Homoseksualiteti dhe Vdekja, të vetmet domene absolute të Zotit
Marguerite Duras hyn tek ata shkrimtarë që kur i lexon njeh Femrën. Jo në stilin e të shkruarit, por në atë që thotë, në pasionin e qetë të ndarjes së përvojës së vet me seksin, Mashkullin. Të cilat i letrarizon jo vetëm në tekste librash, disa prej të cilave tashmë të famshëm, por edhe si rrëfime të atypëratyshme, si të vërteta që tingëllojnë histori të një jete të Përjetuar, përveçse të jetuar.
Fragmenti më poshtë është shkëputur nga libri “Pasioni pezull”, varianti italisht, dhe që konsiston në një intervistë të ndarë në kapituj me Leopoldina Pallotta della Torre. Këtu kemi përcjellë me disa shkurtime “Pasionin”, të cilin ajo e përshkruan aq mirë, si një materie që definon mashkullin dhe femrën, ndonëse siç thotë Duras, të dy pra, njeriu, është i dënuar që të dominohet vetëm kur gjërat janë të PATHËNA. “Gjuha vret çdo pasion”.
***
Ata tuajët, janë, në një mënyrë apo tjetër, rrëfime dashurie. Pasioni si burimi i fundëm dhe të domosdoshëm për të transhenduar atë impotencë dhe palëvizhmëri që paralizon personazhet tuaj. Si një gjilpërë në mbarë universin durasian.
Dashuria mbetet e vetmja gjë që me të vërtetë ka rëndësi. Është budallallëk ta mendosh të kufizuar te historitë mes një burri dhe një femre.
Në letërsinë franceze, Marguerite Yourcenar qorton faktin se tema e dashurisë është absolutisht qendrore dhe obsesive.
Nuk jam dakord. Ndonëse është subjekt parësor i të gjitha arteve, asgjë nuk ka qenë kaq e vështirë për ta thënë, përshkruar, sa pasioni: gjëja më banale dhe njëherazi më ambige.
Ka një frazë në “Hiroshima mon amour”, që ndoshta përmbledh atë që ju konsideroni se është natyra e thellë, kontradiktore e çdo dashurie: “Ti më vret. Ti më bën një të mirë!”
Kjo ishte kur e varfër dhe ekstravagande, takova të dashurin kinez, që zbulova dyfaqësinë që bën strehë në çdo pasion. Dashuria si dëshirë për të poseduar tjetrin deri në pikën sa të duash ta gllabërosh.
Lidhur me të Dashurin, ju keni folur për historinë me pasanikun kinez si një ndër më të rëndësishmet e të gjithë jetës tuaj.
Ajo ka lënë pas vetes të gjitha të tjerat, të gjitha dashuritë e shpallura, të kodifikuara. Në përpjekjen për ta emërtuar, duke e portretizuar jashtë muzgut së vet dhe të shenjtë, gjuha vret çdo pasion, e kufizon atë, e zvogëlon. Por kur dashuria nuk është thënë ajo ka forcën e trupit, forcën e verbër dhe të papërlyer të kënaqësisë: mbetet shfaqja e mrekullueshme e të dashuruarve të qarkuar nga hija. Në “I dashuri” kam mundur të tregoj atë histori vetëm së largu, duke folur për qytetin kinez, lumenjtë, qiellin, për palumturinë e të bardhëve që e jetonin atë. Mbi dashurinë është heshtja.
Një dashuri totale që mahnit dhe po ashtu, tremb, djeg. “Nuk ka asgjë që të mund të dëshirohet aq shumë për ta jetuar, si ajo, që bën kaq shumë të vuash: thotë protagonist i ATIJ “sheshi”. Diçka si “l’amour fou” të marshimit surrealist, pasion që I çon të dashurit të kapërcejnë prozaicitetin e së përditshmes. Teksa kërkohet absolutja, ajo mund vetëm të luftojë vdekjen, të keqen dhe mërzinë e të jetuarit. “Asnjë dashuri në botë mund të mbajë vendin e dashurisë”, thotë Sara, protagoniste e “Mëzat e Tarkuinës”.
