Milenarizmi te bizantinët*

Postuar në 07 Nëntor, 2022 16:28
Eleni Arveler 

 

Nga libri “Ju flas për Bizantin”

Historia mbi njëmijëvjeçre e Bizantit, na parashtron një pyetje të beftë: Përjetuan edhe bizantinët frikën e Mileniumit të parë, sikurse njerëzit e Perëndimit? Me këtë rast, dua të përmend, se besimi që fundi i botës do të vinte njëmijë vite pas lindjes së Krishtit, kishte krijuar një paroksizëm bestytnie e tmerri ndër popullsitë e Europës katolike, jo të asaj bizantine. Qe krijuar bindja që Antikrishti do të shpërbënte Krishtërimin dhe do të sundonte Vendet e Shenjta, nëse besimtarët nuk do të rebeloheshin kundër tij.  Atmosfera e misticizmit dhe e panikut që mbizotëronte në ato vite në Perëndim, krijoi frymën për ndërmarrjen e Kryqëzatës, që kishte si qëllim kryesor çlirimin e Vendeve të Shenjta nga jo-besimtarët dhe luftën kundër Antikrishtit.

Popullsitë bizantine ishin të tëhuajtura ndaj këtyre zhvillimeve që tronditën Perëndimin, mbasi kalendari bizantin nuk i përllogariste vitet nga lindja e Krishtit, sikurse katolikët, por sipas traditës judaike, që nga krijimi i botës. Është e kuptueshme, se përse bizantinët ishin të huaj dhe dyshues ndaj kryqëzatave të Perëndimorëve. Mbrojtja e Vendeve të Shenjta nga jo-besimtarët pat qenë qëllim i përhershëm i diplomacisë bizantine, por edhe synim i operacioneve të vazhdueshme luftarake të  Perandorisë kundër arabëve sarakinë të rajonit. Për bizantinët, i vetmi që e meritonte denjësisht titullin e kryqëzatorit ishte perandori Iraklios, i cili risolli në Jeruzalem (vitet 630) Kryqin e Nderuar, që ishte rrëmbyer më parë nga persët dhe ishte shpënë në Ktisifonda.

Traditën bizantine të përllogaritjes së viteve jo nga lindja e Krishtit, por nga zanafilla e botës, e adoptuan gjithashtu prijësat moskovitë. Për më tepër, nga mesi i shekullit të 16, Moska u quajt Roma e Tretë dhe ruajti sistemin kronologjik të së hënës, sikurse edhe Patriarkana e Stambollit deri vonë.

Pra, bizantinët nuk njohën mijëvjeçarin e krishterë, as mundën të kuptojnë lëvizjen e kryqëzatave, përderisa Bizanti nuk rreshti kurrë të luftojë kundër jo-besimtarëve për Vendet e Shenjta. Kësisoj, përveç Iraklios, kryqëzatorët, perandori Cimiskis dhe maqedonasit e mëvonshëm, u kujdesën për tempujt e Jeruzalemit, që lidheshin me jetën e Shpëtimtarit në tokë.

Në bazë të kalendarit bizantin, që njihte si fillim viti 1 shtatorin, sipas ditës së indiktit, Krishti kishte lindur në vitin 5508 nga krijimi i botës, çka bënte që viti 6509 të jetë Mileniumi i parë “i tmerrshëm”. Lehtësisht, falë këtij informacioni, mund të mendojë dikush që bizantinët shpërfillën tmerrin e mijëvjeçarit të parë. […]

Paniku i mijëvjeçarit të parë të krishterë shenjon krejt klimën e Mesjetës perëndimore, një periudhë që Bizanti nuk e njohu. Dua të theksoj, që vitet e Bizantit nuk mund të konsiderohen mesjetare. Sipas Ernst Strein Bizanti është vazhdimësi e lashtësisë, sepse nuk rreshti të përdorë gjuhët klasike, tregtinë me para (që bazohet në klauzolën e arit) dhe jo me mallra shkëmbimi, dhe bazimin në institucionet e së drejtës romake, dhe jo asaj barbare. Karakteristikat kryesore të jetës bizantine tregojnë diferencën cilësore nga shembujt perëndimorë. Nuk përkon jeta e bizantinëve me atë të Mesjetës, e cila konsiderohet si periudhë zvetënimi. Mesjeta e Bizantit do të fillojë shekuj më vonë, me pushtimin otoman dhe kohën e Rilindjes së lavdishme, që përuroi Perëndimi. Kalamburi “Perëndimi i lindjes dhe Lindja e Perëndimit” shpreh pikërisht frymën e asaj epoke.

Përktheu: Eleana Zhako

*Titulli i ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.