Jam 60 vjeç, zyrtarisht një pordhë e vjetër

Postuar në 30 Dhjetor, 2022 22:16
Simon Hattenstone

 

Mbusha 60 vjeç më 29 dhjetor. Uuuuh! Përgjatë pesë viteve të fundit, e kam menduar veten si 60 vjeç dhe tani jam gati ta përqafoj me të vërtetë këtë moshë. Me sa duket, më 30 dhjetor do të filloj ta mendoj veten si 70 vjeç.

Nuk është se e kam mendjen vetëm te e ardhmja, sa të harroj të tashmen. Larg qoftë! As dua të filloj të sillem si një eksentrik i shkarë, i veshur me vjollcë dhe me një kapele të kuqe që nuk shkon, si në poezinë e Jenny Joseph. Unë jam përplasur lumturisht gjatë gjithë jetës sime. Megjithatë, ka diçka çliruese në këtë.

Pak javë më parë shkova në Paris dhe, për herë të parë në jetën time, njerëzit u ngritën për të më ofruar një vend në transportin publik. Dy herë. Mund të isha ofenduar në të kaluarën e afërt. Megjithatë, jo tani. Nëse je i ri dhe më ofron vendin tënd në metro ose autobus, unë do ta pranoj me kënaqësi. Kur njerëzit vërejnë se flokët e mi janë të thinjur e të rrallë, unë them: ashtu duhet të jenë. Kur njerëzit qeshin me mua që vrapoj, mendoj: epo mirë, të paktën lëviz ende.

Puna është se nuk e prisja kurrë të shkoja 60. Kur isha fëmijë pata një sëmundje që mund të më kishte marrë jetën. Dhe nuk ndodhi. Nja dy vjet më parë, kalova një depresion përbindësh që isha i bindur se do të më detyronte t’i jepja lamtumirën vetes. Dhe as kjo nuk ndodhi. Jam ende këtu, duke kënduar.

As nuk prisja të bëja një punë për 36 vjet, lëre më një punë në të njëjtin vend, e aq më pak në Guardian. Kam takuar redaktorë të vjetër që kanë qenë kaq të zhgënjyer me arritjet e tyre në jetë, sepse prisnin më shumë. Unë nuk qeshë i tillë.

Jam rritur në epokën e theçerizmit, kam humbur tre vjet shkollë dhe nuk kam pasur kurrë një ëndërr. Unë nuk i ula objektivat. Nuk pata kurrë të tilla. Dhe kjo ka të bukurën e vet. Çdo arritje ishte një plus. Po kështu, nuk kam parë te vetja një baba të mirë dhe as kam mbajtur marrëdhënie shumëvjeçare me dikë që doja. Nuk kam bërë sherre dhe as kam mësuar t’u shmangem në moshën 59-vjeçare.

Nëse jeta është një provë, tani që kam arritur të 60-at, mendoj se e kam kaluar atë (sigurisht, unë jam bordi që vendos notën). Dhe kur gjërat shkojnë mirë, ashtu qoftë. Unë kam zgjatur më shumë dhe kam shkuar më tej nga sa prisja.

Disa vite më parë, një mik më i madh në moshë më tha se vitet '50 janë dekada më e vështirë për t’u kaluar, sepse nuk je as peshk, as shpend. Ti mendon se je ende i ri në zemër, por të tjerët nuk mendojnë njësoj. Nuk je ende në klubin e të moshuarve. Por tani po marr kartën “60+ Oyster”, që më lejon të udhëtoj falas në metrotë dhe autobusët e Londrës, nuk ka asnjë paqartësi për këtë. Larg nga mohimi i moshës sime, unë do ta lavdëroj atë dhe do t’i gëzohem të qenurit një i mbijetuar – siç duhet të bëjnë të gjithë.

Dhe po shijoj atë që kam përpara. Do të vizitoj vendet e shumta në të cilat nuk kam qenë, do të lexoj librat e mëdhenj që nuk kam lexuar (po, je edhe ti te ai grup, Marcel Proust) dhe do të shikoj filmat që nuk i kam parë (Akira Kurosawa, më prit se erdha).

Më e mira e të gjithave, të qenit 60 vjeç dhe të pranuarit e kësaj moshe më jep licencën për të qenë përsëri i ri. Të 30-at, 40-at dhe 50-at janë vite me përgjegjësi të zymtë, të kujdesit dhe të mos prishësh planet e të tjerëve. Pra, dreqin, të jesh një i rritur. Tani unë kam kapur gjashtëdhjetën dhe jam zyrtarisht një pordhë e vjetër, s'ka më presione. Në moshën 60-vjeçare, kam lirinë të jem aq i papjekur sa dua vetë. Loja filloi!

Burimi: The Guardian

Përkthimi: ResPublica

PS: Citoni o "pordhë të vjetra" të kopjes!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.