Dhe që, ende nuk mund të qetësohet, të sqarohet, nëse jo në mungesë apo në vdekje. “Do të doja që të ishe e vdekur”, i thotë Chauvin, Anne Desebrades në “Moderato Cantabile”. Dashuri totale pikërisht, po aq sa ontologjikisht e pamundur. Në librat tuaj të fundit, në tre rrëfimet që përmbahen në “Tekste sekrete” dhe në “Sy blu”, flokë të zinj, ky aspekt zgjerohet në një metaforë për vetë pasionin.
Dashuria nuk ekziston veçse për pak çaste; më pas zhduket: në pamundësinë vetë, reale, për të ndryshuar rrjedhën e një jete.
Tema e dashurisë çon në një tjetër, atë të pakomunikueshmërisë mes sekseve. Personazhet e tuaj dashurohen dhe luftojnë, përjetësisht, për të arritur një kontroll përfundimtar.
“Tjetri” të cilin secili prej nesh tenton ta arrijë, nuk ekziston. Ose është vetëm për të mohuar realitetin e vet. Një distancë e madhe ndaj të dashurit; secili mbetet i murosur në fund të vetvetes.
Në “La nave Night”, një tekst i transpozuar më pas në film, përgjatë fijeve telefoike – dhe asnjëherë përtej – konsumohet në një Paris të shkretë të natës, një histori e madhe dashurie. Përveçse përmes këtyre mediacioneve të ngjashme ju nuk besoni në mundësinë reale në një dashuri të jetuar mes sekseve?
Nuk besoj se mund t’ia dalësh pa pasionin, edhe duke e ditur se po e jetoni në më të madhen e vetmive. Diçka që e flak secilin prej dashnorëve në një izolim tragjik.
Ka përherë në rrëfimet tuaja, një mënyrë për të konsideruar pasionin si diçka ireale. Që mund të lindte pra, si jo. Mjafton të kujtosh pasazhe të caktuar të Suzana Andler.
Ajo histori nuk zhvillohet vetëm përqark asaj që protagonistët kanë bërë, por edhe në raport me atë që do të mund të kishin bërë, thënë. E kujton mbylljen? “Ndoshta të dua”. Çfarë sigurie mund të të japë për më tej, sentimenti?
Dhe përvoja juaj personale? Ju nuk i keni privuar lexuesit tuaj as nga hollësitë e një jete sentimentale komplekse.
E kam patur të pamundur të jetoja ndonjëherë pa dashuri. Por të jesh e lumtur me një burrë, nuk do të thotë për këtë shkak se je e dashuruar: ata që janë më të dashuruar, janë edhe më të tradhëtuar. Dhe që, ndoshta, nuk do të kishte nevojë të bashkëjetoje me burrat, por t’i kishe vetëm si dashnorë. Shtëpia, çifti – vende të gënjeshtrës së bashkëndarë – përfundojnë në ekonomi të mbyllura, mënyra për të shmangur çdo aventurë, për të çensuruar dhe kushtëzuar individin. Shumë njerëz martohen nën iluzionin e plotë për të mundur t’i japësh fund vetmisë: një lloj garancie e pafundme mbivendosur ndaj ankthit.
E megjithatë, është në lidhjet që më shumë se të tjerat duken stabël, që je vetëm; vetëm me ëndrrat e tua për t’u arratisur, ëndrrat erotike. Dashuria është edhe diçka tjetër nga kjo; është fryma e diçkaje që nuk mbijeton, as edhe njihet. Të gjithë vazhdojmë të biem në dashuri në bindjen për të mos degraduar dashurinë, sipas komedisë së saj të përjetshme.
Personazhet e disa prej romaneve tuaj, Alissa dhe Max Thor në « Të shkatërrosh”, ajo thotë p.sh se e jetojnë pasionin si diçka që nuk reflekton kriteret e posesivitetit apo besnikërisë reciproke.
