Në Prishtinë nuk i mirëkuptojnë qëndrimet proserbe të Tiranës zyrtare
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të qartë se me Shqipërinë ka dallime në qëndrime të ndryshme për politikën e jashtme lidhur me Serbinë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Osmani kritikoi hapur qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për mirëkuptimin e pozicionit të Serbisë për sanksionet ndaj Rusisë.
Nuk mendoj që është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse të Serbisë, nuk mendoj aspak që është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë sepse kjo pastaj shkon në ato që quhen politika e “shpëtimit të fytyrës” së një regjimi në Serbi që po ashtu ka shërbyer edhe në kohën e (Slobodan) Millosheviçit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në spastrim etnik, sepse ajo çka ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë.
Sot ta zëmë, ne po përkujtojmë masakrën e Abrisë ku janë vrarë dhjetëra fëmijë, gra e pleq, më i vogli dy vjeçari Valmir Deliu me biberon në gojë është masakruar në mënyrën më mizore të mundur dhe kushdo që e shikon fotografinë e Valmirit të vogël nuk mund ta quajë atë që ka ndodhur në Kosovë thjesht spastrim etnik, sepse ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid, gjenocid e krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe gjithçka tjetër është ndryshim historie.
Prandaj edhe janë gjëra që unë i them shumë qartë, sepse nuk mendoj që nëse relativizohen shkojnë qoftë në interes të Kosovës qoftë në interes të shqiptarëve. Kosova si shtet i pavarur e sovran mos të harrojmë se është edhe projekt e sukses kombëtar, nuk është projekt e sukses vetëm i shqiptarëve të Kosovës është kombëtar, prandaj secili shqiptar gjithandej e ka obligim kombëtar që ta mbrojë e shtyjë përpara këtë projekt
është shprehur ajo.
Kritika vjen dy ditë pasi z. Rama mbajti fjalimin në OKB e prej nga ku ai doli hapur në mbrojtje të Hashim Thaçit, duke kritikuar drejtësinë europiane, por pa dënuar në asnjë rast qëndrimet e Serbisë.
Add new comment