se thjesht po spekulonte si vëzhgues i jashtëm.
“Gjithashtu, ai duket se ka manovruar shpejt dhe lirshëm [me shoqatat e tij të paligjshme] kështu që do të habitesha nëse nuk do të kishte shenja paralajmëruese të korrupsionit” shumë kohë përpara se të hapej hetimi për të. "Pavarësisht këtyre, është shumë tronditëse," tha ai.
McGonigal mendonte gjithmonë se ai ishte "djali më i zgjuar", tha ish-kolegu i tij. “Dhe unë mendoj se mund ta shihni këtë në akuza. Aty gjen temën e ambicies dhe thjesht të menduarit se je më i zgjuar se të gjithë të tjerët.
"Dua të them, si mendon se do t’ia hedhësh me këtë - përveç nëse ke narcizizëm dhe mendon se "unë mund ta mund FBI-në". Unë jam më i zgjuar se ata. Dhe unë jam i paprekshëm.'
Burimi: Spytalk
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Add new comment