Dashuria dhe dëshirimi për ta është e njëjta gjë. Në fund të fundit, dëshirimi që përjetohet me një putanë ka të njëjtën natyrë me pasionin që kemi për atë që duam.
Në “La musica” flitet për një dashuri, ata të një burri të martuar dhe një gruaje që, për t’u takuar, kanë nevojë për vende anonime, larg nga e zakonshmja dhe siguria.
Vetëm në mizerjen e një hoteli me orë, të dy mund të duhen, pasi zakoni i ka lodhur.
Seksi është diçka të cilit ju i atribuoni rëndësi të madhe në libra si në filma. Ju vetë mbështesni idenë se “nuk ka romanca që të mos jenë të zhytura në seksualitet”.
Nuk është seksi – ai që njerëzit bëjnë në një lloj çngjyrimi sensual - që më intereson. Është ajo që qëndron në origjinën e erotizmit, dëshira. Ajo që nuk mundet, ndoshta që nuk duhet, të qetësoshesh me seksin. Dëshira është një aktivitet anësor dhe në këtë ngjan me shkrimin; dëshirohet sikurse shkruhet, përherë.
Pjesa tjetër, kur jam në dëshirën për të shkruar ndjehem shumë më tepër e pushtuar nga shkrimi sesa e bëj në të vërtetë. Mes dëshirës dhe kënaqësisë qëndron i njëjti dallim si ai mes kaosit primar të shkrimit – total, i palexueshëm – dhe rezultatit përfundimtar i asaj që mbi fletët lehtësohet, sqarohet. Kaosi është në dëshirën; kënaqësia është vetëm ajo pjesë e vogël e saj që ia kemi dalë të arrijmë. Çfarë mbetet, pamatshmëria e asaj sa kemi dashur, mbetet aty, e humbur përgjithnjë.
Ju nuk besoni që ky imazh i dëshirës i takon universeve perfektshmërisht femërorë?
Ndoshta. Seksualiteti mashkullor rrotullohet përreth modeleve sjelljeje shumë të saktë, eksitimi, orgazma; pastaj rifillohet. Asgjë nuk mbetet pezull, e pathënë. Sigurisht jo të gjitha femrat, të ngujuara siç janë nga parime parake të një besnikërie sterilizuese, dinë të jetojnë totalitetin e dëshirës pa ndjenjë faji.
Ju keni thënë disa herë se keni patur, që nga 15 vjeç, gjurmët e dëshirës në fytyrë.
Që e vogël, që nga aventurat e para që pata, me të pajohur, në kabinat e një plazhi dhe në trena, e di se çfarë do të thotë dëshira. Me dashnorin kinez eksperimentova me të gjithë forcën dhe qysh atëherë takimet e mia seksuale kanë qenë pëherë të shumtë, edhe të dhunshëm madje.
Si ia dolët të pajtoni pasionet tuaj të panumërt me atë që, në fakt ka qenë një obsesion i vërtetë për punën?
Të gjitha herët që në jetën time hiqja dorë nga jetesa me një mashkull, e rigjeja veten. Librat më të bukur i kam shkruar kur kam qenë vetëm, apo me dashmorë kalimtarë: libra të vetmisë do t’i përkufizoja.
Çfarë mendon për meshkujt?
Që jetojë në një lloj opaciteti të jetës, aq sa nuk vënë re shumë gjëra që i rrethojnë. Të përhumbur në vetvete, nga ajo që bëjnë, disa herë, deri në pikën saqë nuk dinë kurrë gjithçka, pa zhurmë, ndodh në kokën e një femre. Ekziston ende besoj një klasë fallike që e merr veten kaq seriozisht.
Si do ta përshkruanit jetën tuaj së bashku me meshkujt?
I kam ndjekur përherë në udhëtime, kudo. Të ndaja atë lumturinë e tyre të kohës së lirë që ma impononin dhe që nuk e duroja. Përndryshe do të nxeheshin. Meshkujt që kam patur e duronin me vështirësi të folurën time të tepërt, ankesat e mia mbi kritikat që merrja apo mbi lodhjen e të shkruarit. Donin që të merresha me punë shtëpie, kuzhinën dhe nëse me të vërtetë duhet të bëja libra, e bëja në në mënyrë rastësore, sikur të ishte një zakon klandestin.
Nuk isha prezente pasi përmbi të gjitha: shkrimtarët nuk janë asnjëherë aty ku të tjerët do të donin të ishin… Kam njohur meshkuj të të gjitha llojeve: të gjithë do të donin që të shkruaja një best seller, natyrisht. Por jo përpara 2000.
Çfarë qorton te meshkujt?
Faktin që duhet t’i duash shumë, për të duruar nevojën e tyre për të ndërhyrë, folur, interpretuar çdo gjë që ndodh përqark tyre.
Ju keni deklaruar shpesh që “meshkujt janë të gjithë homoseksualë”
Impotentë të jetojnë deri në fund fuqinë e pasionit, do të shtoja. Të gatshëm të kuptojnë vetëm atë që është i ngjashëm me ta. Shoku i vërtetë i jetës së një mashkulli – i besuari real – nuk është asksush tjetër veçse një mashkull. Në universin mashkullor femra është gjetkë, në një botë që, herë pas here, mashkulli zgjedh të bashkohet.
Çfarë mendon për homoseksualitetin?
Mungon te dashuria mes të ngjashmëve ajo përmasa mitike dhe universale që u takon në fakt vetëm sekseve të kundërt : më shumë sesa dashnorin e vet, homoseksuali do homoseksualitetin. Për këtë, letërsisë – mjafton të kemi parasysh Proust – i është dashur të konvertojë pasionin nga homo në heteroseksual, “Albert” në “Albertine” për t’u kuptuar.
E kam thënë tashmë, për këtë arsye nuk mund ta konsideroj Roland Barthes një shkrimtar të madh: diçka e ka kufizuar përherë, sikur t’i mungonte përvoja më e hershme e jetës, njohja seksuale e një femre.
E njihni homoseksualitetin femëror?
Sigurisht. Kënaqësia e dhënë nga një tjetër femër është diçka shumë intime; që do të ketë përherë në vetvete shenjën e mungesës së përhumbjes; goditja e vërtetë, ajo që do të na bëjë të dorëzohemi është takimi me një burrë.
Në tekste si “Sëmundja e Vdekjes » dhe edhe më shumë në “Sy blu, flokë të zinj”, ju përballni dramatikisht dhe njëherazi, me kthjelltësi të madhe, temën e homoseksualitetit. Të dyja historitë tregojnë një histori dashurie që nuk mundet kurrë mes një gruaje dhe një burri të vënë në pamundësinë e marrjes së kënaqësisë së trupit të vet.
Është një situatë që e njoh mirë. Homoseksualizmi është bashkë me vdekjen domeni i vetëm absolut ekskluziv i Zotit, ai mbi të cilin njeriu, psikanaliza, arsyeja, nuk mund të ndërhyjnë. Mandej, vetë pamundësia e riprodhimit e afron shumë homoseksualin me vdekjen.
Ju keni deklaruar po ashtu se keni dashur apo njohur shumë homoseksualë.
Janë si të tjerët, mendoja përpara sesa t’i njihja. Në fakt jo. Homoseksuali është vetëm, i dënuar që të mos arrihet, nëse jo në mënyrë frekuente, nga ai që është si ai. Femra që i qëndron pranë do të jetë vetëm në krahun e tij. E megjithatë, është pikërisht aty ku do të dukje e pamundur, në pamundësinë e vet radikale dhe fiziologjike, që mund të jetohet dashuria. Siç na ka ndodhur neve.
Përkthimi, hyrja dhe titulli: Skerdilajd Zaimi
Comments
Skerdo i bukur por duket e ke
Skerdo i bukur por duket e ke pas me ngut dhe perkthimi eshte pak i erret. Ta kishe redaktu pak. Gjithsesi intervista eshte fantastike.
Add new comment